tudiuesi i letërsisë, Gëzim Aliu, me analizën e tij për diskurset e ideve të prozës së shkrimtarit, Ismail Kadare, ka bërë një punë, të cilën me kuptimin e fjalës mund ta quajmë, akademike. Studimi është i ndarë në dy pjesë të mëdha dhe një gjysmëpjesë, e cila në tekst përmban dy kapituj, që autori i quan parakapituj. Në pjesën e parë flitet për diskurset në prozën artistike të Kadaresë, ku merren si modele ilustruese romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në Gur” dhe “Pallati i ëndrrave”, të cilët, sipas Aliut, japin material për evidentimin e diskurseve dhe ideve të ndryshme. Ndërsa, në pjesën e dytë shpjegohet proza eseistike e Kadaresë, ku merren për ilustrim veprat “Ftesë në studio” dhe “Eskili ky humbës i madh”. Por, para se ta shohim se si i shpjegon autori këto diskurse, do ta shohim se si e shpjegon ai vetë nocionin diskurs.
Gëzim Aliu këtë term e shpjegon në kapitullin e parë, dhe, sipas tij, diskursi nënkupton intencionalitetin autorial që përmes shkrimit letrar të krijohen, ndërtohen idetë. Diskursi, si i tillë, sipas Aliut, i ka tri shtresa: Shtresën retorike, shtresën stilistike dhe strukturën narrative. Shtresa e parë, retorika e tekstit, i bën tekstet letrare, jo vetëm këto të Kadaresë të mos duken thjeshtë ideore, parulliste, të simplifikuara tejmase.
Retorika e tekstit i brumos me material gjuhësor, së cilës i vjen në ndihmë stilistika e tekstit, e cila e ngjyros tekstin me mjete artistike. Dhe krejt këto krijojnë strukturën narrative, si një element pa të cilën nuk bën proza artistike. Gëzim Aliu mundohet ta argumentojë faktin se janë diskurset letrare ata filtra që i krijojnë, formësojnë idetë, e jo idetë diskurset. Në këtë logjikë edhe e nis hulumtimin e vet.
Për romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Aliu thotë se ka një diskurs kundër robërisë, dhe autori i këtij romani përmes diskursit të tij del nga skema bardhë e zi e socrealizmit, duke i vendosur në qendër dy personazhe, një gjeneral dhe një prift italian, që për poetikën e kohës duhej të ishin tejmase antagoniste, kështu na thotë studiuesi Aliu. Ndërsa, për romanin “Kronikë në Gur”, Kadare ka krijuar një diskurs të lirisë të shikuar me sy infantil, dhe për këtë roman, interpretuesi tij thotë se paraqet një infantografi letrare, që nënkupton shkrimin artistik të gjërave fëmijërore të ndodhura dhe të imagjinuara. Ndërsa, romani tjetër “Pallati i ëndrrave”, paraqet një temë të robërisë, të cilën normalisht e ndërton një diskurs i tillë.
Në pjesën e dytë flitet për diskursin eseistik të Kadaresë, ku thuhet se libri “Ftesë në Studio” Kadare shpjegon procesin e krijimit të veprave të tij, duke e ftuar lexuesin në atelien, laboratorin e tij të punës krijuese. Kurse te libri “Eskili ky humbës i madh”, flet për një temë paksa më universale.
Gëzim Aliu me këtë libër e tregon seriozitetin dhe maturinë akademike në kërkimin dhe hetimin rreth një vepre letrare. Ai në studimin e tij ndjek metodën strukturaliste, duke i interpretuar diskurset dhe idetë vetëm brenda strukturës letrare. Por ai është edhe inventiv në shumë situata dhe nocione, siç është ta zëmë kompozita konceptuale ideoprozë, që është edhe një kreacion i tij metodik, një dalje nga skema.
Kontrolloni gjithashtu
Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!
Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …