Adil Olluri: Rrëfimi letrar dhe dokumentariteti

 


(Ahmet QERIQI: “Burgu”, roman, Radio-Kosova e lirë, Prishtinë, 2004)

Romani “Burgu” është një vepër letrare, e cila në qendër të ligjërimit të saj e vë kryepersonazhin, Eknat Malmiri, i cili është boshti tematik i tërë rrëfimit, që zhvillohet në një hapësirë të mbyllur, ku i tërë veprimi, të gjitha situatat apo sekuencat narrative realizohen në një hapësirë interiore.

Roman autobiografik

Ky roman është pjesë e letërsisë që ka për tematikë burgun, të cilën kritiku letrar, Bajram Kosumi, e quan si entitet në vete në kuadër të letërsisë shqipe. Dhe ka pasur të drejtë, sepse tema e burgut apo e të burgosurit politik është një nga moduset e veçanta në letrat tona dhe fillon që nga romantizmi e vazhdon gjatë periudhave të tjera letrare. Ky modus tematik është shkruar dhe vazhdon të shkruhet, edhe në kohërat e letërsisë bashkëkohore, ku vërehen autorë të shumtë, të cilët kanë dhënë vepra që i përkasin kësaj natyre tematiko-ideore, pa marrë parasysh modelet e tyre stilistike që mund të jenë të ndryshme.
Ekzistenca e vazhdueshme e këtij modusi në letërsinë shqipe ka ndodhur për shkak të rrethanave konkrete historike, shoqërore politike që kanë ndodhur në trojet shqiptare. Të burgosur politikë ka pasur pothuajse në çdo periudhë kohore, si nga regjimet pushtuese po ashtu edhe nga diktaturat e brendshme. Disa prej të burgosurve politikë kanë qenë shkrimtarë, gjë që ka bërë që në veprat e tyre t’i paraqesin krajatat e përjetuara në burg. Njëri nga shkrimtarët e tillë është edhe Ahmet Qeriqi, i cili për disa vite vuajti burgimin famëkeq nëpër kazamatët e ish-Jogusllavisë. Dhe përjetimet në këto kazamate, ai i paraqet të shënjuara në mënyrë letrare, në romanin e tij me titull eksplicit “Burgu”. Kjo gjë e bën të definohet si roman autobiografik, nëse kemi parasysh përcaktimin e zhanrit. Ky përcaktim është valid vetëm nëse shikohet vepra nga aspekti i saj kontekstual, nga këndi i ndërlidhjes mes jetës dhe letërsisë së autorit. Kryepersonazhi i romanit, Eknat Malmiri, është vetë autori, Ahmet Qeriqi.

Romani “Burgu”, sipas informatave që kemi, në fillim është shkruar si tekst dokumentar, me titull “Rrëfime nga burgu”, por më vonë autori e variantizon modelin e tij të shkrimit, duke bërë që dëshmia e tij reale të jepet me gjuhën artistike të romanit. Kjo e bën librin që njëkohësisht të funksionojë, në një anë si rrëfim letrar dhe në anën tjetër si rrëfim dokumentar, sidomos për njohësit e rrethanave, të cilët mund të bëjnë lexime të dyfishta, duke e lexuar tekstin edhe si vepër letrare edhe si kronikë burgu.
Çdo lexues mund të pyeste se si është e mundshme që një roman të quhet autobiografik dhe të në të njëjtën kohë të rrëfehet nga veta e tretë, kur dihet se autori i këtij romani bën përpjekje që përjetimin personal ta impersonalizojë, duke e paraqitur Eknat Malimirin si personazh ilustrativ për intelektualët e burgosur në burgjet jugosllave për shkak të koncepteve të tyre në mbrojtje të lirisë kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Narratori ekstradiegjetik( që rri jashtë rrëfimit) në këtë vepër funksionon për ta objektivizuar subjektiven. Ky princip i shkrimit vërehet edhe te Fan Noli, te shkrimi i tij autobiografik, ku ai përmes narratorit flet për vete në mënyrën: “Fan Noli shkoi…. Fan Noli bëri…..” etj. Këtë potencim të veprës faktografike të Nolit nuk e bëmë për qëllime krahasimi, por e bëmë për ta argumentuar mendimin se është shpeshherë i mundshëm autobigrafizmi edhe duke rrëfyer nga veta e tretë e njëjësit. Kemi të bëjmë me një roman autobiografik, ku rrëfimi nga veta e tretë mund të jetë vetëm një “mashtrim” narratorial për lexuesin.

Roman i personazhit

“Burgu” është një roman i personazhit, sepse vë në qendër të ligjërimit kryepersonazhin, Eknat Malmiri, rreth të cilit dhe mbi të cilin zhvillohet e gjithë vija narrative dhe fabulative. Madje, në mesin e shumë personazheve të pranishëm në roman, ai është i vetmi akter, në kuptimin e plotë të termit. Pra, është një roman ku tema dhe idetë e tij dalin si produkte të vetë kryepersonazhit, gjë që e bën atë që të jetë boshti aksiologjik i këtij romani. Si roman i personazhit është shumë e natyrshme që ai të ketë edhe elemente psikologjike, të jetë edhe roman me shtresime psikologjike. Ky aspekt vërehet në përjetimet e Eknatit në burg, gjendja e tij, malli për vendin, familjen, për katër bijat e mitura dhe djalin e vogël, madje vizitat e tyre në burg janë pjesët ku më së shumti janë të shtresuara ato ngjyrime psikologjike në këtë vepër.
Në këtë roman ka edhe strukturime të theksuara të dialogut. Ky aspekt vërehet sidomos në polemikat dhe ballafaqimet ndërmjet të burgosurve, veçanërisht ato ndërmjet Eknatit me të burgosurit e tjerë, një pjesë e të cilëve shprehin qëndrime të ndryshme sa i përket rrethanave reale, sidomos kur bëhet fjalë për Shqipërinë e viteve e 80-ta, për të cilën ata gjykonin në mënyrë iluzionare. Eknati shpeshherë bie në konflikt mendimesh me shokët e tij të burgut, sepse si një njeri me qëndrime materialiste mundohet t’ua shpjegojë në mënyrë reale zhvillimet në Shqipërinë e asaj kohe, jo për t’i deziluzionuar, por për t’i zbritur nga sferat e mendimeve hiperbolizuese.
Personazhi i Eknat Malmirit, edhe pse është epiqendra e rrëfimit, nuk ngjet në heroin, në kuptimin kategorial të përcaktimit, sepse heroi i rrëfimeve dhe romaneve tradicionale jo vetëm që e sfidon natyrën dhe rrethanat, por ai edhe vë “veton” e tij mbi to dhe në fund vë pushtetin, mbizotërimin e tij mbi sferat që janë jashtë tij dhe lidhen me të. Personazhi ynë nuk e bën një gjë të tillë, por ai nuk i përket as kategorisë që Viktor Shkllovski e quan antihero, i cili sipas pikëpamjes teorike nuk i njeh dhe nuk mund t’i sfidojë rrethanat në të cilat ndodhet. Personazhi ynë nuk është i tillë, sepse Eknat Malmiri me vetëdije të plotë e sfidon sistemin. Nga kjo rrjedh se të qenurit e një vepre roman i personazhit, nuk do të thotë se ajo duhet ta ketë patjetër kategorinë e heroit.

“Burgu” është një roman i shkruar në formën realiste të shkrimit letrar, sepse si për nga modeli estetik e stilistik, ashtu edhe për nga aspekti tematik është më i afërt me veprat e letërsisë realiste, sesa me veprat e modeleve të tjera letrare. Këtë e themi për shkak se e gjithë vepra është e shkruar me anë të teknikës së reprezentimit( pasqyrimit të realitetit në një vepër letrare), e cila së bashku me dominimin e aspektit përshkrues, përbëjnë bazamentin thelbësor të realizmit letrar, për nga dimensioni i tij formal. Ndërsa, kur flasim për dimensionin tematik, romani, ka për temë një ngjarje realisht të ndodhur, madje edhe prapa të gjitha personazheve fshihen njerëz real, shokë burgu të autorit, të cilët ai i shndërron në personazhe.
Romani “Burgu” i autorit Ahmet Qeriqi është një vepër, e cila përmes ligjërimit artistik, i ofron lexuesit shqiptar njohje për periudhat e përndjekjeve, diferencimeve dhe burgosjeve të intelektualëve shqiptarë të Kosovës nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë. Është një vepër, që padyshim e ka rëndësinë e saj, të cilën shkrimtari dhe simboli i rezistencës antijugosllave në Kosovë, Adem Demaçi, e vlerëson si një vepër faktografike të një periudhe të mundimshme.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …