Adile Bahtir Rama - Jashari (10.5.1957 - 5.3.1998)

Adile Bahtir Rama – Jashari (10.5.1957 – 5.3.1998)

Familja emblemë e kombit tonë, familja e ngushtë e Shaban Jasharit të Prekazit të Ulët, luftës për çlirimin e Kosovës i dha 20 pjesëtarë e pjesëtare moshash të ndryshme. Në mesin e tyre edhe komandantin legjendar të UÇK:së, Adem Jashari, krye-familjarin Shaban Jashari, vëllain e komandantit, Hamëz Jashari, si dhe 17 anëtarë të tjerë të familjes.

Përveç Adem Jasharit dhe bashkëshortes së tij, Adiles, në altarin e atdheut kanë rënë edhe: Fitim Adem Jashari dhe Kushtrim Adem Jashari. Kanë mbijetuar Lulzim Adem Jashari, Shqipe Adem Jashari dhe Marigonë Adem Jashari.

Adilja lindi më 10 maj të vitit 1957, në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë. Babai i saj, Bahtir Rama, ishte burrë i njohur për trimëri, por i dalluar edhe për urtësi e mençuri në kuvende burrash. Ai dhe bashkëshortja e tij, Bahtia, lindën dhe rritën bijtë: Xhaferin, Sadriun e Fetahun, si dhe bijat, Adilen, Zarifen dhe Naxhijën.

Shkollën tetëvejeçare, Adilja e kreu në fshatin e lindjes, në në Akrashticë. Rreth moshës 20-vjeçare martohet me Adem Shaban Jasharin e Prekazit.

E edukuar në frymë patriarkale, ajo ishte një bashkëshorte e përkushtuar për burrin, e zgjuar dhe e vëmendshme për vjehërrinjtë, nënë e dashur, por edhe e sertë për bijtë e bijat, si dhe grua e sjellshme dhe me temperament për familjen e gjerë. Kishte natyrë të çiltër, ishte e hareshme, dinamike dhe kurdoherë e gatshme për të kryer punët me përkushtim të vaçantë. Adilja ishte në dijeni të aktivitetit luftarak të bashkëshortit, Ademit, të kunetërve Hamzës e Rifatit, të vjehrrit Shaban Jasharit, si dhe të bashkëluftëtarëve të tyre.

Adilja, përveç përkujdesjes për fëmijët, kryente me zell edhe të gjitha punët shtëpiake. Si nënë e pesë fëmijëve dhe bashkëshorte e një luftëtari të paepur, sikur ishte Adem Jashari, ajo kishte edhe një pjesë të krenarisë së ligjshme familjare, por kishte thellë në zemër edhe shqetësimet e veta të natyrshme, shqetësimet e nënës, sidomos për bijtë e bijat.

Ishte e vetëdijshme se një ditë bashkëshorti do të përleshej me forcat okupatore serbe, mirëpo atë fat do ta kishte edhe vetë, sado që zemra e nënës, mbi të gjitha kishte brengë e shqetësim për bijtë e bijat.

E dinte se bashkëshorti, Adem Jashari, po jetonte ilegalisht dhe kohë pas kohe shkonte për misione të caktuara ushtarake edhe në Shqipëri. Qe mësuar me mungesën e tij, por me kohë qe vetëdijësuar se bashkëshorti i kishte hyrë një pune të madhe me shumë rendësi dhe nuk ishte nga ata burra që do të kthente nga rruga e filluar.

Ndodhej në kullë, së bashku me bashkëshortin dhe me anëtarët e tjerë të familjes, kur më 30 dhjetor të vitit 1991, forcat policore serbe rrethojnë kullën qendestare të Shaban Jasharit. Me bashkëshortin e saj ndodheshin në kullë edhe kunetët: Rifati dhe Hamza, vjehrri Shabani si dhe bashkëluftëtarët e bashkëshortit: Sahit Jashari, Fadil Kodra e të tjerë.

Në jetën e harmonishme bashkëshortore me Adem Jasharin, Adileja lindi dhe rriti tre bijtë: Lulzimin, Fitimin e Kushtrimin dhe bijat, Shqipen e Marigonën. Ishte e shëndetshme fizikisht dhe kishte përballuar me sukses të gjitha kërkesat si nënë e përkushtuar për fëmijët dhe tërë familjen e bashkëshortit.

Me kohë ishte mësuar të bashkëjetonte në familjen e madhe të burrit, ku hynin e dilnin sa e sa miq e bashkëluftëtarë, kurdoherë të armatosur. Ajo, ashtu sikurse edhe kunatat e saj dhe vjehrra, Zahideja, ishte çdoherë e gatshme për të kthyer darkë për trimat, madje edhe në orët e vona të natës, apo duke përgatitur bukën për orët e hershme të mëngjesit, për bashkëshortin, Ademin, kunatin, Hamzën dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Sa e sa net kishte kalur pa gjumë, duke pritur bashkëshortin. Kurdo ku dëgjonte krisma, ajo nuk kishte si të mos shqetësohej, edhe pse mundohej të përmbahej, sepse me kohë kishte kuptuar se ishte bashkëshorte e një prijësi, fjalën e të cilit ia dëgjonin të gjithë.

Më 22 janar të vitit 1998, sapo kishte ngrënë syfyr me vjehrren, Zahiden dhe të tjerë, papritmas breshëria e armëve të forcave serbe kishte goditur kullën. Në ditët më vendimtare të historisë sonë më të re, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Adileja, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes ndodhet në Kullën e Qendresës. Përveç burrave, të cilët kishin zënë pozicione dhe luftonin, ajo, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, me vjehrren dhe anëtarët e tjerë të familjes, ndodhej në bodrumin e fortifikuar. Forcat serbe kishin marrë në shenjë me topa të kalibrit të madh. Predha kishte goditur pikërisht vend qëndrimin e familjarëve. Me atë ranë: Adile Bahtir Rama-Jashari, Zahide Shaban Jashari, Zarife Bahtir Jashari, Hydajete Rifat Jashari, Valdete Rifat Jashari, Igballe Rifat Jashari, Igball Rifat Jashari, Feride Ramadan Mecini-Jashari, Selvete Hamëz Jashari, Afete Hamëz Jashari, Lirie Hamëz Jashari, Blerim Hamëz Jashari, Fatime Hamëz Jashari, Blerinë Hamëz Jashari, Kushtrim Adem Jashari.

Duke luftuar ballë për ballë forcave serbe, ranë: Shaban Murat Jashari, Adem Shaban Jashari, Hamëz Shaban Jashari, Osman Geci nga Llausha, (daja i Komandantit Legjendar), Besim Hamëz Jashari dhe Fitim Adem Jashari. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …