Nga mësimet e traditës mistike të shumë urtësive të civilizimeve të lashta, si simboli më i fuqishëm veprues, konsiderohet pentagrami, ose ylli pesëcepësh. Nga të urtit e kohës, ky simbol nuk është i përzgjedhur rastësisht, sepse në prapavijën figurative të domethënies së tij, fshihej porosia e madhe e veprimit të ligjit universal hyjnor: “çdo punë e nisur mbarë nuk duhet të ndërpritet në gjysmë, por patjetër duhet vazhduar deri në fund”. Kjo domethënie figurative, mbështetet në mënyrën e vizatimit grafik të yllit, që nis nga një pikë, vazhdon me një vijë të pandërprerë, dhe përsëri mbaron te pika e nisur, duke formuar kështu imazhin e yllit pesëcepësh.
Nëse, nën pretekstin e mbështetjes së kësaj urtësie të lashtë, komperativisht shëtisim nëpër etapat të ndryshme të historisë sonë, gjithnjë do të hasim në aplikimin kontradiktor të saj. Do të vërejmë se shumë lëvizje dhe procese shoqërore-politike që kanë ndodhur gjatë kohërave të ndryshme të historisë sonë, gjithnjë kanë qenë të karakterizuara me një recidivizëm të papërmirësueshëm të vetëkënaqësisë me gjysmakësinë e të arriturave nga nismat e papërfunduara deri në fund. Mu atëherë, kur është dashur te shkohet edhe më tej dhe deri tek arritja e qëllimit përfundimtar, ne jemi ndalur në gjysmë të rrugës, duke pranuar si kompromis disa premtime apo privilegje të vogla politike që na janë ofruar, si nga pushtuesit tanë të drejtpërdrejtë që na kishin në sundim, ashtu edhe përmes presioneve të ndryshme diplomatike ndërkombëtare. Kjo dukuri e mosçuarjes deri në fund e shumë proceseve politike të nisura mbarë, përveç se i kënaqte interesat strategjike të armiqve tanë, ajo karakterizohej edhe me bekimin dhe përkrahjen e pa rezervë të elitës sonë servile politike vendore. Se çfarë ishin pasojat e mëvonshme politike të këtij stopimi dhe mosçuarjeje deri në fund të këtyre proceseve të nisura, dihet: humbja e patjetërsueshme edhe të asaj gjysme tjetër të arritur.
Edhe pse, me këtë gjysmakësi të ofruar si mashtrim, paraprakisht dhe përmes formave të ndryshme të ndikimit masiv kemi qenë të indoktrinuar me një konformizëm të imponuar të disponimit të gjerë popullor, prapa këtyre ndërmarrjeve stopuese të armiqve tanë, gjithnjë kanë ekzistuar zërat e arsyeshme paralajmëruese të inteligjencës sonë të mirëfilltë atdhetare. Por, në vend se t’i dëgjojmë këto alarmime sinjalizuese për rrezikun që po i kanosej të ardhmes sonë, ne kundër tyre organizonim përndjekjet nga më të ndryshme. Këto përndjekje nuk karakterizoheshin vetëm me diskreditimin moral dhe intelektual të personalitetit të tyre, por zakonisht përfundonin edhe me forma më drakoniane të persekutimeve, sikurse janë: rrahja, vrasja, burgosjet dhe sajimi i proceseve të ndryshme të montuara politike.
Mjafton vetëm t’i shfletojmë disa faqe të historisë dhe do të shohim shumë shembuj që e vërtetojnë këtë tezë. T’i bëjmë një vështrim disa kryengritjeve kundër pushtuesve tanë të ndryshëm, dhe do të vërejmë se ato për nga efekti dhe fuqia e tyre jehuese, nuk i kanë dridhur vetëm themelet e pushtetit aktual sundues, por edhe tërë Evropën e asaj kohe dhe më gjerë! Si kanë përfunduar këto kryengritje? Me gjak sigurisht, por paralelisht në prapavijën e kërkesave politike të parashtruara si kushte, gjithnjë na janë ofruar premtime mashtruese për disa të drejta të vogla minore, të drejta këto që më vonë na janë marrë sërish nga mu ata vetë.
Fundja, nuk duhet të shkohet edhe aq larg në histori. Shembullin më të freskët e kemi tek Kushtetuta e Jugosllavisë e vitit 1974. Aty, edhe pas kërkesave tona gjithëpopullore të shprehura në demonstratat masive dhe të përgjakshme të vitit 1968 për “Kosovën Republikë”, ne u kënaqëm me një status të një Krahine autonome, e cila politikisht dhe juridikisht edhe më tej na mbante nën tutelën e Serbisë. Edhe atëherë, nga qendrat e fuqisë sunduese në Beograd, si gjithnjë të ndihmuara prej elitës sonë gjysmamendshe politike vendore, tentohej që kolektivisht të na imponohej bindja e rrejshme se, gjoja Kosova, në Preambulën e kësaj Kushtetute, juridikisht veç përmendej si element konstitutiv i Federatës dhe praktikisht e kishte pozitën si të republikave tjera, por, për shkaqe të principeve formale të së drejtës ndërkombëtare, nuk lejohej ekzistimi i dy shteteve shqiptare.
Merrni me mend çfarë budallallëku ynë kolektiv!? Derisa kjo grackë politike, dukej logjikisht e kapshme për shumicën prej nesh, në prapavijën e saj, me metoda më të ashpra përndiqeshin dhe persekutoheshin të gjithë ata individ dhe grupe shqiptarësh që sado pak edhe në mënyrë më indirekte e shprehnin këtë qëllim. Vetëm pse nuk ishin të kënaqur me këtë arritje gjysmake, por donin më tepër, përmes qindra e qindra proceseve të montuara politike, shumë atdhetarë dhe intelektualë të pafajshëm të popullit tonë, u persekutuan, u torturuan dhe u gjykuan, duke u dënuar me dënime nga më drakonianet. Dhe … pas kësaj gjysmakësie të statusit si autonomi për Kosovën, dihet se çka përjetuam më vonë: humbjen edhe të asaj gjysme tjetër.
Sikur praktika e kënaqjes sonë me gjysmake të realizuara politike pa arritur deri tek qëllimi ynë përfundimtar, po vazhdon ende. Fatkeqësisht edhe sot…dhe…me sa duket historia po na përsëritet prapë!
Pas 8 vitesh të një protektorati dhe sundimi më antidemokratik ndërkombëtar të UNMIK-ut në Kosovë, ne ende si popull po mashtrohemi me një zgjidhje tjetër gjysmake që po na ofrohet në formë të statusit përfundimtar: “Pavarësi sipas Pakos së Ahtisarit”. Diçka që as për së afërmi nuk është pavarësi e mirëfilltë, por një rast më precedent në botë të një shtetësie specifike.
Edhe në këtë fazë, në skenë si gjithnjë, është elita jonë gjysmamendshe servile politike e cila përmes mas-gënjeshtrave mediale krijon një konformizëm se gjoja mu kjo është ajo pavarësi që kaherë po e presim.
Në anën tjetër, veprohet njëjtë si dikur, me të gjithë ata individë, intelektualë dhe lëvizje me ideologji të pastër kombëtare, të cilët në çdo kusht e kundërshtojnë këtë pavarësi gjysmake, duke apeluar që të shkohet deri në fund me synimet tona; deri në VETËVENDOSJE pa kusht të popullit të Kosovës, e cila, si vullnet i tij i lirë, duhet patjetër të shprehet përmes referendumit të organizuar gjithëpopullor.
Shikoni vetëm se në çfarë mënyre veprohet sot me djelmoshat e lëvizjes “VETËVENDOSJE”, me këta të rinj dhe të panënshtrueshëm ndaj grackave dhe mashtrimeve të njëjta shekullore që na janë bërë me premtime të ndryshme të gjysmakeve politike? Shikoni vetëm se si trajtohet lideri i tyre, Albin Kurti: nga kush merren urdhrat për këto absurde ndëshkimore dhe kush i ekzekuton ato me devotshmëri? Sot, Albin Kurti dhe pjesëtarët tjerë të shumtë të lëvizjes “VETËVENDOSJE”, përndiqen, torturohen, persekutohen, vriten dhe dënohen nga ana e këtij regjimi më antidemokratik ndërkombëtar dhe lakenjve të tij besnik vendor, pikërisht pse e njohin mirë historinë tonë të dhembshme dhe kurrsesi nuk do ta lejojnë që ajo të na përsëritet edhe një herë si dënim.
Pavarësia sipas “Pakos së famshme të Ahtisarit” do të na vijë shpejt, dhe, ne, sigurisht me histeri dhe me pompozitet do ta kremtojmë ardhjen e saj, por, me kohë, patjetër, do të kuptojmë se kjo formë e shtetësisë që mezi e kemi pritur, na e kanë shitur këta neve si “Dushk për gogla”?!
Kontrolloni gjithashtu
Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë
Sllovakia, është njëra nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …