leoni

Adnan Abrashi Letër e hapur dëshmitarëve të procesit gjyqësor kundër Albin Kurtit

Bashkështetas të mi shqiptarë, dëshmitarë në procesin politik kundër Albin Kurtit, por edhe ju të tjerë jo shqiptarë, e që shumica vini nga vendet që kaherë kanë promovuar drejtësinë e mirëfilltë në sistemet e tyre të gjyqësisë së pavarur! Më datën 19.9.2007, do të fillon procesi i montuar politik gjyqësor ndaj liderit të lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurtit, i cili, bazuar në pikat e aktakuzës zyrtare të ngritur kundër tij, ai, aty, nuk do të paraqitet si i pandehur, por si i dëmtuar, jo si kriminel por si liridashës dhe zëdhënës real i synimeve të vërteta të popullit të vet, ku përmes organizimit të një proteste gjithëpopullor janë shpalos këto kërkesat të natyrshme dhe civilizuese për pavarësi dhe vetëvendosje. Bilanci i tyre dihej: 2 të vdekur dhe mbi 80 të lënduar. 
Ju, në këtë proces do të paraqiteni si dëshmitarë. Shumica do të jeni nga të tanët, por do të ketë dhe nga ata të tjerë, ndërkombëtar. Këtë herë, unë fare nuk do të merrem me ata dëshmitarë nga radhët e përfaqësuesve ndërkombëtar, por shënjestrën e apelit tim do ta orientoj kah ju, të tanët. 
Ju dëshmitarë shqiptar në këtë proces të montuar politik! 
Atë çfarë ky popull me dhjeta vite përjetoi nga një sundim më i egër dhe një regjim më shovinist në Evropë, sot, me disa metoda të ngjashme por në një mënyrë dhe formë më perfide, po përsëritën edhe nga ky regjim kinse demokratik i UNMIK-ut, i cili, qe 8 vite është i instaluar në Kosovë dhe po luan pamëshirshëm me fatin e popullin tonë shumicë shqiptar. 
Të gjithëve, sigurisht ende ju kujtohen proceset të montuara politike ”famoze” gjyqësore, kundër “irredentistëve”, “terroristëve” dhe “separatistëve” shqiptar, dhe në to, dënimet e shqiptuar nga më drakoniane ndaj “fajtorëve”. Atëbotë, këto gjykata, akuzat e pavërteta kundra këtyre djelmoshave tanë, i mbështetshin në fakte të kurdisura dhe trillime nga më absurde, e posaçërisht ato bazoheshin në deklaratat e dëshmitarëve të rrejshëm. 
Intimisht, gjithmonë jam rrëqethur kur tentoja t’i kuptoj këta dëshmitarë, se si ata munden që me dëshmitë e veta të rrejshme të paraqiten para organeve të instaluar të dritësisë së pushtuesit, duke deklaruar pa fije turpi, trillime nga më të ndryshmet, vetëm e vetëm që të dënohen sa më rëndë atdhetarët tanë më të dëshmuar të çështjes kombëtare. Edhe pse gërditsha me ta, këtë marrëzi të tyre, shpesh tentoja t’iu arsyetoj me shantazhe dhe presione nga më drastike që ju bëheshin, duke mos përjashtuar edhe ato fizike, të cilat i ushtronte atëbotë UDB-ja, vetëm e vetëm ta përmbushte farsën formale të mbarëvajtjes gjoja ligjore dhe të mbështetura në fakte të këtyre proceseve gjyqësore që kryekëput kanë pasur prapavijë politike. 
Ky pushtet i sotëm i UNMIK-ut, me disa metoda të veta të veprimit, si duket, edhe nuk dallon aq shumë nga ato të mëparshme të Serbisë. 
Shprehur me gjuhën e plakut tonë popullor të lagjes, mixha Dilë, këta të tanishmit, njësoj po na “punojnë” por vetëm po i dallon poza e veprimit: ata të parët na kanë “fut” ashiqare dhe ballë për ballë – “përpara”, kurse këta të dytët, pak me një stil më të përsosur dhe jo aq ashiqare,-“nga prapa”. 
Sa e sa procese politike gjyqësore janë mbajtur pas lufte në Kosovë, ku në to si të akuzuat ishin veteranët dhe luftëtarët më të devotshëm të UÇK-së? 
Procese këso të montuara, nuk patën vetëm përmasa kombëtare por edhe ndërkombëtare duke na i dërguar komandant tanë legjendar të UÇK-së edhe në Gjykatën e Hagës. Ju dëshmitarë shqiptarë! 
Këso fakte të proceseve të montuara politike gjyqësore, ndaj njerëzve dhe bijve më të mirë të këtij populli, kemi mjaft, dhe secila nga to, në vete ngërthejnë një histori të dhembshme. 
Në vazhdim, të ndalemi në këtë proces të fundit, në atë ku ju para altarit të kësaj drejtësie UNMIK-ase, do të paraqiteni si dëshmitarë. 
Para se ta merrni këtë rrugë më19 shtator të këtij viti, ju lutem vetëm për një çast, përkujtoni emrat e dy dëshmorëve tanë të fundit të lirisë: Mon Balajt dhe Arben Xheladini. Ktheni filmin mental të kësaj ngjarje dhe le t’ju ushtoj në vesh deklarata e prindërve krenar të këtyre djelmoshave të viktimizuar mu në lulen e rinisë: “Hallall ju qoftë qumështi i nënës …ata ranë për idealin e tyre të vetëvendosjes”. 
Doni ende dëshmi? Ka mjaft? 
Albin Kurti dhe lëvizja “Vetëvendosje” atakohet nga ky regjim antidemokratik sepse është kundër bisedimeve me Serbinë, armiken tonë shekullore e cila në luftën e fundit në Kosovë vrau rreth 14.000 njerëz. Afër 90% prej tyre civilë të paarmatosur. Të pambrojtur. Kryesisht fëmijë, gra dhe burra të moshuar. Rreth 3.000 persona të rrëmbyer janë ende të pagjetur. Pjesa dërrmuese e tyre gjenden në Serbi. Mijëra femra të dhunuara. 740.000 persona të deportuar dhunshëm. 120.000 shtëpi të shkatërruara apo të dëmtuara nga ushtria serbe. 
Albin Kurti dhe lëvizja “Vetëvendosje” atakohet nga ky reshim antidemokratik sepse angazhohet dhe propagandon Vetëvendosje! Pa kusht. Deri në shkëputje përfundimtare. Deri në çlirimin e plotë të vendit. 
Sepse, asnjë populli nuk mund t’i vendosen kushte për lirinë e vet. Sepse, çdo popull ka të drejtë të dekolonizohet; të jetë përcaktues absolut i kahjeve të zhvillimit të mundësive të veta; i resurseve vetjake ekonomike; i pasurive të veta nëntokësore. 
Të përcaktojë lirshëm identitetin e tij dhe të kultivojë i papenguar frymën autentike kulturore. Kërkon vetëvendosje, sepse kjo është diçka e natyrshme: është gjë e pritshme të vendosim në interes të vetes më shumë seç do ta bënte këtë gjë tjetërkush dhe gjithkush tjetër për ne. Ju dëshmitarë shqiptarë, të këtij procesi të montuar politik. 
Dijeni se, mu kjo çfarë predikon Alkbin Kurti dhe lëvizja “Vetëvendosje”, janë vetëm stereotipe të synimeve tona të vërteta të trysura si ideale në ndërvetëdijen tonë kolektive si popull, për të cilat, gjatë shekujve janë dhënë shumë jeta dhe është derdhur shumë gjak. Albin Kurti, është vetëm artikulues i këtyre zërave të natyrshëm latent në brendësinë e ndërvetëdijes së çdo individi që ka në veta gjene të pastra shqiptare. Ai është vetëm shpirti i bashkuar kolektiv në veprim. Andaj, pa marr parasysh dhunën, burgosjet, proceset e montuara dhe viktimat, ideali i “Vetëvendosjes” do të fitoj patjetër, sepse, siç thotë Albini, populli është nisur drejt saj. 
Albin Kurti dhe pjesëtarët tjerë nga lëvizja “Vetëvendosje”, janë bijtë dhe bijat më të zgjedhur të popullit tonë. Ky organizëm nuk është vetëm institucionalisht si një lëvizje popullore, por ajo paraqet edhe një universitet akademik ku kaliten dhe përgatiten mira e mira atdhetarë të rinj, timonier dhe bartës të ardhshëm të proceseve shoqërore – politike në Kosovë. 
Pra, ajo është një kult i edukimit masiv, ku përgatitet një brez i ri i cili është i panënshtrueshme para emocioneve dhe instinkteve momentale, që refuzon të përkulet dhe nënshtrohet para sakrificave, nuk është pijatalipis dhe lajkatar, nuk frikësohet nga askush, e më së paku nga vetja. Është gjeneratë që është kalitur t’i gjej shkaktarët në pasoja, të dallon realitetin nga iluzionet, të vlerësoj saktë ç’është patjetër për momentin. Tek ta nuk ka kokëfortësi, por vendosmëri. Ata janë të patjetërsueshëm, sepse në vete ngërthejnë forcën e madhe të realitetit. 
Ja, se pse gjykohet sot Albini Kurti dhe lëvizja “Vetëvendosje”! 
Ja, se në çfarë procesi gjyqësor do të paraqiteni ju si dëshmitarë! 
Edhe një kërkesë të vogël kam prej jush, të nderuar bashkëkombës të mi: Para se të shkoni të dëshmoni, kujtoni përgjegjësitë e vërtetë të këtij procesi – policët rumun; larg nga vendi veprës së kryer dhe të dekoruar për krimin e bërë. Provoni t’i paramendoni se si ata, duke dëgjuar dëshmitë e juaja të montuara, po ju “zgërdhihen” nga larg , të kënaqur se do t’i rehabilitoni. 
Nëse kur në ndërgjegjen e juaj nuk jeni ndjerë ndonjëherë sinqerisht shqiptar, e keni shansin ta bëni atë mu më 19 shtator të këtij viti! Një fjalë e urtë latine thotë: “Verba volant, scripta ma nent” (Ajo çka thuhet, e merr era, ndërsa e shkruara mbetet përherë) 
Në këtë proces dëshmia e juaj do të shkruhet dhe stërshkruhet jo vetëm nga formalitetet zyrtare gjyqësore, por edhe nga shumë të tjerët… 
Dhe për fund, atë që e kamë thënë edhe më parë në shkrimet e mija, po e përsëris edhe këtë herë: Si duket, tek ne, ka mjaft nga ai soj njerëzish, që nuk e di se historia shkruhet SOT, për t’u lexuar NESËR? Që nuk e dinë se historia ka edhe një taraf tjetër: “PLEHUN E SAJ TË HISTORISË”. 
Ju pikërisht në këtë ditë, jen në pozitë që vetë të zgjidhni se në cilin taraf të historisë dëshironi të jeni. 
Aman, mos e zgjidhni atë të turpit…?!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …