Jeta është një rrjedhojë e përjetimit ekzistencial që i nënshtrohet procesit evolutiv të transformimit të pandërprerë kah e përsosura e përhershme. Shprehja e tërësisë së këtij procesi universal evolutiv dhe transformues quhet qenësi. Ose, ndryshe, realiteti i ekzistencial në nivelin material. Ky realitet në Univers është i përfaqësuar përmes formave të ndryshme strukturale: botës minerale, bimore, shtazore dhe qenies më të përsosur – NJERI.
Ku janë dallimet në mes të këtyre niveleve ekzistenciale?
Përpos ndërtimit fizik – material, këto nivele ekzistojnë edhe si struktura shpirtërore me kategori diferenciale të inteligjencës. Në këtë drejtim, botën minerale e karakterizon forma statike e kujtesës së veprimit, botën bimore, forma e kujtesës statike dhe aftësia specifike e adaptimit, bota shtazore i ka të gjitha këto por edhe një shkallë instiktive të ndjeshmërisë. Ndërsa, njeriu si qenie më e përsosur e Universit, përpos të gjitha karakteristikave të cekura, ka edhe nivelin e lartë të inteligjencës, e cila në realitetin objektiv si trysni, shprehet përmes vullnetit të lirë të veprimit. Pra, vetë kuptimi i lirisë është forma e shprehjes së këtij vullneti, andaj, ajo edhe është e natyrshme. Kur një vullnet i lirë i veprimit individual, përmes procesit të organizimit, inkorporohet si tërësi kompakte e shumicës, nënkupton shprehjen e vullneti të lirë kolektiv. Nëse këtë koncept filozofik do ta konvertojmë në kuptimin e saj politik, atëherë, tërësia strukturale e këtij organizmit quhet POPULL, ndërsa, vetë procesi përmes së cilës shprehet ky vullnet i lirë, quhet VETËVENDOSJE.
Edhe pse, në shumicën e rasteve, procesi i Vetëvendosjes në praktikë, nënkuptohet si kategori politike, realisht, ajo është shprehje e një trysnie komplekse qenësore dhe konstruktivisht hyjnore, mospërmbushja e së cilës, në realitetin objektiv, shkakton disharmoni, apo, shprehur në gjuhën e psikologjikes, frustrim kolektiv.
Që të kemi një kuptim më të konceptuar të Vetëvendosjes si tërësi, atëherë, ndaj saj duhet bërë një qasje më komplekse, si nga këndvështrimi psikologjik, filozofik ashtu edhe politik.
Ku qëndron esenca e kësaj triade akademike e të kuptuarit filozofik, psikologjik dhe politik të VETËVENDOSJES si formë kolektive e shprehjes së lirë të vullnetit popullor?
Vetë ekzistimi i ndjesisë së brendshme si trysni, në nivelin e përjetimit të saj të ndërgjegjësimit kolektiv, Vetëvendosjen e koncepton si kategori psikologjike.
Nga ana tjetër, sqarimi dhe kuptimi i urtësuar i ligjësorëve të saj dhe mënyra e veprimit të tyre, konceptin e Vetëvendosjes e formulon si kategori filozofike.
Ndërsa, rruga e vënies në funksion të kësaj nevoje të natyrshme në nivelin e një organizimi shoqëror institucional, Vetëvendosjen e konceptojnë si kategori politike.
Kështu që, me plotë të drejtë, mund të konstatojmë se, VETËVENDOSJA, si një shprehje kolektive e vullnetit të lirë të një populli është një proces tërësisht i natyrshëm dhe vazhdimësi në veprim. Mu për këtë, atë duhet konsideruar si reale dhe ekzistente, ndërsa rrugën e realizimit përfundimtar të saj, si të pandalshme.
Dihet se të gjitha proceset që zhvillohen në natyrë, kryekëput janë evolutive dhe kanë të përcaktuar kohën precize të veprimit të tyre.
Çka është karakteristika e tyre?
Thjeshtë, e kuptueshme nga dy pozicione: në to është në funksion veprimi i Ligjit të të kundërtave, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, si procese në vazhdimësi të përhershme janë të pandalshme dhe të pandikueshme nga asnjë forcë e jashtme.
Veprimi i Ligjit universal i të kundërtave mbështetet në funksionimin e përsosur brenda saj edhe të dy nën ligjeve tjera:
– nën ligji i mbajtjes përherë në qetësi të gjendjes ekzistuese (“status quosë”) dhe – nën ligji i vënies së përhershme në lëvizje të proceseve në përgjithësi. Me fërkimin e këtyre dy të kundërtave, si rezultat krijohet produkti i ri dhe më i avancuar. Por, është karakteristike se gjithnjë nga ky fërkim lirohet NXEHTËSIA.
Andaj, liria si shprehje universale e njeriut është e pandalshme nga asnjë ndikim prej jashtë. Ajo është nevojë e brendshme individuale, ndërsa në anën tjetër si shprehje e organizuar, nevojë shpirtërore kolektive, rruga e realizimit të së cilës përherë do të prodhojë NEXETËSI.
Nxehtësi si evolucion nxehtësi si revolucion si do që ta marrim. E dallon vetëm koha e shfaqjes dhe veprimit të saj.
Nëse nga çfarëdo forme të ndikimit të përkohshëm nga jashtë do të tentohet të kamuflohet kjo nxehtësi, ajo, edhe pse në shqim të parë, mund të mos duket se është shfaqur, assesi nuk do të thotë se nuk ekziston., por vetëm akumulohet dhe kur të shpërthen, gufon si eksplodim – si detonacion.
Të ndalemi pak sa në pragmatizmin e realitetit tonë Kosovar. Konkretisht dhe shkurtimisht, në proceset që po zhvillohen në të, që si duket, askush si kupton, ndërsa nevojën e shfaqjes dhe ekzistimit të Lëvizjes VETËVENDOSJES si veprim, ka mjaft nga ata që nuk i konvenon. E vërteta absolute mbetet konstatimi logjik se, askush nga jashtë, nuk mundet të ndikoj në disa proceset të natyrshme që zhvillohen në një shoqëri, sikurse, askush nuk mund ta minimizoj e kurrsesi ta pengoj paraqitjen e çfarëdo organizmi që praktikisht i konverton në njohuri (vetëdijesim) këto procese të pashmangshme.
Është pikërisht ashtu, sepse, ky organizëm vepron në harmoni me natyrshmen dhe bëhet si pjesë e saj, andaj, gjithnjë në masë, përjetohet si më e kapshme, më tërheqëse dhe më e patjetërsueshme si koncept.
Dhe për fund, ashtu sikur e shtjelluam më sipër se çdo gjë në natyrë, pa marrë parasysh formën e shprehjes së saj funksionale (psikologjike, shoqërore, politike) nuk mund t’i iki veprimit të pacenueshëm të ligjshmërive universale, dhe, bazuar mu në këtë logjikë të thjeshtë, unë tek ne shoh dy kategori njerëz: të parët injorant që nuk i dinë dhe as “s’ju ha palla” për veprimin e këtyre ligjeve natyrore, dhe të tjerët gjentilë, që jo vetëm me përsiatje i analizojnë dhe i kuptojnë ato, por bëhen edhe si katalizatorë të përshpejtimit të tyre.
Se si, kush, e gjen veten në këtë kategorizim, duhet të jetë çështja e tij personale, e, sa për Lëvizjen VETËVENDOSJE dhe ithtarët e saj , për mua nuk është vështirë t’ ia qëlloj se cilës kategori i takojnë?!
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …