“Për Prekaz, Mejë e Reçak,
Adnan-trimi mori hak.
Për lirinë e këtij trolli,
Pak pa vdekur një fjalë foli.”
Nuk janë të rralla rastet kur pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përveç studentëve të Universitetit të Prishtinës e që kap numrin 456, iu bashkua edhe rinia e shkollave të mesme anembanë Kosovës. Si të këtillë, edhe pse shumë të rinj, ata braktisën bankat e shkollave të mesme dhe u radhitën nëpër formacionet e zonave të luftës dhe kështu, me pushkë në dorë e plot ëndrra për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve, u përjetësuan në altarin e lirisë. E të këtillët nuk ishin pak. Numri i tyre prej datës 24 mars të vitit 1998 kur në Gllogjan u përjatësua Himë Haradinaj, shtohej dita më ditë, prandaj në altarin e lirisë krahas luftëtarëve të pjekur u flijuan edhe Ata që u poqën e u burrëruan para kohe. Adnan Krasniqi e kishte kohën që ende ta shijonte fëmijërinë e vonuar dhe rininë e parakohshme, por dëshira për çlirimin e Kosovës i doli më e madhe e më e shenjtë, prandaj edhe nga fushëbetejat i shkroi të atit: “I dashuri babë, e dashura nënë dhe të gjithë të dashurit e mij. Më vjen keq se po ua dërgoj një fotografi me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e me cigare në gojë. Por këtë nuk po e bëj nga mendja e madhe. Me cigare dua t’ju tregoj se jam pjekur dhe burrëruar e burrit i ka hije cigarja. E unë tash jam burrë. Do ta harroj për pak kohë pianon, por jo këngën dhe çiftelinë!”
Dëshmori i kombit Adnan Krasniqi është i lindur në Prizren më 26 mars të vitit të famshëm të “Pranverës së famshme” të vitit 1981. Është djalë i Nexhmedinit dhe 11 Feniksët e lirisë – 16 i Jalldëzës, bijë e Shaljanëve të Hoçës së Qytetit të Prizrenit. Bashkëshortët Krasniqi të lagjes së famshme të trimave që bënë kthesa historike në Prizren, kishin Adnanin, Agronin, Jetonin, Xhyziden, Shpresën dhe Teutën. Nexhmedini dhe Jalldëzi, nënë e dëshmorit, jetonin me modesti por ëndërronin që Adnani do t’u bëhet muzicient. Shkollën fillore Adnani e mbaroi në vendlindje, në Shkollën Fillore “Fadil Hisari” të Prizrenit, ndërsa të mesmen e filloi në atë të muzikës “Lorenc Antoni” të Prizrenit. Kishte talent për çdo gjë, veçanërisht veshin e kishte për muzikë, thuase ishte edhe i lindur për këngë e instrumente muzikore, veçanërisht me ëndje luante në çifteli, piano. I pëlqente shumë kënga “Për mëmëdhenë”, e përcjellur gjithmonë me atë, “Vajta kalova”.
Por menjëherë pas marsit të vitit 1998, me të dëgjuar për luftimet në Prekazin legjendar, Adnani fillon të mendojë për ta braktisur shkollën e mesme dhe t’u bashkohet luftëtarëve të lirisë dhe kështu paraqitet në pikën stërvitore të Brigadës 125 në fshatin Leskovec të Prizrenit. Kështu luftimet e korrikut të vitit 1998 te Kulla e Hoçës, në Lez, në Jeshkovë dhe nëpër tërë Vërrinin e Prizrenit, Adnani gjendet në vijën e parë të luftimeve në harkun Lez – Kullat e Hoçës. Me riorganizin e Brigadës 125 dhe me kalimin e saj në Reti të Anadrinit, Adnani është në formacionin stabil dhe priste me padurim që Brigada 125 e Prizrenit të kthehet në Jeshkovë, atje ku edhe kishte lindur. Atje, pra në Jeshkovë, Adnani do të luftonte për sendërtimin e konceptit strategjik të Remzi Ademajt. Përjetësohet më 7 maj të vitit 1999 në luftimet e Petrovës së Shtimes ku luftëtarët e Brigadës 125 kishin shkuar për t’i ndihmuar Brigadës 162 “Ahmet Kaçiku”. Pranë Adnanit ishin edhe luftëtarët: Astrit Rexhepi, Fehmi Kelmendi dhe Fisnik Berisha.
Sot në fshatin Mollapolc të Shtimes shkëlqejnë rrezet e lirisë mbi lapidarin e luftëtarëve të rënë dhe një rrugë në qytetin e Prizrenit mban emrin e këtij dëshmori ndër më të rinjtë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por megjithatë, një fjalë e foli:
“O ju vëllezër, ju Shqiptarë,
Me një besë dhe të pandarë.
Do ta bëni një Shqipërinë,
Dhe Kosovës, Lirinë!”
Me shkrimet e veta, dëshmorin e kombit Adnan Krasniqi e nderoi Bajram Kurti, ndërsa këngë për të këndojnë: Zenel Zekolli dhe Hamëz Llapçeva. (S. C.)