Afatet Ligjore dhe pasojat në vendimarrjen lokale

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), në kuadër të koordinimit dhe zhvillimit të veprimtarisë së saj, organizoi takimin e radhës të Kolegjiumit të Kryesuesve të Kuvendeve të Komunave, me mbështetjen e OSBE-së, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për funksionimin efektiv të Kuvendeve Komunale.

Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte sfida e zbatimit të Ligjit të ri për Aktet Komunale, me një fokus të veçantë në çështjen e afateve për shqyrtimin e vendimeve komunale.

U trajtua dilema mes afatit 15-ditor të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe afatit 30-ditor të ligjit të ri, duke kërkuar një interpretim të qartë dhe uniform.

Ndërsa Ligji për Vetëqeverisjen Lokale parashikon një periudhë 15-ditore për shqyrtimin e akteve nga institucionet qendrore, ligji i ri e zgjeron këtë afat deri në 30 ditë, duke krijuar një situatë të paqartë në praktikë.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) bëri të ditur se ka pasur një kërkesë nga Qeveria e Kosovës dhe ministritë e linjës, veçanërisht nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), për të rishikuar këtë afat, meqë institucionet kanë hasur vështirësi në kthimin e përgjigjeve brenda periudhës së paraparë.

Kryesuesit e Kuvendeve të Komunave ngritën shqetësimin lidhur me mungesën e standardizimit në trajtimin e akteve të komunave nga institucionet qendrore, duke evidentuar raste ku vendime të ngjashme janë vlerësuar ndryshe nga njëra komunë në tjetrën.

Po ashtu, u theksua se vonesat në shqyrtimin dhe kthimin e akteve krijojnë pasiguri juridike dhe vështirësojnë funksionimin e kuvendeve komunale.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i diskutimit ishte vlerësimi profesional i vendimeve të komunave nga ministritë përkatëse.

Në takim u theksua se ky proces shpesh herë nuk zhvillohet në përputhje me standardet e nevojshme dhe se mungesa e një analize të thelluar mund të krijojë konflikte institucionale.

Kryesuesit nënvizuan rëndësinë e një interpretimi të qartë dhe unik të dispozitave ligjore, duke kërkuar që çështjet e paqarta të adresohen nëpërmjet një praktike të qartë dhe të njëtrajtshme për të gjitha komunat.

Takimi shërbeu si një mundësi e mirë për të adresuar çështje kyçe të funksionimit të kuvendeve komunale dhe për të planifikuar hapa konkretë për të ardhmen, në mënyrë që të sigurohet një qeverisje më efikase dhe transparente në nivel lokal.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi ngushëllon familjen Krasniqi me rastin e ndarjes nga jeta të Veteranit të UÇK-së, Abedin Krasniqi 

Kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi përmes një postimi në facebook ka njoftuar …