Se historia, aq edhe krijimtaria jonë popullore-gojore i ruajti personalitetet dhe portretet e femrave, të cilat gjatë shekujve, si nëna, si motra e si bashkëshorte luftuan heroikisht, krah për krah me burrat, vetëm e vetëm që ta mbrojnë dinjitetin e tyre dhe kombin, sa herë që i kanosej rreziku prej pushtuesve dhe abuzuesve të nderit. Portretet e këtilla janë të njohura në faqet më të ndritshme të historisë, në rapsoditë tona dhe në gojëdhëna toponimike, prandaj ky popull kurrë nuk mund t’i shlyejë nga kujtesa Norën e Kelmendit, Bike Aliun, Mizë Micjën, Tringë Smajlin, Shotë Galicën, motrën e Avdi Hisës e Plakën e Musë Tahirit.
Edhe në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të prirë prej komandantit legjendar Adem Jashari, krahas luftëtarëve me pushkë në dorë, krahas burrave e vëllezërve, luftuan ose u gjetën pranë zjarrit të luftës edhe femrat si: Xhevë Lladrofci, Adile, Afete, Blerinë, Fatime, Feride, Hidajete, Igballe, Lirie, Salë, Selvete, Valdete, Zahide, Zarife, Bahtije, Elfije, Elheme, Hafije, Hajrie, Hamide, Hanife, Mihrie e Sabrije Jashari, Anigonë Fazliu, Emsale Frangu, Fatime Hetemi, Gjylsere Sahiti, Hyrë Emini, Hanëmshahe Abdullahu, Jehonë Raka, Luljetë Shala, Lumnije Raka, Male Abdylaj, Melihate Rama, Mervete Maksutaj, Mevlude Mehmeti, Mukadeze Lika, Njomëza Lipaj, Serbeze Gashi, Fatime Bazaj, në krye të të cilave qëndroi heroikisht Aze Brahimaj prej Shqiponje, e në këtë plejadë të zanave shqiptare shquhen edhe luftëtaret e Zonës Operative të Pashtrikut, Brigada 124 “Gani Paçarizi”, Batalioni i Rahavecit, sot dëshmore të kombit Afërditë Sezair Ukshini dhe Hadije Mustafë Spahiu.
Afërditë Ukshini, e njohur në fëmijëri si Dita, por në ditët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit, si Blertë Ukgjini, është e lindur më 25 shkurt të vitit 1976, në Rahavec. Doli prej një familjeje të varfër, por kombëtarisht të fortë. Ukshinët e Rahavecit, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me kohë i dërguan bijtë e vet: Remziun, Sabitin, Mahmutin, Fatmirin dhe Sylejman Ukshinin, veprimtar i shquar dhe luftëtar.
Shkollën fillore, Afërdita e mbaron në Rahavec. Në famijëri, si në familje, ashtu edhe tek dajallarët në Hoçë të Vogël, i binte të dëgjojë për trimërinë e rahavecjanëve të njohur në epikën tonë historike, por dëgjonte edhe për rrezikun që gjithmonë në Rahavec pritej prej çerdheve nacionaliste serbe që vepronin nëpër fshatrat e Anadrinit, si Hoçë e Madhe, Zaçisht, Apterrush, Reti e Bardhatin. Kishte dëshirë të madhe që ta mbarojë gjimnazin, mirëpo detyrohet për ta ndërprerë pasi që gjendja ekonomike në të cilën bjen familja e Sezair Ukshinit, pas ndarjes me vëllezër, nuk premtonte ditë më të mira. Kështu, Afërditë Ukshini detyrohet t’i ndërprejë mësimet në gjimnazin e Rahavecit.
Pas janarit të vitit 1990 ndryshon zhvillimi i dinamikës së ngjarjeve dhe të tërë veprimtarisë politike, veçanërisht në ilegalen e Anadrinit. Marrin përjetësinë dëshmorët e parë të Anadrinit të cilët iu kundërvunë zjarrit të policisë afër fshatit Brestos. Afërdita, si mbesë e fshatit Hoçë e Vogël, më shpesh gjendet në fshatrat e Lugut të Brestosit prandaj edhe i forcon lidhjet me ilegale n e Anadrinit dhe kështu shquhet si vajzë pak më e “rebeluar”, në krahasim me shoqet e gjeneratës, vëhet në shënjestër të policisë dhe detyrohet që më shumë të qëndrojë në Hoçë të Vogël e më pak në vendlindje.
Me të dalë Batalioni i Rahavecit në “Kërshin e Keq”, Afërdita zë të interesohet për t’u rreshtuar, së bashku me shokët e lagjes dhe me kushërinjtë e vet; të bëhet luftëtare e lirisë dhe kështu interesimi i femrave të Anadrinit për t’u radhitur me shokë në luftë kundër pushtuesit serb, nuk mbetet prapa interesimit të femrave të viseve të tjera të trojeve etnike.
Madje në të shumtën e rasteve, shoqet e Afërditës, pra femrat, më me shumë vështirësi i pranonin detyrat në logjistikë, sepse krenaria u dukej më e madhe po të vepronin në operativë, donin që të jenë sa më të barabarta me mashkullin. Si të këtilla, femrat gjendeshin në vijat e para të frontit, gjendeshin edhe në krye të aksioneve të njohura guerile, “duam të jemi aty ku ka zjarr e flakë” – thoshin. Kështu, femra në radhë të parë, si detyrë vë Çështjen e Madhe Kombëtare, duke i matur e ç’matur mundësitë se çka mund të bënte për momentin e caktuar dhe në rrethanat e krijuara. Si të këtilla edhe femrat e Rahavecit, jo rrallë gjendeshin te “Kërshi i Keq”, madje duke intervenuar te komandanti Xhelal Hajda-Toni që t’i pranojë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirëpo, në fillim, njëra prej pengesave kryesore që i doli Xhelal Hajdës ishte infrastruktura dhe mundësitë e tjera shumë të kufizuara në objektet e improvizuara për kazermë.
Madje, në javën e parë të qershorit 1998, nuk ekzistonin as mundësitë minimale për ndërtimin e një dhome të fjetjes, ku kishin për t’u vendosur luftëtaret, prandaj Gëzim Hamza-Piktori e Selajdin Mullabazi-Mici e prolongonin kyçjen e drejtpërdrejtë të luftëtareve të Rahavecit.
Njëra prej femrave të para që u kthye në qytet, për shkak të mungesës së kushteve elementare ishte Emsale Ilaz Shala, për të cilën paramilitarët kishin iformacione se është e lidhur me Shtabin e Batalionit të Rahavecit, prandaj edhe e vranë të parën gjatë ofensivës dhe invazionit që bënë në drejtimet: Lagjja “Ali Sokoli”, “Udha e Bllatës”, “Tumba e Hamzagës” dhe “Kroni i Kajës”. Por, krahas Emsales, u radhitën edhe femrat e tjera të cilat dëshmuan vendosmërinë dhe denjësinë për t’u bërë luftëtare të lirisë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas rënies së femrave Emsale Shala, Dritë Rexha, Fatime Bugari, Sanie Alirifa e tjera, dhe pas masakrave që u bënë mbi popullatën civile të Rahavecit, me rastin e përpjekjeve të Xhelal Hajdës që të depërtojë me batalion në drejtim të Rahavecit, por kah Hoça e Vogël (Luqe, Arnina, Hamocet, Lisi i Bajrakut dhe Rrihjet e Rahavecit), vëhet edhe një kontakt me femrat e Rahavecit që ishin të interesuara për t’u radhitur në formacionet luftarake dhe kështu definitivisht, në fshatin Hoçë e Vogël, ku ishte e vendosur Afërdita, aktivizohet në lëmin e informimit, me detyrë që të veprojë në Rahavec. Kështu, kjo vajzë e formuar dhe e përgatitur për një nusëri të madhe që po i bëhej Kosovës, vendosi të bëhet nuse e lirisë dhe e bashkimit të trojeve etnike.
Në radhë të parë, Afërdita luftëtare, zë të interesohej për fatin e kushëririt, Remzi Sadri Ukshini, prandaj, edhe merr detyrat konkrete për të depërtuar në Rahavec, e të vjelë të dhëna për mundësinë e gjetjes së trupave të pajetë të Remzi Ukshinit, Agim Çelajt, Afrim Fazli Krasniqit, prandaj edhe të dhënat e tjera që kanë të bëjnë me jetën e banorëve të mbetur në “Qytetin e Djegur”.
Në shtator të vitit 1998, pas rënies së Asllan Kleçkës, batalioni i Rahavecit, riarmatoset dhe kthehet në fshatrat e Anadrinit. Depërtohet gradualisht prej Vlanës kah “Qafë-Mullari” e Kushnini për të rënë në fshatrat: Piranë, Krushë e Vogël, Krushë e Madhe, Celinë, Hoçë e Vogël, Nagac, Brestos, ndërsa Afërditë Ukshini gjendet në fshatrat e përmendura dhe vepron për Batalionin e Rahavecit. Edhe gjatë kësaj periudhe të shkurtër, Afërdita është në nivelin e detyrës dhe vepron së bashku me Hadije Spahiun, dëshmore e kombit. Këto janë ditët e rritjes së batalionit të Rahavecit dhe Afërdita është pranë kushërinjve: Sulejman, Mahmut e Fatmir Ukshinin, por pa gjurmë konkrete për Remziun e mbetur që prej luftimeve në Rahavec.
Me riorganizimin e Zonës Operative të Pashtrikut, Afërditë Ukshini fillon lëvizjet më të shpeshtuara në drejtimet: Reti, Samadraxhë, Dabërdelan, Pagarushë, Breshanc e Kasterc, ku qëndronte Shtabi i Zonës Operative të Pashtrikut. Në Kasterc depërtonte prej drejtimeve: Hoçë e Vogël e Reti, por edhe prej Rahavecit kah Dragabili, ku zakonisht e prisnin të gjithë. Por, ajo si përherë, e brengosur për familjen që e kishte lënë në Rahavec, në një lagje me disa çerdhe të spiunazhit, kërkonte mënyrë për ta tërhequr tërë familjen, së paku në fshatin Hoçë e Vogël, veçanërisht vëllezërit Agronin dhe Xhemushin.
Më 22 shkurt të vitit 1999, me urdhrin e Ekrem Rexhës, komandant Drinit, prej Kasterci duhej që të largoheshin të gjitha femrat dhe të shpërndahen nëpër fshatrat e Anadrinit, ku do të jetonin dhe do të vepronin në sektorin civil. Edhe Afërdita tërhiqet prej Kasterci dhe zbret në fshatrat e Anadrinit, sërish vendoset në fshatin Hoçë e Vogël për të bashkëvepruar me motrat Gashi të Krushës së Madhe, me motrat e Nagacit e të Brestosit, por patjetër t’i aktivojë femrat e Rahavecit. Përpiqet disa herë për të depërtuar në Rahavec, me ndihmën e vëllezërve Malësori, Afrimit dhe Gazmendit, të cilët përherë e siguronin dhe e shoqëronin deri te “Rrihjet e Rahavecit”. Në Rahavec, Afërditë Ukshini duhej të sajonte lidhjet e shkëputura me Hadije Spahiun, dëshmore e kombit, Ajshe Sadën dhe Makbule Sylkën, njëra teze e Selajdin Mullabazit – Micit, e tjetra bashkëshorte e luftëtarit Albert Spahiu, prej fshatit Apterush. Kështu, Afërdita zuri ta zgjerojë rrethin dhe të formojë një çerdhe ku do të vendoseshin guerilët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të hynin në brendi të qytetit.
Pas bombardimeve të NA TO-s, aktiviteti luftarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në arealen luftarake të Anadrinit ndryshoi dukshëm.
Objektiv bëhet depërtimi në Rahavec. Kështu, më 1 prill 1999. luftëtarët e lirisë nga Batalioni i Rahavecit me të cilin komandonte Ismet Tara, braktis fshatrat e Anadrinit dhe nën komandën e Tahir Sinanit kalon në fshatin Kleçkë. Por më 4 prill sërish kthehet dhe vendoset në fshatrat Karvasari, Breshanc e Kasterc, në mënyrë që prej Pagarushe, madje edhe nëpërmjet fshatit Shkozë, ky batalion t’i kthehet Anadrinit, por sërish me bazë në Hoçë të Vogël. Afërditë Ukshini edhe më tej pret në Hoçë të Vogël dhe vepron në fshatrat: Celinë, Hoçë e Vogël, Nagac e Brestos. Kalon në Rahavec dhe depërton deri në lagjen “Ambulanca” dhe viziton familjen.
Mirëpo, forcat paramilitare serbe, të informuara mirë për aktivitetin e femrave të Rahavecit, tashmë nuk bëjnë pushkatim e kolektive e masakra, por këto i kryenin me metodën selektive, ngase ishin të informuar mirë për bazat e mundshme. Kështu, zënë Magbule Spahiun, e lindur Sylka, zënë Hadije Spahiun dhe zënë Afërditë Ukshinin (Ditën ose Blerta Ukgjinin), madje çdonjërën pranë familjeve dhe i ekzekutojnë: Hadie Spahiun, në fshatin Fortesë, ku vepronte një bazë e paramilitarëve, ndërsa AfërditëUkshinin dhe Magbule Spahiun, së bashku i ekzekutojnë në varrezat “Lugjet e Verdha” të Rahavecit.
Menjëherë pas ekzekutimit, lajmin e bëri publik polici Agim Isaku, i cili edhe e këshilloi të anë e Afërditës, se cila është procedura për ta tërhequr dhe varrosur të bijen. Këtë lajm e mori edhe Shqiria, nëna e Afërditës, e cila merr Xhemushin e dashur, të vëllanë e Afërditës dhe e kërkon trupin e pajetë të cilin nuk hoqën për ta identifikuar: e zeshkët, e sverdhur, ballgjërë, vetullhollë, syshqiponjë me flokë të gjata lëshuar për shpine, por e vrarë me dy plumba dhe e masakruar në pjesën e epërme të trupit, madje me gjoksin të sakatuar e të prerë, ashtu siç dinë të bëjnë vetëm hordhitë e egra të barbarëve të ardhur prej Karpateve.
Me ardhjen e forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, skuadra e luftëtarit Fahredin Hajda, i vëllai i dëshmorëve Sadedin e Xhelal Hajda, duke i kërkuar vëllezërit e miqtë, Samirin me Xhafer Nurkasën, dëshmorë të kombit, gjen edhe varret e dy femrave të ekzekutuara, Afërditë Ukshini dhe Magbule Spahiu, pranë varrit të Bekim Sylkës e të Selim Berishës. Fahredin Hajda i zhvarros të gjithë, i afron pranë “Kopshtit të Dëshmorëve” që të pushojnë të gjithë së bashku me dëshirë që pasardhësit t’i gëzojnë frytet e gjakut të derdhur për Lirinë e Kosovës. (S. c)