Afërdita Thaçi: Rrini këtu ku është amaneti i heronjve, luftoni që ta fitoni paqen ashtu si luftuam ne për ta fituar lirinë

Afërdita Thaçi: Rrini këtu ku është amaneti i heronjve, luftoni që ta fitoni paqen ashtu si luftuam ne për ta fituar lirinë

Sikur edhe çdo bashkëkombës i imi edhe unë si bija e këtij vendi, patjetër që jam e lumtur për lirinë e fituar, për krijimin e shtetit tonë dhe të gjitha të arriturave të deri tanishme nga paslufta e deri më sot! Mirëpo, vendin tonë gjatë kësaj kohe të marrjes së vetes nga plagët e rënda të robërisë qindra vjeçare dhe shtet-ndërtimit  e kanë përcjellë edhe shumë ngecje në shumë fusha tejet të rëndësishme. Dihet fare mirë se lufta përveç viktimave të shumta dhe të rënëve për liri, shkaktoi edhe dëme të pallogaritshme materiale, ekonomive familjare bizneseve, ishte shkatërrimtare edhe për industrinë që e kishim trashëguar nga ish federata jugosllave.

Paslufta ishte një luftë tjetër për të mbijetuar, për t’i rindërtuar shtëpitë ose për të bërë një strehë për familjen, për ti ushqyer fëmijët, për veshje mbathje dhe për t ‘i shkolluar  ata, për t’ i kuruar të sëmurit dhe të traumatizuarit, si dhe për vazhdimin e jetës në një realitet të ri por me trauma dhe sfida të shumta.

Një gjë e kishim të sigurt, se tani pas gjithë atyre lumejve gjaku të derdhur së fundi por edhe më herët gjatë gjithë historisë, jemi të lirë në tokën tonë, pa u dridhur nga frika se kur do na thyhen portat dhe do na kërcënohen jetët nga ata që ikën si humbës, por që lan prapa shumë gjurmë që nuk shlyhen kurrë për jetë të jetëve, duke i kujtuar  brez pas brezi të gjitha mizoritë që na i shkaktuan.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kishte shpresa se ky vend do drejtohej drejt, do punohej për mirëqenien e popullit, për prosperitet, për zhvillim , ngritje dhe mbështetje ekonomisë së mundshme, ngritjen e industrive të shkatërruara, me ndihmën e bashkësisë evropiane, investimeve të huaja dhe kredive afatgjate. Kishim besim se kështu do të hapeshin vende pune për një ushtri të rinjsh e të rejash të afta për punë dhe aftësim profesional në të gjitha drejtimet.

Kaluan shumë vite nga paslufta, dhjetë, pesëmbëdhjetë … njëzet!

Të rinjtë  tanë dita ditës po e linin vendin duke i mësyer dyert e botës në të katër anët e saj. Ata tanimë ishin lodhur nga pritjet e pashpresa dhe të pangushëllueshme. Qindra e mijëra nga ata emigruan drejt Evropës dhe Amerikës e më gjerë për të mos u kthyer më kurrë. Pas shumë peripecive dhe sfidave të papërshkrueshme, shumë nga ata sot janë shtetas të huaj, e kanë braktisur edhe shtetësinë e Kosovës, kanë krijuar familjet e tyre dhe fëmijët po i rrisin dhe edukojnë në gjuhët e shteteve pritëse, duke qëndruar indiferentë drejt asimilimit të tyre.

Shumë herë edhe vet i kam mirëkuptuar ata dhe familjet e tyre. Varfëria e skajshme dhe situata pa shtegdalje të shtyjnë të dalësh nga vetja.

“Skamja është derë e hekurt” e thotë populli!

A nuk është e frikshme kur dikujt i prekej një anëtar i familjes, nga një sëmundje e pashërueshme në kushtet spitalore të vendit, e që trajtimi në spitalet e regjionit kërkon shuma të paarritshme dhe të papërballueshme për familjet tona. Kur dihet se në shtetet e perëndimit këto gjëra i kanë të siguruara dhe të garantuara nga shteti. Nuk është se nuk e kisha menduar deri dje edhe unë ikjen nga këtu. Të i bashkohem atij “kortezhit” të pafund të të ikurve drejt rrugëve të azilit e të refugjatit /”kah të më udhëzon fati i jetës”!

Mirëpo, diçka e madhe shumë më e madhe, se dëshira për të ikur drejt një jete më të mirë, më thërriste nga thellësia e damarëve dhe dejeve të stërngopura të kësaj toke e të këtij dheu me gjakun e heronjve.

Më thërrisnin bijat dhe bijtë e rënë, motrat dhe nënat e dhunuara …….. mos na lini vetëm në varre, mos na braktisni, përse e dhamë jetën ne, për këndë ramë me gjitha këto plagë në trup,  më thërriste BABAI im, dëshmor,  HALIL THAÇI.

Rrini, se këtu është amaneti i heronjve, luftoni që ta fitoni paqen ashtu sikur e fituam ne lirinë. Punoni e rendituni kush punon më mirë dhe më me dashuri për shtetin, për Kosovën tonë të shtrenjtë!

Ta bëjmë pra së bashku shtetin, ta duam, ta përqafojmë idenë e ndërtimit, progresit, ta bëjmë për fëmijët tanë, për buzëqeshjet e tyre, për ardhmërinë e ndritur që e pret këtë vend! Mos të pyesim vetëm “çfarë bën shteti për mua, por edhe çfarë unë jam i gatshëm të bëjë për shtetin”.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …