Afganistani, 40 vjet luftë e një populli të pamposhtur kundër dy superfuqive botërore

Afganistani, 40 vjet luftë e një populli të pamposhtur kundër dy superfuqive botërore

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF, ka bërë të ditur se  viti 2018 në Afganistan është regjistruar me  një thatësirë ​​e madhe si kurrë më parë. Në deklaratë thuhet se rreth gjashtë milionë njerëz, gjysma e të cilëve janë fëmijë, kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare, raporton Anadolia. Alison Parker, përfaqësues i UNICEF në Afganistan, tha se luftërat në atë vend, të cilat kanë qenë të vazhdueshme për 40 vjet,  kanë lënë pasoja të tmerrshme për të gjithë njerëzit, veçanërisht për fëmijët. Viti 2018 ishte veçanërisht i vështirë për shkak të dhunës, konfliktit, thatësirës së lartë, mungesës së ushqimit dhe rritjes së varfërisë. Më shumë se tre milionë fëmijë nuk mund të ndjekin shkollën, nga të cilat gati 60 për qind janë vajza.

Në tre muajt e parë të këtij viti gati 5.000 fëmijë u vranë dhe u plagosën, gjë që është e barabartë me numrin e vitit të kaluar.

Lufta pushtuese në atë vend e dy fuqive më të mëdha të botës, në fillim Bashkimi Sovjetik e sot Amerika,  në vitin 2019 do të hyjë në vitin e 40-të. Zëdhënësi i UNHCR Babar Baloch tha se agjencia nisi një sulm ajror mbi ndihmën për të ndihmuar njerëzit e Afganistanit që po përballen me konfliktin dhe thatësirën.

40 vjet luftë heroike e mbarë një populli për ta ruajtur dinjitetin, kombin, gjuhën, fenë, traditat, janë faktet që tregojnë se vullneti i popullit për të jetuar i lirë, sipas kulturës e bindjes së tij, është vullnet i pamposhtur, në këtë rast  është ADN-ja kombëtare e njerëzore e një populli historik, i cili shtetin e vet të parë e ka themeluar para 2.500 viteve, duke ndërtuar thellë në qenie bazamentin e kulturës autentike, e cila nuk ndërron kah fryn era, por përballet kundër imponimit  me tërë fuqinë e vet  dhe nuk ka forcë që e shkul me rrënjë, sepse ka rrënjë mijëravjeçare.

40 vjet luftë e një populli heroik kundër tërë botës, kundër dy fuqive më të mëdha imperialiste të botës,  këtë mund ta bëjë vetëm një popull i pamposhtur, pavarësisht luftës së ndyrë speciale që bëjnë mediet e maga-kapitalit botëror,   duke i paraqitur luftëtarët e lirisë, terroristë, gjakësorë, dhunues dhe  fyerje e përbuzje të tjera, për të mbuluar krimet e shëmtitë e tyre monstruoze,  vrasjen e më shumë se 800.000 fëmijëve dhe disa miliona pjesëtarëve të këtij kombi heroik.

Dhe, bota e quajtur përparimtare e demokratike hesht, sepse po thuajse ka vdekur krejtësisht ndërgjegjja humane, ka vdekur ajo, e cila mbanë baraspeshën e jetës dhe i jep kuptim asaj.

Propaganda, në këtë rast antinjerëzore, ka bërë të veten dhe ka arritur që luftëtarin “taliban” ta përshkruajë si monstrum, sepse “vret veten dhe të përvëlon ty”, sepse nuk ka armë as forcë të luftojë ndryshe, të luftojë i barabartë, sepse lufton një kundër njëqindëve, lufton edhe kundër mercenarëve e vasalëve nga radhët e veta, të cilët çdo regjimi të huaj i kanë thënë dhe i thonë, “bujrum, lepe-peqe”.

Shembulli i Afganistanit është shembulli unik i luftës pushtuese, e cila kurrë nuk kurorëzohet me sukses. Nuk është me rëndësi sesa forcë numerike disponon një popull, por është me shumë rëndësi sa ka forcë mobilizuese brenda vetes, sa ka dinjitet, nder, respekt për veten, kulturën, traditën dhe fenë e vet dhe sa është i gatshëm të sakrifikojë për t’ i ruajtur ato vlera autentike, të cilat bota tjetër, bota e forcës shkatërrimtare e virulente nuk i pranon, sepse i bëhen pengesë në përpjekje për ta sunduar botën, sipas bindjes, fesë dhe vullnetit të vetë.

Shembulli i Afganistanit flet vetë, i flet secilit popull që pretendon ta marrë në duart e veta fatin e ardhmërisë së vet, por kjo flet edhe për sakrificën e madhe që i kushton çdo populli liridashës në botë.

Po bëhen dyzet vjet qyshkur afganët po luftojnë për lirinë e tyre, kanë luftuar dhe po luftojnë me perandoritë më të mëdha të botës. Me këtë nivel të luftës dhe përkushtimit për liri, me këtë qëndresë të pamposhtur 40-vjeçare, ata kanë tejkaluar kuptimet e krahasimet historike që i njohim ne, sikur i njohim  ato trimëritë e spartanëve e të  skitëve.

Kjo qëndresë titanike, përmbajtja e së cilës  për ditë deformohet nga megamediet e kapitalizmit e imperializmit është e pashembullt në historinë tonë më të re. Ajo ka tejkaluar luftën disavjeçare të Vietnamit, luftën antikoloniale të Algjerit, dhe në një segment barazohet me luftën 40-vjeçare të Ali Pashë Tepelenës kundër Perandorisë Osmane,  i cili  në të njëjtën kohë luftonte edhe kundër forcave ruse në Ballkan por edhe kundër forcave të Napoleon Bonapartit.

Pavarësisht se opinioni i manipuluar në shumë pjesë të botës mendon se atje po zhvillohet një luftë fetare, e vërteta lakuriqe është se afganët po bëjnë një luftë për ta mbrojtur qytetërimin e tyre, fenë e traditat e tyre, të cilat i çmojnë si të vetat, si vlera të qytetërimit të tyre të mbuluar,  jo lakuriq. Ata, luftojnë për Afganistanin e lirë dhe jo për Sheriatin sikur iu përshkruhet, edhe pse me luftën e tyre, ata me të drejtë mbrojnë edhe fenë e tyre, modelin e tyre të jetesës, i cili nuk bie në akord me modelin perëndimor, edhe pse një pjesë e madhe e pjesëtarëve të këtij populli jeton sipas traditave kulturore turke e evropiane.

Qëndrimi pro apo kundër luftës së talibanëve në Afganistan është e drejtë e gjithsecilit që mendon me kokën e vet dhe jo me mendjet e paragjykimet e të tjerëve. Përkrahja e çdo lufte çlirimtare në botë është përkrahje, parimore e njerëzore,  që duhet ta bëjnë forcat e vërteta demokratike të botës, të cilat në emër të demokracisë nuk  lejohet të kërkojnë, që popujt të jetojnë sipas modeleve të imponuara të qeverisjes.

Afganët janë popull heroik dhe nuk ka forcë që del fituese duke i nënshtruar ata. Këtë e ka treguar historia e tyre 2500 vjeçare, e ka treguar tërheqje me turp e forcave të Bashkimit Sovjetik pas luftës 10-vjeçare. Një ditë edhe forcat e sotme pushtuese do të detyrohen të largohen, sepse një popull që nuk është dorëzuar 40 vjet  kundër dy forcave më të mëdha të botës, ai nuk dorëzohet as për 400 vjet.

Përkrahja, qoftë edhe verbale e kësaj lufte, te ne në Kosovë anatemohet dhe përnjëherë të shpallin taleban, mirëpo e vërteta  është kjo që është, dhe kjo që e kemi provuar mbi kurrizin tonë gjatë shekujve. Vetëm sepse kemi qenë shqiptarë të pabindur ndaj fuqive të huaja kemi luftuar në shekuj kundër Romës, Bizantit, Turqisë dhe sllavëve të Ballkanit. Edhe lufta jonë e drejtë është parë me përbuzje nga të gjitha ato perandori dhe fakti se së fundi na ka ndihmuar Amerika të çlirohemi nuk të thotë se gjatë tërë historisë së ardhme të mbetemi rob të tyre. Këtë nuk kërkojnë amerikanë e vërtetë, nuk e kërkojnë ata që ia dinë vlerën lirisë. Është e tmerrshme dhe mizore kur bota hesht për vrasjen e 800 mijë fëmijëve në Afganistan. Edhe ata janë njerëz. Edhe ata duan të jetojnë, por sipas modelit të tyre të jetesës, të trashëguar nëpër shekuj, e jo sipas modeleve të imponohen, sidomos jo kundër modeleve që imtohen me tytën e armëve dhe me përpjekje për zhdukjen e tërë një populli.

E pranoj faktin se jemi populli më pro-amerikan në botë, por kjo ka të bëjë me popullin e Amerikës, kjo nuk do të thotë se duhet doemos të përkrahim të gjitha politikat amerikane, sepse ato ndërrojnë në çdo katër apo tetë vjet edhe shumë nga ato nuk i përkrahin as  vetë amerikanët.

Por nuk duhet harruar as edhe faktin se disa shekuj rresht kemi qenë populli më pro-turk në tërë Perandorinë osmane, duke përjashtuar luftën e Skënderbeut, dhe rizgjimin kombëtar në shekullin 19-të.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …