Beteja e Prekazit, e zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ishte njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare e historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët, duke filluar prej Legjendarit, Adem Jashari, pastaj Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe duke u zgjeruar në tërë lagjen.
Për tri ditë rresht mbi shtëpitë dhe mbi anëtarët e këtyre familjeve u zbrazën të gjitha llojet e municionit të armëve të makinerisë së krimit serb. Ranë për të fituar përjetësinë 20 pjesëtarë të familjes së ngushtë të legjendarit Adem Jashari, 12 pjesëtarë të familjes së Sadik, Hamit e Qerim Jasharit, 11 anëtarë të familjes së Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit dhe dhjetëra anëtarë të kësaj lagjeje të Prekazit. Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave prej fëmijëve e vajzave të mitura deri te gratë, plakat e pleqtë. Ranë në këtë mes edhe të gjithë ata që rezistuan me armët, që kishin dhe që për asnjë çast nuk u ligështuan dhe nuk u dorëzuan. Andaj Prekazi mban në vetvete realitetin dhe legjendën, historinë e luftës dhe të mbijetesës, historinë e dhembjes dhe të krenarisë, historinë më autentike të kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare, sepse UÇK-ja u lind me Adem Jasharin, u rrit dhe formësua me të dhe përballoi betejën vendimtare të historisë së vet me të gjithë Jasharët, të cilët qëndruan dhe luftuan trimërisht e heroikisht dhe ranë për të mos lejuar të vdiste Kosova.
Afija u lind më 6 tetor të vitit 1937. Ishte bija e Ademit nga fshati Likoshan. Qysh e re kishte përjetuar dhunën brutale të forcave partizane të Titos e të Rankoviqit, gjatë luftës heroike të Shaban Palluzhës, në vitin 1945, në të gjitha fshatrat e Drenicës. Aasokohe Afija ishte vetëm tetë vjeçe.
Prindërit e kishin martuar me Sadik Qerim Jasharin e Prekazit. Gjatë jetës bashkëshortore me Sadikun ajo lindi dhjetë fëmijë: pesë djem e pesë vajza, të cilët i rriti me kujdesin e nënës së dashur, trime dhe punëtore.
Ajo ishte në dijeni se burri i saj, Sadiku, pastaj kunetërit dhe bijtë e tyre ishin të organizuar dhe vepronin me bërthamën e parë të luftës për liri, në krye të së cilës ishte Adem Jashari, kushërir i burrit të saj. Ajo dinte, po ashtu, ta mbante edhe sekretin për lëvizjet ilegale të burrit, kunetërve dhe bijëve e bijave.
Më 31 dhjetor të vitit 1991, me rastin e rrethimit e më pas edhe sulmit të forcave serbe kundër familjes së Shaban Jasharit, oda e Sadik Qerim Jasharit dhe e Afijes ishte kthyer në depo armësh, por edhe vend ku organizonin takime, Musa e Sahit Jashari, nipat e Sadikut, të cilët ishin të organizuar në bërthamën e komandantit, Adem Jashari.
Sadiku asokohe bënte roje dhe përcillte lëvizjet e forcave ushtarake e policore serbe, të cilat ishin stacionuar në Fabrikën e Municionit, e cila ndodhet përballë lagjes Jashari në Prekaz.
Pas tërheqjes me turp të forcave serbe, në dhjetor të vitit 1991, Sadik Jashari dhe të gjithë Jasharët e kishin kuptuar tashmë se lidhja me njëri-tjetrin dhe reagimi kolektiv kundër pushtuesit kishte dhënë rezultatet e para. Qysh nga ajo kohë, fillon edhe rritja e besimit për rezistencë të armatosur, ndërsa Ademi, Hamza, Musa, Sahiti e të tjerë tashmë jetonin dhe vepronin në kushte fshehtësie.
Forcat policore serbe nuk do të hynin më në Prekaz deri në fillim të vitit 1998.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, forcat ushtarake dhe policore serbe, rreth orës 6 të mëngjesit kishin filluar sulmin e furishëm mbi lagjen Jashari të Prekazit, duke goditur të gjitha shëpitë e lagjes me armë të rënda të artilerisë, me tanke e topa të kalibrave të mëdhenj dhe me të gjitha llojet e armëve, që kishin në dispozicion. Ata kishin rrethuar lagjen nga tri anët dhe nuk lejonin të depërtonte askush, qoftë edhe për të sjellë ushqime apo barna.
Paraprakisht, serbët kishin vendosur një njësit tankist nga ana lindore e lagjes dhe në një distancë prej 200 metrash kishin filluar goditjen e shtëpive ku ndodheshin nën rrethim të hekurt fëmjët, gratë e burrat e të gjitha shtëpive të lagjes Jashari. Epiqedra e sulmit ishte në shëpinë e Shaban Jasharit dhe në shtëpitë e Sadik, Hamdi e Qerim Jasharit, në shtëpinë e Halit Jasharit, të cilat ndodheshin krejt afër pozicioneve të forcave serbe. Pastaj ishin goditur të gjitha shtëpitë e lagjes. Në secilën nga këto shtëpi kishte nga 10 deri njëzet anëtarë familjesh të ngujuar në rrethim dhe të bombarduar pandërprerë për tri ditë rresht. Në betejën heroike të Jasharëve të Prekazit më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ka rënë Sadik Jashari me bashkëshorten e tij, Afijen, bijtë Hamdiun dhe Ramizin, bijat Elfijen dhe Fatimen.
Nga kjo vëllazëri, gjatë atyre ditëve të rezistencës heroike, kanë rënë edhe Hamit Qerim Jashari, Qerim Hysen Jashari, Shahin Qerim Jashari, Ukshin Qerim Jashari, Salë Jashari, bashkëshortja luftëtare e Hamit Jasharit dhe Hajrije Jashari. Gjatë betejës kanë rënë edhe: Isak Halili, nipi i familjes dhe miqtë e kësaj familje që u gjendën nën rrethim, Fatime Bazaj dhe Smajl Bazaj.
Afije dhe Sadik Jashari kanë lënë bijtë: Avdiun, Xhemajlin dhe Arsimin, si dhe bijat: Sanijen, Remzijen, Shehiden dhe shumë nipa e mbesa. Familja e Sadik Jasharit e cila aktualisht jeton dhe punon në Austri ka përsëritur emrat e Sadikut, Afijes, Elfijes dhe Fatimes. Familja ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së QPK, nga Zona Operative e Drenicës dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. Emrat e dëshmorëve të kësaj familjeje, janë skalitur mbi varrezat e tyre në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz. (A. Q.)