Prof. Ahmet Qeriqi
24 dhjetor 1946 – 07 mars 2025
Ka ndërruar jetë në moshën 79 vjeçare drejtori i Radio Kosova e Lire, profesor, Ahmet Qeriqi.
Ahmet Qeriqi, ka lindur në Krojmir të Drenicës jugore. Ishte një figurë e njohur e veprimtarisë kombëtare, që nga lindja e deri në ditën kur ndërroj jetë.
Baca Ahmet, ishte aktiv në veprimtari ilegale që nga vitet 1960-ta, duke bashkëpunuar ngusht me figura të njohura të kohës, përfshirë formimin e Organizatës për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar. Ai vuajti dënime të shumta për veprimtari politike dhe propagandë armiqësore, duke kaluar një periudhë të gjatë në burgje të ndryshme të ish Jugosllavisë.
Përveç angazhimeve politike dhe edukative, Ahmet Qeriqi ishte kontribues i madh në organizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku nga Shtabi i Përgjithshëm u caktua përgjegjës i Radio Kosova e Lire , si njëri prej themeluesit të saj, dhe e udhëhoqi me përkushtim të madh gjatë luftës e deri në ditën e vdekjes së tij.
Ahmet Qeriqi është autor i dhjetra monografive dhe veprave letrare, qindra analizave, komenteve e shkrime të ndryshme. Shkrimet e tij do të mbeten aset kombëtar për brezat e tashëm dhe të ardhshëm të kombit tonë. Një mori të librave të bacës Ahmet, më kanë shërbyer si referenca në botimet e dy monografive, asaj të masakrës së Abrisë, dhe asaj të masakrës së Poklekut, përçka i jam shumë mirënjohës.
Ahmet Qeriqi ndërroi jetë më 7 mars 2025, duke na lënë pas një trashëgimi të madhe kombetare.
Baca Ahmet, faleminderit shumë dhe pafundsisht, për gjithë kontributin e dhënë, në rrugëtimin e gjatë e të mundimshëm, herë-herë me jetë a vdekje në angazhimin tuaj, për çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Familjes Qeriqi, farefisit, miqëve, bashkëpuntorëve dhe bashkëluftëtarëve, ju shpreh ngushëllimet e mia më të përzemerta!
T’pushoftë shpirti n’paqe e n’parajsë, Baca Ahmet!