Lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës mori forcë, vrull e gjak të kulluar nga bijtë e Kosovës të mërguar anekënd Evropës, të cilët iu përgjigjën kushtrimit të luftës për liri. Liria e triumfuar në qershor të vitit 1999 mban edhe vulën e artë të fitores të arritur me gjakun e atyre që iu kthyen vatrës ku kishin lindur e rritur. Shumë prej tyre u flijuan atje ku tokën shqiptare i ndante kufiri i hekurt shekullor i mbjellur nga pushtuesi serb. Ky kufi ishte edhe sfida e parë e çlirimtarëve të cilët po vinin për t’i dalur zot Kosovës,me forcën e armës e të zemrës. Njëra prej pikave strategjike ku duhej të sfidohej ky kufi i vuajtjes e robërisë ishte edhe Kosharja legjendare. Prandaj, sot ajo nuk është vetëm një kuptim gjeografik, apo vetëm një emërvendi, por edhe simbolikë e gjakut të derdhur të qindra dëshmorëve të kombit për lirinë e Kosovës. Njëri prej tyre është edhe dëshmori Afrim Gashi, i cili bashkë me Xhafer Lipovecin nga Mitrovica, Tafil Osmanin nga Gjakova, Afrim Stojakun nga Arbana e Prizrenit, Aziz Gashin e Balincit të Malishevës, Bejtë Kajdomçajn nga Dedaj e Gjakovës, Fatos Limanin e Prishtinës, Fisnik Ibrahimin e Sharrit, Hysni Temajn e Kuzhninit të Prizrenit, Ilir Hoxhën e Arbanës së Prizrenit, Izet Morinën e Astrazubit të Malishevës, Leonard Palucajn e Klinës, Luan Gashin e Hoçës së Vogël të Rahavecit, Mejdi Koranin e Pozheranit të Vitisë, Sali Çekajn e Broliçit të Pejës e dëshmorë të tjerë u bë gurthemeli i lirisë së Kosovës, më 19 maj të vitit 1999.
Dëshmori Afrim Gashi ishte fëmija i shtatë ndër tetë fëmijët e prindërve Xhafer e Ramize Gashit nga Hajvalia e Prishtinës. Ai lindi më 15 qershor të vitit 1969. Në shkollën fillore të fshatit “Shkëndija” kreu shkollimin fillor, ndërsa të mesmin e kreu në gjimnazin “Xhevdet Doda” të Prishtinës.
Siç dihet fundi i viteve ’80 të shekullit 20 ishin vitet e një robërie të rëndë për Kosovën, prandaj kjo robëri po rëndonte edhe mbi Afrimin. Si për çdo të ri shqiptar në Kosovë, prandaj në ato rrethana edhe për Afrimin nuk kishte asnjë mundësi të hapur, asnjë perspektivë dhe asnjë të ardhme. Për më tepër, pasi kryen shkollën e mesme, ai ftohet të shkojë në shërbimin ushtarak në armatën jugosllave, e cila në atë kohë ishte bërë varrmihësi i të rinjve shqiptarë. Shtypja dhe urrejtja antishqiptare të përjetuara në këtë armatë, Afrimit ia kultivojnë edhe më thellë ndjenjën e urrejtjes për armikun serb. Këtë ndjenjë ai kishte provuar ta materializojë edhe në aksionet e organizuara me një grup shokësh të fshatit, kundër njësive të plicisë speciale serbe, të cilat kishin vendosur bazat në fshatin Hajvali qysh prej vitit 1981, pas valës së demonstratave masive për Republikën e Kosovës.
Meqenëse në fund të dhjetëvjetëshit të nëntë të shekullit 20 kishte marrë hov emigrimi jashtë atdheut i të rinjve shqiptarë, këtë rrugë kishte marrë edhe Afrimi. Në vitin 1989 ai vendoset në Belgjikë ku me mallin e pashuar e me shqetësimet e përhershme për Kosovën qëndroi deri në pranverën e vitit 1999, kur në atdhe po kthehej si ushtar lirie.
Afrimi, nga Belgjika,në mesin e shumë bashkëluftëtarëve arrin në Tiranë dhe prej atje shkon në frontin e luftës të UÇK-së në Koshare, ku ishte planifikuar thyerja e kufirit. Atje radhitet në Batalionin e Katërt të Brigadës 138 të UÇK-së. Atje ai dëshmon trimëri e vetëmohim për ta fituar luftën me çdo kusht. Këto cilësi të luftëtarit të lirisë, Fatmiri i tregoi me aktin sublim të flijimit, më 19 maj të vitit 1999, në betejën e Koshares e cila kishte mbi dhjetë ditë që po vazhdonte me ashpërsi të konsiderueshme, meqenëse thyerja e kufirit ndërmjet shqiptarëve kishte hyrë në fazën finale. Pushtuesi serb dhe trupat e tij u thyen me turp nga sulmi i pazbrapsur i Afrimit dhe bashkëluftëtarëve të tij, të cilët kishin shkuar në front me një mendje: të fitojnë ose të vdesin.
Dëshmorin Fatmir Gashi, bashkëluftëtarët e varrosën në varrezat e dëshmorëve në Koshare. Në këtë pjesë të tokës arbërore trupi i tij vazhdon të pushojë i qetë, sipas porosisë që kishte lënë ai me rastin e inkuadrimit në fushëbetejë. Ai u kishte thënë shumë herë bashkëluftëtarëve: Në qoftë se bie në tokën e Kosovës, aty dua të më varrosni. Nëna e tij, Ramizja, edhe pse në moshë të thyer, në çdo përvjetor të flijimit, çdo 19 maj të pasluftës, e ka vizituar varrin e të birit në Koshare, mbi të cilin nuk ka derdhur lot vaji, por ndjenjë amësie duke ia bërë hallall qumështin e gjirit.
Dëshmori Xhafer Gashi ka dhënë shembullin e sakrificës për kauzën e lirisë së kombit. Themelet e përcaktimit, vendosmërisë dhe edukatës së tij atdhetare mbështeten edhe ne historinë e familjes së tij, e zbritur nga Mramori në Hajvali disa vite para lindjes së Fatmirit. Gjyshi i tij, Arifi, ishte shquar në rezistencën e lëvizjes kombëtare kundër pushtimit serb, për ç’arsye ne vitet ’30 të shekullit 20 edhe detyrohet të largohet për disa vite rresht nga Kosova për në Shqipëri. (N. M.)