Ditët dhe netët në karantinë i ngjajnë një topi të vogël dëborës i cili lëshohet nga lartësia dhe rritet gradualisht derisa të arrijë në pikën e ndaljes, që do të thotë edhe pandemia covid19 patjetër do të ndalet e do ” shkrihet dhe zhduket ” një ditë.
Ky ndryshim drastik nga liria në izolim përshkoi emocione të përziera mes dëshprimit, frikës dhe shpresës tek qytetarët tanë për shkak të kufizimit të lirisë së lëvizjes, por sigurisht nuk jemi të vetmit që jemi duke e vuajtur këtë gjendje të krijuar jo për fajin tonë, e gjithë bota është duke u përballur dhe duke luftuar pandeminë. Fillimin dhe fundin e disa gjërave sigurisht e dimë, por pjesa më e vështirë tek shumica e njerëzve sot mbetet kontrollimi i emocioneve dhe menaxhimi i kohës brenda asaj sprove.
Dëgjova në një radio shqiptare, se si një dëgjues kërkonte në emision të jepej hapësirë një orë e caktuar, ku qytetarët do të konsultoheshin me psikologun për shkak se kanë filluar të lodhen mendërisht nga karantina, ky sugjerim është i mirë sepse është normale kur njerëzit qëndrojnë për shumë kohë mbyllur dhe të kufizuar pa aktivitete në natyrë. Por, mos të harrojmë ka plotë njerëz që me vite jetojnë nëpër burgje dhe se janë të privuar nga liria me të drejtë apo pa të drejtë, apo njerëzit të cilët sëmundja i ka lidhur për shtrati dhe në atë gjendje jetojnë me vite të mbyllur brenda, për pak çaste në këto ditë karantine të futemi në këpucët e tyre dhe të vlerësojmë situatën drejtë se si është të jetosh i mbyllur dhe i privuar nga diçka që na pengon, e përgjatë kësaj kohe ta bëjmë një orar si ai i shkollës fillore kur si të vegjël planifikonim se çfarë detyra kemi për sot dhe çfarë do të bëjmë nesër. Kaq, të lëmë anash planifikimet semi vjetore apo vjetore.
Buda, në njërën nga thëniet e tij thoshte: ” Sundo mendjen ose mendja do të sundojë ty “.
Mendja, di të jetë miku juaj më i mirë ose armiku juaj më i keq, varet si e mësoni dhe ushtroni atë. Në momente të tilla izolimi ose vështirësish asnjëherë mos mbingarkoni veten duke menduar për situata të paqena që nuk ekzistojnë në realitetin e ri në të cilin po jetojmë, thjeshtë adaptohuni, shikoni anën pozitive të ngjarjeve, ktheni disavantazhet në avantazhe dhe përfitoni nga ky izolim duke mësuar gjëra të reja.
Shkathtësi është edhe menaxhimi i emocioneve dhe situatave kur nuk kemi në dorë asgjë tjetër përveçse durimit, të ndajmë emocionet dhe logjikën duke shikuar anët e ndritshme dhe pozitive të ngjarjeve.
Gjatë jetërave tona do të përballemi me ulje dhe ngritje, nëse shtohen vështirësitë dhe frika, ta shtojmë fokusin, mos të lejojmë që paniku të na largojë vëmendjen e zgjidhjes së gjërave.
Të gjithë jemi në të njëjtën anije dhe se së bashku do ta kalojmë edhe këtë stuhi të pandemisë.
Të mos ngarkoni veten me të kaluarën që iku dhe u harrua, ajo nuk kthehet dot dhe se e nesërmja është e panjohur për ne, e në vend të këtyre dyjave, ta jetojmë të sotmen sepse kjo është dhurata jonë, ta mbushim atë me gjëra të bukura.
Për fund, lejoni të binë gjërat në vendet e tyre, disa procese as nuk ngadalësohen dhe as nuk përshpejtohen, prandaj, jepni kohës pak kohë dhe do të bindeni se gjithçka do të rregullohet.
16. 4. 2020