Dëshmori Agim Mazrekaj ka lindur në fshatin Sllup të Deçanit më 27 nëntor 1970, në vigjilien e Festës së madhe të Flamurit. Prindërit e tij, Abazi ” e Zyma kishin shtatë fëmijë. Agimi ishte fëmija i tretë i tyre. Ai është vëllai i dëshmorit Tahir Mazrekaj, i rënë më 23 prill të vitit 1998 në Koshare.
Shkollën fillore e kreu në fshatin Drenoc, ndërsa të mesmen në Deçan. Që në vegjëli dallohej për guxim dhe interesim për të ardhmen e mirë të atdheut. Për kafshatë buke vajti në mërgim, meqenëse pushtuesi shekullor serb e kishte lënë prapa zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke ia rrëmbyer pasurinë pa mëshirë e duke e lënë popullatën e saj me mundësi të kufizuara të jetesës të pasurisë së thjeshtë bujqësore-blegtorale në mjerim, sidomos trevën e rrëzë bjeshkëve të Nemuna, nga shkaku i tokave të pamjaftueshme frytdhënëse.
Gjatë një dasme, në vitin 1990, Agimi u plagos nga policia serbe, kur prej tij u kërkua dorëzimi i flamurit kombëtar, i cili sipas zakonit valonte në ballë të kolonës së krushqve. Ai u rrah brutalisht në prani edhe të familjes, me ç’rast në vetëmbrojtje e sipër plagos një polic, pas së cilës ngjarje arrestohet dhe dërgohet në spitalin e Pejës për shërim.
Megjithëse ik nga spitali, spiunimet bëjnë që atë ta gjejnë te tezja, të cilën policia e maltretoi bashkë edhe me të birin, Ramizin, për shkak të strehimit të Agimit. Agimin e riarrestuar e torturojnë brutalisht para se ta lirojnë. Pastaj, duke qenë gjithnjë nën vëzhgim, detyrohet të emigrojë në Zvicër. Edhe atje do të jetë aktiv në tubime dhe protesta antiserbe dhe bashkë me të vëllanë, Tahirin, kthente shpesh në Kosovë, ilegalisht.
Në dhjetor të vitit 1994, së bashku me vëllain, Tahirin dhe me mikun e shokun, Avdyl Mushkolaj, kthehet ilegalisht në atdhe. Ata i kishin përcjellë djemtë e Hamëz Bajramit nga Padeshi, e sidomos Besmiri, shtëpia e të cilit ishte vatër e UÇK-së së ardhshme.
Arrin në atdhe për ta kryer një aksion kundër kriminelit serb me famë të keqe, i quajtur Zharku. Mirëpo, moti i vështirë pengon në kryerjen e këtij aksioni, ndërsa herën tjetër pas gjashtë muajsh, polici shpëton në saje të informacioneve të sigurta që kishte marrë për aksionin e planifikuar kundër tij.
Me rastin e ardhjes në Kosovë, në prill tvitit 1995, Agimi insiston të bëhet organizimi ushtarak, duke bashkuar dhe organizuar sa më shumë bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë. Në kalimin disa herë të kufirit famëkeq shqiptaro-shqiptar, ai kishte ndihmën e shokut të vëllazëruar e të familjarizuar nga Tropoja, Shkëlqim Hajdarmetaj, nga Zogaj, i cili sot i kujton fjalët e fundit lamtumirëse të Agimit, të thëna në vijën kufitare: “Herën e fundit, në ndarje, Agimi puthi tokën e ndarë padrejtësisht dhe tha: Ah, tokë e shenjtë arbërore, gjithsesi do të ribashkohesh, me gjithë tmerret që do të shkaktojë lufta e armatosur … !
Ndërsa, pas rënies heroike të të vëllait, Tahirit, më 23 prill 1998, Agimi i kishte thënë motrës sime në Ballaban të Tropojës: Do ta çoj në vend amanetin e vëllait e të të gjithë dëshmorëve, qoftë nevoja të bie edhe vetë!”.
Në fillim të luftës heroike të UÇK-së, Agimi kthehet me padurim në Kosovë dhe inkuadrohet në luftën çlirimtare më 4 qershor 1998 në shtabin lokal të Vokshit në Zonën e Dukagjinit.
Dy ditë para rënies, Agimi merr pjesë në një betejë kundër trupave serbe, me çvret dy çetnikë serbë në lagjen Nitaj të fshatit Voksh. Pas kësaj beteje realizon një vizitë në komandën e Zonës së Dukagjinit të UÇK-së, i mbushur me vrull e forcë luftarake. Gjatë kthimit në vendin ku ishte i sistemuar, i ngarkuar me detyrën e bartjesë municionit ushtarak të sjellë nga Sllupi, në fshatin Voksh, në hyrje të lagjes Nitaj bie në pritë dhe plagoset rëndë. Nga plagët e marra mbyll sytë në duart e bashkëluftëtarit të ngushtë, Avdyl Mushkolaj dhe kështu hyn në përjetësi, duke u radhitur në radhën e figurave të ndrutshme të dëshmorëve të atdheut.
Dëshmori Agim Mazrekaj, ishte luftëtar i dalluar, i vendosur dhe i gatshëm për betejë e për detyra ushtarake. (Z. Gj.)