Agim Aliu betohet si Kryetar i Komunës se Ferizajt edhe për katër vitet e ardhshme

Kuvendi Komunal i Ferizajt, gjatë ditës së sotme ka mbajtur seancën inauguruese për mandatin katërvjeçare. Para fillimit të kësaj seance, numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar nga bashkëpunëtoret e tij, ka bërë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizajt.

Pas kësaj ka filluar ceremonia e seancës inauguruese në të cilën kanë marrë pjesë deputetë, drejtues e përfaqësues institucionesh lokale e qendrore, drejtues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prijës fetar, drejtues të shoqërisë civile media e shumë mysafirë të tjerë.

Këtë seancë e ka udhëhequr anëtari më i vjetër i Kuvendit, Xhavit Zariqi, i cili pasi i ka përshëndetur të gjithë të pranishmit, ka uruar kuvendarët e zgjedhur, duke theksuar rëndësinë që ka për secilin zgjedhja në organin më të lartë të nivelit lokal.

Pas fjalës përshëndetëse seanca ka vazhduar me betimin e anëtarëve të Kuvendit si dhe me nënshkrimin e deklaratës së betimit të cilin e kanë bërë 41 anëtarët e zgjedhur të këtij Kuvendi sa kanë qenë të pranishëm.

Para anëtarëve të Kuvendit, betimin e ka bërë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Në fjalën e tij, Kryetari Aliu ka shprehur falënderimin për qytetarët e Ferizajt për besimin e dhënë dhe në këtë kontekst ka përsëritur zotimin për angazhim maksimal të tij në krijimin dhe avancimin e jetës së qytetarëve në këtë komunë.

“….të pakompromis e në luftë me të keqen që ka gjetur fundin me ne, mund ta bëjmë meritueshëm Ferizajn ashtu siç thotë zemra e mendja e çdo ferizajasi, ashtu siç shihet në sytë e kujtimet e gjeneratave që hodhën themelet e tij…

…ashtu siç një fëmijë që po rritet plot gëzim, ashtu siç të rinjtë, të moshuarit, bashkëvendasit e çdo profesioni duan ta shohin, për veten, për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen, për fëmijët e familjet e tyre.

E gjithë kjo, për 4 vitet që shkuan, nuk ishte vetëm një detyrë, byrokraci e zakonshme, administrim i përditshëm që lehtë mund të kishte vënë në letargji, shpresat e dëshirat për ndryshim në Ferizaj.

Të jesh Kryetar Komune, të jesh i zgjedhuri mes të tjerëve nga bashkëqytetarët, nuk ka të krahasuar me asnjë nder si individ, por njëkohshëm, nuk krahasohet fare me asnjë përgjegjësi tjetër, përgjegjësia që merr mbi supe, por që gjithnjë është më e lehtë, kur sa çel derën e zyrës, parim ke ndershmërinë e punën avokat të saj.

Natyrshëm, i vetëdijshëm plotësisht e energjiplotë, zgjodhëm të dalim para zgjedhësve faqebardhë, me punën tonë dëshmitare, me transformimin rrënjësor që sytë e të gjithëve panë, me guximin që të bëjmë përpara për Ferizajn, me dashurinë e pasionin e zjarrtë, t’i lëmë brezave që do të vijnë, vepra që do t’i bënin krenarë, me shembullin sesi ndershëm, me moral të lartë, pa frikë nga askush e asgjë… “, ka potencuar Kryetari Aliu.

Ai tutje në fjalën e tij ka folur edhe për veprën e lavdishme të dëshmorëve të kombit.

“Pak minuta para se të vija këtu, bëmë homazhe tek Memoriali i Dëshmorëve të Kombit. Ndjeva peshën e zërit të tyre, amanetin e sakrificën që lindi lirinë, gjakun mbi të cilat u ngritën themelet e shtetësisë sonë, ndjeva shkëlqimin e fisnikërisë, madhështisë në secilin nga më të përndriturit emra dëshmorësh, që i falën njomësinë e tyre Kosovës, për ta shkruajtur sa të jetë jeta, me gjak, emrin e tyre në faqet e lavdishme të historisë. Zemra e mendja e çdo shqiptari, çdo shtetari, çdo qytetari, lind, rritet e frymon çdo ditë me sakrificën tonë shekullore për liri. E gjitha çfarë sot kemi, shteti e shoqëria që po ngritët e fuqizohet, meriton ashtu siç bëmë e dhamë, dhe kemi detyrë të bëjmë e japim sa të jetë jeta, gjithçka nga vetja.

Ferizaj i katër viteve të ardhshme, do të jetë Ferizaj i gjeneratës tjetër. Vazhdimësi e padiskutueshme e hapërimit transformues në çdo fushë dhe konceptimit modern identitar.

Ora e ndryshimit të Ferizajt, nuk njeh ndalesë.

Shembulli i punës transformuese të Ferizajt tashmë po merret e praktikohet edhe nga qendra tjera. Është kjo domosdoshmëri e kohës dhe kërkesë e patjetërsueshme e qytetarëve”, tha Aliu.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është zotuar për transaprencë të plotë, llogaridhënie të çdoditshme, efikasitet të lartë e përgjegjshmëri të dalluar.

“Zhvillimi ekonomik që shquan Ferizajn do të njoh ritme të reja në tablonë e investimeve tona, po kaq sa infrastruktura që përmbyll kornizën e Ferizajt të rigjeneruar plotësisht, funksional e lehtë të qasshëm për secilin.

Me pakon e veprimeve, projekteve unike e ideve tona transformuese dhe moderne, arsimi do të përjetoj si asnjëherë më parë, mbi të gjitha cilësi e vëmendje të shtuar, ngritur e përparuar mbi meritokracinë, menaxhimin e suksesshëm e të matshëm si performancë, vlera këto të panegocueshme për drejtuesit e shkollave, mësimdhënësit, për më të mirën për nxënësit tanë.

Ashtu edhe për shëndetësinë, praktike, cilësore e të shpejtë, të modernizuar e me frymë të re organizative, gjithnjë me synimin e qartë, ta bëjmë më të mirë, më shërbyese për secilin qytetarë”, është shprehur Kryetari Aliu.

Në fjalën e tij Kryetari Aliu, ka folur edhe për projekte të shumta të cilat pritet të realizohen gjatë katër viteve të ardhshme, theks të veçante i ka kushtuar edhe zhvillimit ekonomik, kulturës, rinisë, arsimit, bujqësisë, shëndetësi, shërbime publike si dhe shumë projekteve që janë të rëndësishme për qytetarët ferizajas.

Për detaje të tjera, do të mund të ndiqni edhe videon e plotë të fjalës së Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, gjatë seancës inauguruese të ditës së sotme.

May be an image of 7 people, people standing, road and tree

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …