Ish-kryeministri i Kosovës, dhe komandanti i SHP të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë, gjeneral Agim Çeku, ka folur për vendimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, lidhur me avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në atë të asocuar. Ai ka thënë se iu ka gëzuar këtij lajmi, ndërsa ka komentuar edhe dështimin e përpjekjeve të vazhdueshme serbe për ta penguar këtë proces. “Padyshim se është një lajm i mirë për Kosovën sepse Kosova gradualisht po e zë vendin e vet në organizatat ndërkombëtare aq më mirë këtë fakt e bën dështimi i përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë që ta pengojë avancimin e statusit të Kosovës. Kështu që Kosova gradualisht po hyn në NATO, në struktura të NATO-s edhe pse kjo është një organizatë, nuk është drejtpërdrejt e NATO-s, por është afër ku vendet mund ta shprehin qëndrimin e tyre… I jam gëzuar këtij lajmi”, ka thënë Çeku. Më tutje, Çeku ka thënë se hapi tjetër është anëtarësimi i plotë, duke shtuar se kjo thjesht Kosovën e fut në familjen e NATO-s dhe e lidh më shumë me këtë organizatë. Po ashtu, Çeku ka vlerësuar se anëtarësimi në NATO ka peshë më të madhe se sa anëtarësimi në Bashkimin Evropian .
