Eksperti i sigurisë dhe drejtori i institutit OCTOPUS, Agim Musliu, ka thënë se sipas të dhënave që ka marrë ky institut nga opozita serbe në Beograd, bëhet e ditur se kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi ka urdhëruar Milan Radoiçiqin që të fillojë rebelimin e serbëve në komunat veriore të Kosovës, pasi dëshiron ta tërheqë vëmendjen e brendshme dhe eventualisht edhe presionin mediatik e diplomatik nga disa vende perëndimore, e cila u acarua pas publikimit të një shkrimi ku dëshmoheshin lidhjet e tij me kriminelë serbo-rusë. “Për lidhjet e Vuçiqit me krim dhe kriminelët Instituti OCTOPUS ka informuar opinionin në disa raste më herët”, ka thënë Musliu. Edhe Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, tha se formacionet paraushtarake serbe në veri të Kosovës, paraqesin rrezik. Hapja e urës ndërmjet Mitrovicës veriore dhe jugore ishte planifikuar më herët, por nuk ishte ‘pjekur koha’. Ka një kuptim më simbolik dhe një përkujtim i kohërave të tmerrshme”, tha Janjiq dhe shtoi se formacionet paraushtarake nëse ekzistojnë në palën serbe mund ta përdorin atë, me vërejtjen se ajo duhet të pastrohet.
