Agim Qerkin Bajrami (12.2.1964 - 10.8.1998)

Agim Qerkin Bajrami (12.2.1964 – 10.8.1998)

Satgova, sikur se edhe fshatrat e tjera përreth Kaçanikut, gjatë gjithë historisë Janë përballur me armiq të ndryshëm, por asnjëherë nuk ishin gjunjëzuar para rrebesheve të armiqve.

Në këtë fshat, më 12 shkurt të vitit 1964 ka lindur Agim Bajrami. Dhjetë vjet më vonë, familja e tij ishte shpërngulur nga Stagova në Kaçanik. Agimi u rrit dhe u edukua në frymën e qëndresës dhe të krenarisë kombëtare, ku për idol pati prijësin e kryengritjes shqiptare kundër ushtrisë turke, kreshnikun e maleve të Karadakut, Idriz Seferin. Mësimet e para i mori në shkollën fillore “Emin Duraku” të Kaçanikut.

Pas kryrjes së shkollimit fillor, regjistron degën e elektroteknikës në shkollën e mesme “Skënderbeu” të Kaçanikut, të cilën arrin ta kryejë me ndërprerje, pasi, për shkak të aktivitetit të tij patriotik, e largojnë disa herë nga shkolla. Nëna e tij, Elifja, evokon momentin kur Agimi ishte nxënës në shkollën e mesme dhe kur ai kishte shkuar në pushime verore në Shibenik. Atje e kishte blerë një bluzë me ngjyrën kuqezi. Ajo ishte rroba më e pëlqyeshme për të, të cilën nuk e hiqte dot nga trupi. Kur në fillim të vitit të ri shkollor atë e kishin larguar nga shkolla e mesme, ajo kishte menduar se preteksti i këtij ndëshkimi kishte qenë bluza e tij kuqezi. Mirëpo, e vërteta kishte qenë krejt tjetër. Agimi, edhe pse kishte qenë nxënës i shkëlqyeshëm dhe kishte dëshirë të madhe për dije, nuk arrin ta realizojë atë, për shkak të represionit të vazhdueshëm të policisë serbe. Më vonë ai i ndërpret edhe studimet në Shkollën e Lartë të Makinerisë në Ferizaj dhe për t’i siguruar mjetet e jetesës për familjen kishte gjetur punë në organizatën punuese “16 Nëntori” në Han të Elezit, ku punon vetëm disa muaj.

Qysh si nxënës i shkollës së mesme, Agimi angazhohet në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Së bashku me shokët e idealit, ishte betuar para flamurit se do të luftojë deri në çlirimin dhe në bashkimin e trojeve etnike. Një përkrahje të fortë në këtë rrugë i kishte dhënë edhe e shoqja Zarie Duraj, mbesë e luftëtarit të lëvizjes çlirimtare të kësaj ane, .Abdyl Duraj. Blerta, Burimi dhe Florimi, ishin tri frytet e bashkëshortësisë së tyre. Në mars të vitit 1981, Agimi mori pjesë në demonstratat popullore në Kaçanik e në Ferizaj, por edhe në qytete të tjera të Kosovës. Më 1988, ishte detyruar të shkonte në shërbim të armatës jugosllave, në qytetin e Postonjës, në Slloveni. Gjatë kohës së këtij shërbimi, lëvizjet e tij përcilleshin nga “kosistët” hap pas hapi. Atje shërbimi i fshehtë ushtarak e kishte zbuluar aktivitetin e tij “kundërrevolucionar”, prandaj u burgos dhe u dënua me pesë vjet burg.

Shtatë muaj të këtij dënimi i vuajti në Lubjanë, ndërsa pjesën tjetër të dënimit e vuajti në burgun e Prishtinës, të Gjurakocit dhe në atë të Dubravës, ku ishte transferuar ndërkohë. Pas fillimit të trazirave dhe hapjes së fronteve të luftës në ish-Jugosllavinë, më 1991, kryekrimineli Milosheviq u detyrua të bëjë amnistinë e një numri të madh të të burgosurve politikë. Nga kjo amnesti, në nëntor të vitit 1991, kishte përfituar edhe Agim Bajrami.

Pas lirimit nga burgu, Agimi vazhdoi aktivitetin e tij atdhetar në kuadrin e Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Shërbimi sekret serb nuk e la të qetë Agimin dhe aktiviteti i tij ilegal u përcoll hap pas hapi. Që të mos i rrezikoheshin shokët, Agimi, si shumë të rinjë të tjerë, u detyrua të largohet nga Kosova. Në fund të nëntorit të vitit 1991, ai shkoi në Cyrih të Zvicrës. Atje ai gjeti jo vetëm hapësirë veprimi, por edhe një radhë shokësh militantë të çështjes kombëtare, në mesin e të cilëve edhe Fehmi e Xhevë Lladrovcin.

Pas fillimit të luftës në Kosovë, Agimi së bashku me shokët e idealit u kthye në Kosovë. Atë s’e ndaloi as kufiri i hekurt i vendosur midis trojeve shqiptare. Atë me shokë i kishte ngritur peshë zëri i atdheut, zëri i fëmijëve, zëri i nënave.

Para se të nisej për në Kosovë, Agimi e kishte njoftuar të ëmën, së cilës i thotë: Nënë, jemi nisur për në Kosovë. Nëna i ishte përgjigjur shkurt, se këtu tashmë kishte filluar lufta. Ajo nuk kishte folur më tepër me të, por arritjen e djalit të saj në Kosovë e kishte mësuar nga bashkëluftëtari i tij, Sabri Lushi, nga Babushi i Ferizajt.

Më 7 mars të vitit 1998, Agimi, së bashku me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Hashim Thaçin, Shukri Bujën, Imri Ilazin e me shokë të tjerë, hyn në Kosovë dhe pas një rrugëtimi të vështirë arrin në Drenicë. Me urdhër të SHP të UÇK-së, ai emërohet epror në Zonën Operative të Pashtrikut.

Me shtimin e radhëve të UÇK-së, lufta zgjerohet edhe në shumë zona veprimi. Agimi me njësitet e UÇK-së mori pjesë në shumë beteja, si në Grykë të Llapushnikut, në Grykë të Carralevës, në Blinajë, në Zborc e të tjera. Në këto beteja kishte treguar një strategji të lartë ushtarke, si një ndër shenjtarët më të mirë. Nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ngarkohet me detyrën për formimin e njësiteve të UÇK-së, për rrethin e Kaçanikut. Pas formimit të njësiteve të para, për këtë zonë, si në fshatrat: Kovaçec, Biçec, Stagovë, Duraj, Kaçanik, Gabricë, Elezaj etj., po nga SHP, Agimi emërohet komandant i këtij njësiti. Tashmë ai njihej me emrin konspirativ si komandant “Zefi”.

Për zgjerimin e UÇK-së komandant “Zefi” bashkë me shokun e tij të ngushtë, Osman Burrniku, angazhohet për bërjen e njësiteve të UÇK-së, së pari në fshatin Biçec, në Gabrricë e në Glloboçicë, duke pasur ndihmën edhe të Qamil Ilazit, të Xheladin Kurtajt, të Besnik Beguncës, të Ilaz Cekës e të tjerë.

Pas formimit të njësiteve të UÇK-së në zonën e Neredimes, Agimi kishte marrë urdhrin që nga Blinaja që i përkiste Zonës Operative të Pashtrikut, së bashku me njësitin e tij të kalojë në Jezerc. Më 10 gusht të vitit 1998, komandant “Zefi” së bashku me Xheladin Kurtajn dhe Besnik Beguncën, me detyra ushtarake nisen për në Kaçanik, dhe rreth orës një të natës arrijnë në fshatin Gabrricë. Nga lodhja e madhe, ulen për t’u çlodhur pak. Hyrja e tyre në fshat ishte vërejtur nga bashkëpunëtorët e policisë serbe. Në mëngjesin e atij 11 gushti, rrethohet fshati Gabrricë dhe shtëpia e Miftar Kurtajt, ku po pushonin trupin trimat e lirisë, pas lodhjes nga ai rrugëtim i gjatë nga malet e Jezercit. Ata dëgjojnë krismën e pushkëve dhe zërin e kriminelëve e të tradhtarëve, të cilët u bënin thirrje për dorëzim. Trimat u zgjuan me të shpejtë, kurse në atë rast komandant “Zefi”, i djeg në mesin e dhomës të gjitha dokumentet e rëndësishme ushtarake, e bashkë me to edhe ditarin e vet të shkruar gjatë ditëve të luftës. Fillon një luftë e pabarabartë me forcat e pushtuesit serb. Lufta zgjati disa orë dhe tre luftëtarët e lirisë qëndruan heroikisht deri në fishekun e fundit, duke vrarë disa kriminelë serbë. Trimat nuk u dorëzuan për së gjalli dhe ranë në altarin e lirisë. Heroizmi i këtyre dëshmorëve të parë të UÇK-së në këtë anë bëri që shumë të rinj të mobilizohen në radhët e UÇK-së.

Më 11 gusht, të tre dëshmorët u varrosën në fshatin Gabrricë. Me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe të Zonës Operative të Neredimes, më 27 nëntor të vitit 1998, njësiti i Kaçanikut merr emrin e Agim Bajramit. Brigada 162 “Agim Bajrami” e barti këtë emër me krenari dhe me nder deri në çlirimin e Kosovës.

Pas përfundimit të luftës, më 9 gusht të vitit 1999, trupi i komandant “Zefit” u rivarros me nderime ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve, në Kaçanik.

Më 10 gusht të vitit 2000, në vendin e rënies Agimit i është ngritur përmendorja. SHP i UÇK-së, pas rënies e ka graduar gjeneralmajor.

 Para luftës, Agimi e ka pasë për pasion poezinë. Poezi ka shkruar edhe gjatë kohës së qëndrimit në burg. Gjatë luftës ka mbajtur edhe ditar. Rrugën e Agimit, në radhët e UÇK-së e kishin ndjekur edhe vëllezëritë e tij më të rinj, Afrimi e Azemi. Afrimi ka vepruar në Zonën e Pashtrikut, ku është plagosur dy herë, ndërsa Azemi është angazhuar në logjistikën e UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …