leoni

Agim Rrahim Ramadani (3.1.1960 - 24.9.1998)

Agim Rrahim Ramadani (3.1.1960 – 24.9.1998)

Fundi i shtatorit të vitit 1998 shoqërohej me një erë, me një  shi, me një  sqotë dhe me një fërfëllizë, që dukej se tetori i atij viti të Jasharëve, shpejtonte për ta zënë vendin e vet, e për t’i thënë asaj vjeshte të përgjakshme të Kosovës, se tash e kishte kohën, se tash  i kishte ditët e se drenicave do t’ua binte një vjeshtë të vrazhdë me rrebesh e stuhi siç e patën zakon vjeshtat dhe dimrat e historisë sonë. E luftëtarët e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcillnin  me sy, kur më 1 shtator forcat e motorizuara serbe së bashku me këmbësorinë e dehur e të dalldisur prej humbjeve që pësonin, braktisën aksin rrugor Prishtinë-Pejë dhe kësaj radhe nuk ia mësynë më “Grykës së Llapushnikut”, por dredhuan në të djathtë në Bushatin e sotëm apo Komaranin e dikurshëm për t’ iu rrekur drjetimit Drenas-Skënderaj, andej nga dëgjohej kënga e Fehmi e Xhevë Lladrovcit “Ani moj Kosovë, mos thuj mbarova!” Këto janë ditët kur të armatosurit zdirgjeshin prej Pashtrikut për të rënë në Rogovë të Hasit, për të marrë frymë e për ta vazhduar shtegtimin kah Drenica që digjej në flakë, e kah Dukagjini tashmë i djegur e kah Anadrini i masakruar gjatë Betejës së Rahovecit.

Gjatë atyre ditëve kufiri i mallkuar Shqiptaro-Shqiptar, me Has andej e Has këndej ishte paksa më i zbehur, e ushtria dhe policia serbe në mbështetje të forcave të motorizuara serboçetnike marrin hapa hakmarrës për t’i ndëshkuar fshatrat e arealit ushtarak të cilin e mbulonin brigadat 113 e 114 të Zonës Operative të Drenicës dhe kështu fillojnë luftimet përreth Ashlanit dhe vijat e para të frontit sajohen jo larg pikës “Guri i Nezirit”, kur përjetësohet dëshmori i kombit Mustafë Shyti i Ashlanit, ndërsa gjatë luftimeve përreth  Vërnicës, edhe Avni Dibrani i Vaganikut dhe Sadullah Dibrani i Gradicës, e në Kodër të Madhe të Mitrovicës, edhe Bislim Imeri i Gurbardhit, në Zmiq, Salih Sejdiu dhe kështu zgjerohet vija e frontit dhe fillojnë edhe luftimet më të përgjakshme në Shkabaj, Çikatovë e Dritan, ku operonte Brigada 114 e Zonës Operative të Drenicës në krye të së cilës qëndronin bashkëshortët-luftëtarë Fehmiu dhe Xhevë Lladrovci duke ia thënë asaj “Se djemt’ tu, o hala janë gjallë”, madje edhe të fortë.

Madje vetë Fehmi Lladrovci i pati thënë doktor Lec Lecit: ”Sa të jem unë në pikën Te Shavarinat, ti puno këtu lirisht me pacientë, se pa kaluar mbi trupat tanë, serbët nuk mund të futen kurrë aty!”, dhe me të vërtetë nuk u futën deri në ditën kur përjetësohen edhe Fehmi, Xhevë e Hamit Lladrovci, Fatime Hetemi, Shefqet Zeka, Afrim Sahiti, Behxhet e Skënder Karaxha, Fatmir Ahmeti, Mehmet Saliuki, Muharrem Haliti, Naim e Shemsedin Haxhiu e Xhevgjet Maliqi.

Edhe në fontin e Likocit  zhvilloheshin luftimet, madje edhe më  të përgjakshme, që nuk ishin zhvilluar në Drenicë që prej “Marsit të Jasharajve”, sepse forcat serboçetnike ndërmerrnin operacione ndëshkimore mbi popullatën e pafajshme civile që vjeshtonte dhe shoqërohej me shiun, sqotën e fërfëllizën nën mëshirën e qiellit dhe vetëm nën mbrojtjen që gjente rrëzë maleve të Qyqavicës.

Ato ditë zhvilloheshin edhe luftimet defansive të Fehmi Ramës e të Liman Musliut, vetëm e vetëm që të mbrohej çdo pëllëmbë e veçanërisht prozhmet dhe lugjet ku ishin vendosur banorët drenciarë  nga fshatrat e braktisura e të boshatisura, por duke i mbrojtur banorët e rrëzave përjetësohen edhe Bajram e Naim Berisha, Naim Gashi, e Fejzë Ramadani nga Kodra e Drenasit, Dritan Brahimi, Mexhit Bislimi, Murat Misini, Xhavit Bislimi të Prekazit të Epërm e Hamit Hyseni nga Ashlani, ndërsa luftëtarët nuk e ndalnin luftën ballë për ballë me serboçetnikët e etshëm për gjak shqiptari ashtu siç i kishte bekuar Pavli i Pakracit.

Sërish ndizen luftimet e përgjakshme nëpër Qyqavicë. Këtu përjetësohen Lec Bislim Gradica i Gradicës, Rrustem Hoti i Marinës të Skënderajt, Adem Lushtaku i Prekazit, Behram Morina i Bletarit, Ismet Haliti i Shalës dhe Agim Rrahim Ramadani i Prekazit të Epërm, të gjithë dëshmorë të kombit që mbijetojnë me emra rrugësh, shkollash, kazermash, fushash e kodrash anembanë trojeve etnike.

Luftëtari i lirisë Agim Ramadani, bir i Rrahimit dhe i nënës Fazile, mbesë e Isa Boletinit, është i lindur më 3 janar të vitit 1960 në fshatin Prekaz i Epërm të Skënderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Skënderaj në mënyrë që studimet t’i vazhdojë në Fakultetin Xehtaro-Metalurgjik të Mitrovicës, por kjo i mbeti një ëndërr pasi indeksin e këmbeu me zjarrin e luftës ççlirimtare, i cili asokohe më shumë se kurrë i duhej Kosovës së lodhur nga rënkimet dhe gjëmat e nënave e të motrave të lodhura. Kështu e patën këmbyer edhe 435 shokë e bashkëmendimtarë të Agimit, të gjithë studentë të Univerisitetit të Prishtinës që ranë në kërkim të “Dijes e të Lirisë”.

Agimi si fëmijë i parë kishte shumë ëndrra për ditët kur do të çlirohej Kosova, por kishe  edhe një barrë më të madhe: ta ndihmonte të atin, Rrahimin, në mënyrë që të rriteshin e të shkollohen Brahimi, Bislimi, Samiu, Fehmiu, Shukrija e Fatimja, ndërsa Rrahimi e kishte vështirë që vetë ta siguronte kafshatën e bukës dhe fëmijërinë e lumtur për të gjithë. Agim Ramadanit në çdo hap i gjendej pranë edhe bashkëshortja, Sanija, bijë e Krasniqëve, që kujdesej për t’i vënë në dritë vocërrakët, Afërditën, Adnanin, Flamurin dhe Albanin, e të gjithë sot janë burra dhe gjatë mbrëmjeve së bashku me gjyshen Fazile e gjyshin, Brahimin, evokojnë kujtimet për të atin, veçanërisht Albani i  cili  asokohe  kishte vetëm tetë vjet, ndërsa sot burrë që duhet ta ruajë emrin dhe nderin e të et, duhet qëndruar në rrugën e idealit për të cilin u përjetësuan edhe Agim Rahmadani i Zhegrës, edhe Agim Ramadani i Prekazit, por edhe njëzetë Agima të tjerë, të gjithë të përjetësuar në agimin dhe për agimin e Lirisë së Kosovës, të gjithë të moshës prej tetëmbëdhjetë e deri në dyzet vjeç.

Dëshmori i kombit Agim Ramadani, herët kyçet në veprimtarinë e ilegales së Drenicës dhe me nofkën “Lumi” vepron në çdo segment të shpërndarjes së materialeve që asokohe mund të gjendeshin në çdo skutë e në çdo odë të Drenicës. Pjesëtarëve të ilegales nuk u mungonte vullneti në mënyrë që para hundëve të policisë më të egër të Evropës, sebe, të gjendeshin trakte e parrulla për paralajmërimin se ky popull nuk do ta duronte më zgjedhën e robërisë. Por edhe në rrafshin organizativ nuk mund të gjendet manifestim popullor e të mos ishte në krye të organizimit studenti i dalluar, Agim Ramadani i Prekazit.

Gjatë formimit të instrumentit të forcës që me kohë dhe gradualisht evoluoi në Ushtri Çlirimtare të Kosovës, Agimi kyçet në sektorin e logjistikës dhe shpesh thyente kufirin e mallkuar Shqiptaro-Shqiptar, vetëm e vetëm që në “Kosovën – djep Lirie” me “një ushtri e një bajrak” të sillte sa më shumë “Zjarr – Lirie” prandaj edhe me tërë  fuqinë që pati dha kontrinbut të çmueshëm në logjistikën përgatitore e pastaj edhe në front e në prapavijë të luftimeve anembanë Zonës Operative të Drenicës.

Kushtet materiale Agimi i kishte më të kufizuara, por në anën tjetër kishte një fizik në harmoni me nevojat e luftës, prandaj edhe me sukses të dalluar i mbaroi të gjitha stërvitjet ushtarake që zhvilloheshin në Shqipëri. Kështu, ai, si i kalitur e i armatosur, menjëherë në ditët e para të “Marsit të Jsharajve” lidhet me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjendet në të në çdo front e në krye të shumë aksioneve ushtarake. Përherë ishte pranë Ilaz Kodrës, Rasim Kiçinës, Fehmi Lladrovcit, të gjithë dëshmorë të kombit, e Sami Lushtakut, Rrahman Ramës, Brahim Gjakës, Ragip Jasharit e Zenun Kodrës prandaj edhe sot të gjithë e kujtojnë dhe e përkujtojnë me pietet të lartë.

Në ditën e përjetësimit, kur zhvilloheshin luftimet e përgjakshme përreth Qyqavicës, veçanërisht në Ashlan, kur morën përjetësinë edhe dëshmorët doktor Lec Gradica, Agim Shala, Rrustem Hoti, Adem Lushtaku, Behram Morina e Ismet Haliti, luftëtari i lirisë Brahim Gjaka me bashkëluftëtarë, arriti për ta tërhequr trupin e pajetë të Agimit dhe banorët e Ashlanit së bashku me luftëtarët e lirisë ia bënë përcjelljen e fundit për në përjetësi Agimit, më 24 shtator të vitit 1998 në fshatin Ashlan dhe sot trupi i dëshmorit u është bashkuar të gjithë dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës.

Së andejmi dëshmorët e Shalës e të Drenicës vështrojnë Mitrovicën e ndarë me Ibër e me të vetmen urë që ndan njerëzimin pasi që anembanë botës urat i bashkojnë dhe i lidhin njerëzit, e vetëm në Mitrovicë “Ura e Ibrit” na qenka për t’i ndarë njerëzit. Dëshmorët vështrojnë, por edhe dëgjojnë ndërsa bandat kriminale dhe fundërrinat e kriminelit Milosheviq, vallëzojnë duke kënduar “Igrali se delije, usred zemlje Srbije (Hidhni valle trima, në tokën e Serbisë)!”.

Për kolonel Agim Ramadanin e Prekazit janë bërë shumë shkrime në të cilët është skalitur portreti fizik dhe shpirtëror që i ngjante një Kamani të Naim Frashërit, ndërsa emrin e Agimit mbante kazerma e Brigadës 342 të Trupave Mbrojtëse të Kosovës në Mitrovicë, e familja e Agimit përveç shumë relikeve të tjera, ruan edhe ditarin e luftëtarit që nesër mund të jetë lëndë për historianët tanë, ku mund të gjejnë frymëzim edhe poetët, kompozitorët, këngëtarët, piktorët, skulptorët dhe kineastët.

Edhe familja e babait të dëshmorit Agim Ramadani të Prekazit, Rrahimi, gjatë netëve kur mbijetesa modeste, pas punëve të shumta e të rënda, i lejon ca çaste për të evokuar kujtime, rrëfen me krenari për Agimin dhe të gjithë Agimët që ranë në Agimin e Lirisë dhe të Pavarësisë së Kosovës, e cila tashmë është shtet, e Agimave u duhet një përkujdesje më e madhe institucionale, familjarëve të tyre u duhet trajtim më dinjitoz në mënyrë që të gjejnë sadopak ngushëllim për atë se çdo gjë që patën ia dhanë Kosovës.  (S.C)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …