Agim Veliu

Agim Veliu i qorton deputetët e LDK-së për deklarimet e tyre, thotë se vendimet merren në kryesi të partisë

Deklarimet e mbrëmshme të deputetit të LDK-së, Arben Gashi se LDK ka hequr dorë nga mocioni për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, i ka komentuar nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu. Veliu ka thënë se Lidhja Demokratike asnjëherë nuk ka pasur qëndrim zyrtar që qeveria duhet të rrëzohet përmes mocionit. Kryetari i Podujevës, gjithashtu ka deklaruar se nëse nuk arrihet konsensusi që LDK ia ka ofruar të gjitha partive, që përmes konsensusit të përgjithshëm vendi të shkojë në zgjedhje, atëherë mund të përdoren mjetet e tjera. Veliu ka shtuar se secili anëtar i LDK-së mund të deklarojë çka do, por këtë mund ta bëjë individualisht, e jo në emër të partisë.

Në tryezën e përfaqësuesve nga partitë politike që u mbajt ditë më parë, LDK ishte kritikuar që nuk i kishte përmendur fare zgjedhjet e parakohshme. Por, Veliu thotë se Lidhja Demokratike e ka thirrur atë tryezë për qëllimin e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, dhe se sipas tij nëse nuk do të ketë hapa drejt kësaj çështje, atëherë do të përdoret metoda tjera për ndërprerjen e funksionimit të kësaj qeverie. Por, përkundër shumicës së bashkë partiakëve të tij, që vazhdimisht kanë deklaruar se vendi do të shkojë në zgjedhje këtë vit, Veliu u shpreh se nuk mund të garantojë për një gjë tillë. Veliu u shpreh se një gjë tashmë dihet sigurt, që vendi po vazhdon të jetë në një krizë institucionale, për shkak se pozita i posedon vetëm 52 vota.

 

Kontrolloni gjithashtu

Hykmete Bajrami: Buxheti i 2025-ës është anti-Kushtetues

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka konstatuar se buxheti për …