Nuk ka mbuluar pluhuri politik harresën për lidhjet e biznismenit serb, Bogoljub Kariq me biznismenët kosovarë, i kërkuar nga Interpoli që nga viti 2006, dyshohej se fshihej në Pejë. Sipas të përditshmes serbe “Kurir”, thuhej se Kariq është duke u fshehur në Pejë dhe është duke u ndihmuar nga biznesmenët kosovarë Ekrem Lluka e Ramiz Kelmendi (i konvertuar herë në AAK, herë në LDK, pas koketimeve të tij me LDK-ne, serish ne PDK) gjë që nganjehere mohohej nga ky i fundit.
“EULEX-i nuk mund ta transferojë apo ekstradojë një person nga Kosova, për shkak se kjo është kompetencë e autoriteteve të Kosovës. Marrëveshja teknike për operacionet policore nuk ka të bëjë me çështje të tilla, por me shkëmbim informatash”, thonte në atë kohë zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal.
Ndërkaq, biznesmeni serb është lajmëruar nga autoritetet serbe në Interpol që nga viti 2006. Për të fillimisht mediat serbe kishin raportuar se kishte kërkuar azil politik në Rusi. Multimilioneri nga Peja, Ramiz Kemendi, kishte mohuar se është i lidhur me biznesmenin serb të kërkuar nga Interpoli. Sipas tij, raportimet e medieve serbe kishin më shumë konotacion politik.“ Serbët mundohen që të na paraqesin ne, biznesmenëve shqiptarë dhe politikanët në Kosovë si njerëz që po e fshehim Kariqin, edhe pse ata vetë janë njerëz që e fshehnin Ratko Mladiqin, që kërkohej për krime lufte”, kishte thënë atëherë Kelmendi.
Ai ka thënë se rrjeti i supermarketeve që gjendet në Kosovë, ETC-ja e tij, nuk ka lidhje me asnjë biznesmen serb. “As që jam në dijeni që ka ETC në Beograd se ka një kohë të gjatë që nuk kam qenë. Nuk kam nevojë as t’i kopjoj markat e tyre e jo më të bashkëpunoj me serbët”, ka thënë biznesmeni Kelmendi.
Ndërkaq biznesmeni tjetër nga Peja, Ekrem Lluka, ka qenë i pakontaktueshëm për gazetën. “Kurir” raportonte se Bogoljub Kariq është plotësisht i mbrojtur në Kosovë, kryesisht për shkak të marrëdhënieve me Kelmendin, gjithashtu edhe me biznesmenin Ekrem Lluka. “Biznesmeni i arratisur serb, Bogoljub Kariq, mban supermarketet zinxhir ETC në të gjitha qytetet e mëdha, së bashku me biznesmenin kosovar, Ramiz Kelmendin”, ka raportuar ky medium. Jadranka Tasiq, një zëdhënëse e familjes Kariq, ka deklaruar për “Kurir” se nuk është në dijeni, nëse rrjeti i supermarketeve ETC në Kosovë kontrollohet edhe nga biznesmeni Bogoljub Kariq. Sipas këtij mediumi, Kariq ende i ka të katër shtëpitë në Pejë, dhe një vilë në një kodër mbi Patrikanën e Pejës. “Në vilë është pothuajse e pamundur për të arritur, sepse gjendet në lartësi më të madhe se 100 metra. Pronën e tij e ruajnë shqiptarët dhe janë të vetmet shtëpi serbe në Pejë, të cilat nuk janë djegur”, ka raportuar “Kurir”.
Autoritetet serbe, sipas Balkan Insight në Beograd, kanë ngritur tri aktakuza ndaj biznesmenit Bogoljub Kariq e njëra prej tyre ka të bëjë me një favor që ai ka kryer ndaj biznesmenit pejan, Ekrem Lluka. Biznesmeni serb akuzohej se ia ka transferuar një pjesë të licencës së telefonisë mobile “Mobtel” biznesmenit Ekrem Lluka ish-pronar i kompanisë “Mobikos”, i cili sipas marrëveshjes ndërmjet dy palëve operonte në territorin e Kosovës. Kjo sipas ministrit të atëhershëm për zhvillim ekonomik, Predrag Bubalo, nuk mund të bëhej pa pëlqim nga Qeveria serbe.
“Transferimi i një pjese të licencës së ‘Mobtelit’ te një palë e tretë mund të bëhej vetëm me pëlqimin në formë të shkruar nga ana e qeverisë. Për shkak të dëmeve të shkaktuara shtetit, autoritetet kanë ngritur tri akuza kundër Kariqit”, ka thënë Bubalo për këtë medium.
Ndërkaq, sipas të dhënave të regjistrimit të bizneseve në Ministri të Tregtisë, biznesmeni Ekrem Lluka ka themeluar më 11 korrik të vitit 2003 kompaninë “Mobikos” që për aktivitet kryesor ka telekomunikimet.
Me shenjat që jipte Thaçi dhe Pacolli në kohën kur ishin në koalicion, biznesi duket se ka pasur rolin kyç në zgjedhjen e tij president, që ishte goxha “më kërkuese”; si duket LDK-ja, edhepse kooperuese në fushën e biznesit “më jep-të jap” ende nuk ka tejkaluar rebelimin e brendshëm, kur ishte në pyetje demarkacioni. Lëvizja “Vetëvendosja” , është e vendosur të mos e ndryshojë kursin politik, vetëm me qytetarët kundër të gjithëve. Kemi hy pra në periudhën e ngjizjes së një fenomeni, të pandashëm tani e tutje për sistemin politik, të raporteve të biznesit më politikën dhe vazhdimin me ekonominë informale, e cila luhatet nga shkelja e ligjeve apo moszbatimi i tyre deri tek evazioni fiskal, por pa mbërritur te paraja e krimit. Dhe grupi i tretë sigurisht është ekonomia kriminale, e cila ka bërë para nga trafiku i qenieve njerëzore, prostitucioni i detyrueshëm apo droga dhe grabitjet. Paralelisht me këtë janë shfaqur të gjitha fenomenet negative për mënyrën se si një qeveri apo një lidership politik mund ta trajtojë biznesin: Kufizimi dhe klientelizmi në privatizime, në leje ndërtimi dhe licensa, në shpërndarjen e barrës fiskale. Për të përfunduar e gjithë kjo te ryshfetet, tenderet dhe shndërrimin e biznesmenëve në “pagatorë” të vizitave apo turizmit brenda apo jashtë vendit, të qeveritarëve nga më të lartët.