Agim Vuniqi

Agim Vuniqi: Kush i ha kumbullat dhe kujt i mpihen dhëmbët ?

Mërgimi është plagë e rëndë, e pashëruar. Zakonisht mërgimi është manifestim i pasigurisë politike por edhe ekonomike në vendet e origjinës prej nga largohen emigrantët. Qytetarët e Kosovës janë trajtuar brutalisht gjatë historisë së tyre, jeta e tyre ka qenë pelim, të diskriminuar shumëfish, pa asnjë të drejtë elementare kolektive, familjare dhe individuale. Kolonizimi i vrazhdë i Sërbisë, i ka detyruar ata t’u adaptohen rrethanave ekzistuese, dhe të fillojnë jetën e re në vend të huaj, me shumë peripeti. Nuk ishte kjo e tëra, deportimi i dhunshëm krijoi nga ata “kufomat e gjalla”. Fatmirësisht gjërat ndryshuan politikisht për së mbari, lufta e filluar në Kosovë nga UÇK-ja, ndërgjegjësoi faktorin ndërkombëtar, për të ndalur fushatën e egër sërbe të spastrimit etnik, të shkatrrimit dhe djegies së pronës, por edhe vrasjen sistematike të populatës civile. Edhe sot ka shumë të pagjetur, fati i të cilëve  ka mbetur i pa definuar.

Dhimbja është ndjenjë që e shoqëron njeriun që nga lindja. Dhimbja përkufizohet shumë ndryshe kur je jasht vendit, dalëngadalë kupton se përpjekja për një jetë të re, më të lumtur, ka edhe barrierat e saj, jo vetëm fizike, materiale, por edhe shpirtërore. Distanca gjeografike ndalë kohën në krahasim me vendin e origjinës, mbamendja ka fotografuar ngjarje dhe fytyra deri në momentin e largimit, dhe mërgimtari kërkon vazhdimisht atë kohë,  për të është ndalur ora mu aty, por jeta vazhdon si nje process i pandalshëm, i një “lindjeje”  të re e moshës madhore, sa mund të jetë e natyrshme kjo lindje në mërgim…, dhe kur fillon të kuptosh se je dyfish  “i huaj”, i huaj aty ku je vendosur “përkohësisht”, dhe i huaj prej nga ke ardhur, askush nuk të gjykon, por ti e ke atë parandjenjë dhe atë emocion.

Në faqet e shtypit zakonisht praktikohet të shkruhet për “VIP”, për ata që krijojnë skandale, dhe për ata që krijojnë para, dhe njerëzve të zakonshëm iu servohet një pjesë e atij “shkëlqimit medial”, qeshjes përbuzëse pa takt, gjatë shkeljes së tepihit të kuq, apo ngrirjes “stupide” e “collar-ve të bardhë”.  Janë këta elita e shoqërisë, e cila përcillet nga “paparacët”, çdo lëvizje, çdo përbirim shiques i cullakut të kofshës së estraditesteve, por edhe sharjet e politikanëve mbushin faqet e gazetave. E çka mbetet të shkruhet për qytetarin e rëndomtë…, milingonat punëtore, të cilët ruajnë lekun, për të dërguar si ndihmë, apo si investim, në vendin prej nga kanë ardhur, kronika e zezë është faqe e njerëzve të rëndomtë, të cilët emërohen qytetarë, ata janë të rëndësishëm kur votojnë,  gazetarët me pedantëri evidentojnë  ndonjë divorc, i shoqëruar me rrahje, apo shtypje të kokës, janë ekskluzive sidomos krimet e rënda dhe reportazhe spiunazhi, apo intervista njerëzish që kanë kryer krime, të gjitha këto lajme shtypi i përbin, si mall që shitet mirë.

Jeta në mërgim është paksa më ndryshe, është disi më e rëndë, ngase njeriu personalizon shumë ngjarje që i “blen” nga shtypi, dhe mishërohet me to, barra tjetër edhe më e rëndë që nuk e lënë asnjëherë rehat, është puna shumëorëshë për të përballuar faturën e jëtës së rëndomtë, ngjan që kësaj barre i shtohet edhe asimilimi i fëmijëve, një proces i pabërballueshëm, sidomos kur nuk ndien “peshën” e shpatullave të zyrtarëve të vendit të origjinës.  Ardhjet dhe shkuarjet e tyre, janë plotë kurtoazi, ata vijnë sikurse të ishin njerëz të ndonjë planeti tjetër, dhe e kanë gojën plot demokraci, merrnie me mend në vendin nga është eksportuar demokracia, dhe në të cilin bëjnë ata gjumin, por edhe përshëndeten me jetën, e ata-ardhësit “dyzenxhi” me mëditje, por e shijojnë edhe joshjen e komunitetit, e shijojnë me të gjitha benefitet e saj, shumëfishe bile, derisa përpak ua ke zili deri në lakmi vizitorëve “esnafë të hyqmetit vendorë”, e mërgimtarët stivosen që të vijnë në rend të “grabisin’ ndonjë foto të përbashkët, të cilën e paguajnë në darkën e aranzhuar enkas për mysafirët ‘gojëmjaltë”, e ata-mysafirët e nderit duken disi shumë të dijshëm, kanë edhe veshje ekskluzive “me firmë” duhet të dallohen pra edhe në veshje, por edhe në para….Duket disi gjë jo e zakonshme, mirëpo si ndodhi të përfaqësojnë popullin e Kosovës me normë të lart papunësie, afro 50 perqind, ai/ata që shumfishuan kapitalin, një pjesë edhe të deklaruar. Mund edhe të mos jesh ndonjë njohës i saktë i ligjit, as që do të përmendet ndonjë rast i bashkëpunimit në emër të lobimit i ndonjë diplomatI me karrierë i Kosovës, po të mos kopjonin amerikanizmin kur duhet të çveshet ekonomia, apo kur të kritikohen për politikat e plaçkitjes së pronës… Dhe si t’u spjegohet kjo gjë qytetarëve kosovarë, se zyrtarët e tyre që i përfaqësojnë jashtë vendit, por edhe në SHBA, nxjerrin nga Kosova miliona euro, te cilat i paguan tatimpaguesi të fituara me djersë dhe me dije, në vendin me shkallë shumë të lartë korrupsioni. Rekordi i tyre i pistë bënë të dyshosh edhe atëherë kur ndoshta nuk kemi të drejtë, por barra e “VIP” bënë që ata të jenë nën llupën e vëzhgimit 7/24, 7 ditë në javë, 24 orë në ditë. Dhe qëllimi i hartuesëve të buxhetit thuase është ideuar për transferin e kapitalit dhe teknologjisë “know-how”, por edhe prurjet e investitorëve të jashtëm  në Kosovë. Si mund ta bëjnë këtë ata, që kapitalin monetar “cash” e kanë nxjerrë dhe e nxjerrin jasht vendit në mënyra të ndryshme. Ndoshta nuk është vetëm virusi që përhapet në ajër, kohë e mutacionit virusal, korrupsioni dhe pandemia janë të dëmshëm për shëndetin, njëri për shëndetin e shtetit, tjetri për shëndetin e individit, si të gjindet ilaçi, edhe amerikanët po kanë vështirësi ta gjejnë.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …