Agim Vuniqi

Agim Vuniqi: Propaganda serbe dhe terapia ruse

Propagandimi i religjionit përmes organizatave të ndryshme militante-religjioze në botë dhe gjuha e padinjitetshme njëdimensionale, se njerëz të mirë janë vetëm ata të fesë sime, apo ata që praktikojnë ritin, sektin tim fetar, fatkeqësisht po gjen mbështetje jo vetëm nga klerikët, por edhe nga zyrtarë të ndryshëm shtetërorë.

Duket se kriza ekonomike ka rritur frikën e pakuptimtë të njerëzve ndaj njëri-tjetrit, të përkatësive të ndryshme religjioze, duke kryer krime monstruoze kundër njerëzimit për të ekspozuar fuqinë e religjionit, duke gjetur përkrahje edhe nga politika si instrument për të realizuar qëllimet politike.

A nuk filloi kështu lufta e Serbisë kundër jo-serbëve, apo jo-ortodoksëve? Marshimi i makinerisë ushtarake serbe për të kryer krimet më monstruoze dhe më të turpshme kundër njerëzimit, në esencë ishte neofashiste. Përveç karakterit shfarosës të multi-kulturalizmit, filloi me sponzorimin medial të kishës, e cila shfaqi haptas pretendime territoriale e fetare kundër të tjerëve jo serbë, jo kundër republikave me shumicë dominante ortodokse, çfarë ishin Mali i Zi dhe Maqedonia.

Lufta gjenocidale serbe e shtetit, dhe partitë politike serbe krijuan eshalonet e shkatërrimit masiv të njerëzve. Çdo ndërhyrje e militarëve dhe paramilitarëve serbë filloi me bekimin e Kishës ortodokse serbe. Arrinte aty ku kishte të tjerë, jo-serbë. Në fillim u sulmua Sllovenia me një shumicë dominante katolike, pastaj Kroacia, duke zbrazur përfundimisht dufin e egër shtazarak kundër Bosnjës e Hercegovinës multikulturore dhe multireligjioze dhe kundër Kosovës shqiptare, e cila fetarisht ishte neutrale; shumica dominante praktikonte ceremonitë islame gjatë festave, pastaj ato katolike, ortodokse… por, duke pranuar edhe ceremonitë tjera fetare, më tepër si festive dhe cermoniale, sesa me ndonjë ndikim në kulturën e shqiptarëve, pa përjashtim.

Historikisht shqiptarët kanë praktikuar ritet pagane të ilirëve. Disa rite pagane ruhen deri në ditët e sotme, si dita e pranverës dhe larja me hitha. Shumë shqiptarë mburren me emrat e tyre ilirë, duke gjetur një formulë adekuate unifikuese. Ata me krenari zbulojnë se multikulturalizmi dhe multireligjionizmi janë pasuri e njerëzimit, e jo ndarje.

Numri i krimeve në rritje dhe urrejtja nacional-shoveniste serbe kishte gjetur rrënjët në Betejën e humbur të Kosovës, me të cilën manipulonte kisha serbe duke krijuar mitin e viktimizimit serb, dhe të lëvizjes së eshtrave të Car Llazarit, edhe pse spjegimi historik shkencor pohon se në betejën e Kosovës ka pasur luftë ne mes forcave të koalicionit të krishterë (ku ishin të përfshirë të gjitha etnicitetet, përfshirë edhe shqiptarët) kundër osmanlinjve, për t’u shënuar se heroi kyq i asaj beteje ishte individi – shqiptari Milesh Kopili – i cili për të ruajtur nderin vrau sulltan Muratin. Është çështje tjetër pse historiografia shqiptare nuk e ka hulumtuar dhe aktualizuar këtë dramë mitologjike, për ta përfshirë në kalendarin historik të festave ditën e Milesh Kopilajt.

Terrorizmi shtetëror serb si akt patriotik përfshinte tërë shoqërinë serbe pa përjashtim. Aty-këtu dëgjohej zëri i vonuar i ndonjë intelektuali që ishte “zë nga shkretëtira” për sjelljet devijante të shoqërisë serbe. Shtypi dhe televizioni serb në vazhdimësi “edukon” dhe indoktrinon popullatën me urrejtje patologjike kundër jo serbëve, sikurse në kohën e Millosheviqit. Kjo pasqyrohej edhe përmes rezultateve të anketimit të opinionit serbë, të shprehura në përqindje. Urrejtja kundër të tjerëve ishte në shkallë shumë të lartë. Indeksi i urrejtjes kundër shqiptarëve arrinte edhe në 92 për qind.

Rezultatet tregonin se serbët nuk janë të gatshëm të jetojnë në një shoqëri multietnike, kërkesë kjo imediate e BE-së. Vrasja me thikë e ministres së punëve të jashtme të Suedisë, z.Lind, nga serbi

Mihajloviq, ishte dëshmi e kohës se sa kishte shkuar larg krimi dhe terrorizmi serb, që kishte vegjetuar në memorien nacionale serbe që nga atentati politik mbi perandorin autro-hungarez Franc Ferdinandin dhe krijimin e organizatës së parë të terrorizmit ndërkombëtar – “Dora e Zezë”, e cila akoma nuk ka pushuar së vepruari. Si sulmi terrorist duhet të konsiderohen vendosja e zjarrit në ambasadat perëndimore në Beograd, përfshirë atë amerikane, gjermane… duke djegur qëllimisht flamujt e dy shteteve promotorë të zhvillimit global demokratik dhe ekonomik në botë: njëra superfuqi globale ushtarake dhe ekonomike, ndërsa tjetra fuqi motorike e zhvillimit ekonomik evropian përmes BE-së (që joshë me anëtarësim shtetet përreth të cilat plotësojnë standardet demokratike, për t’ua ngushtuar frymëmarrjen ksenofobisë nacionaliste rajonale dhe politikave destruktive diktatoriale).

Nuk mundet më Serbia të vejë kushte dhe të manipulojë botën demokratike me lojën e viktimës, kur ajo ishte vetë xhelati. Ngase, shpesh gjatë kohës së Titos dhe pas tij, por edhe gjatë ndërtimit të Lëvizjes së Painkuadruarëve, Nehru-Tito-Naser, Serbia kishte shtrirë ndikimin e madh diplomatik në shumicën e shteteve arabe dhe islamike, si te liderët Ben Bella, Habib Burgiba, mbreti Husein, Haile Salasi, Naseri, Jaser Arafati deri te Sadam Hyseini e Gadafi, të cilët pësuan nga rebelimi i popullit.

Përmbysja e Sadam Hyseinit më herët dhe e Muamer Gadafit më vonë, tregoi se diplomacia serbe ishte refleksion i interesave të përbashkëta afariste – kredi bankare, ndërtimtari dhe riparime – që kapnin vlerën prej dhjetëra miliardë dollarësh gjatë luftës në Irak, dhe ishin shkasë i ftohjes së marrëdhënieve diplomatike të disa shteteve evropiane me partnerët e koalicionit SHBA-Britani e Madhe (me ç’rast Rusia shfrytëzoi raportet e rikrijuara në marrëdhëniet ndërkombëtare duke rikthyer Serbinë gati në të gjithë organizmat ndërkombëtarë).

“Terapia ruse” nuk ishte e mjaftueshme për politikën dhe diplomacinë serbe, e zhytur thellë në “ujërat e pista”, ngase krimi dhe korrupsioni kishte përfshirë thellë shoqërinë serbe, që kishte kulmuar me vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq. Qeveria aktuale shfrytëzoi gjendjen e jashtëzakonshme për të eliminuar oponentët politikë, por edhe për të shfrytëzuar pushtetin për interesa individuale dhe klanore.

Zgjedhjet e fundit në Serbi dhe koketimi me Rusinë dëshmuan se Serbia nuk kishte lëvizur asnjë pëllëmbë nga politika militariste e kriminelit nr. 1 në botë, Millosheviqit. Sidomos kjo u shpreh “ashiqare” tek minoriteti serb në Kosovë që votoi për radikalin serb, Vuçiqin, duke treguar edhe fytyrën e vërtetë të votuesve, të cilët nuk u distancuan nga periudha e fashizmit serb. Zgjedhja e koalicionit Vuçiq-Daçiq, shpreh solidaritetin natyral të krimit dhe është vazhdimësi e koalicionit Millosheviq-Sheshel.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …