Në shekullin e 19-Hyde Park në Londër ishte bërë një vend popullor për takime. Në 1872, në përgjigje të trazirave pasi që policia u përpoq të shkrijë një tubim politik, u krijua një vend “Speaker’s Corner” ku njerëzit lejohen të flasin lirisht. Aty, çdo të diele qëndrojnë njerëzit në një sandëk në formë sapuni dhe shprehin pikëpamjet e tyre; politike, fetare ose çështje të tjera, ndodhë ndonjëherë të ndërpriten dhe të sfidohen nga audienca.
Sigurisht që parlamenti i Kosovës nuk do të duhej të ishte skuta e një komunikimi të tillë publik, por q’e do kur vend tjetër nuk ka; nuk mund të zihesh në befasi po që se dëgjon fjalime nostalgjike nga kryeministri i vendit t’i “këndohet” autorëve të “diktaturës së proletariatit”, pa kaprice historike ky lugjërim-këndim i kryetarit të PDK-së (do të duhej të orvatej të ishte kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës), i emocionuar humb torruan dhe “këndon” zëshëm për Leninin, Trockin, Stalinin e Musolinin, dhe si një historianë me kalibër, të tëra këto personalitete nga historia e “Diktaturës së Proletariatit” i përzien me fashizmin dhe tenton t’ua përplasë për fytyre rinisë studentore të Lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët për nga mosha kanë pasur fatin edhe të mos kenë dëgjuar për ta fare. Nuk ka gjë të keqe nëse ai dhe shokët e tij demonstrues të deridjeshëm të kauzës marksiste-leniniste do të qëndronin stoik dhe do të krenoheshin me të kaluarën, se kanë qenë të organizuar sipas konceptit të treshit, që gjen mbështetje në autorësinë e të përmendurëve të përfolur. Në vendin ku duhet të dëgjohet zëri i popullit, është pra i pajustifikueshëm komunikimi publik “Hyde Park”, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e sidomos jo në kohën kur shtetet tjera të taborit ish komunist luftojnë të zënë radhën për t’u futur në Evrope, derisa në Kosovë, akoma bën fuqinë ligji i më të fortit. Akoma nuk kemi një klasë politike të ndërgjegjësuar për të përmirësuar nivelin poltiko-ekonomik të vendit. Derisa vendet e tjera, me të cilat rrethohemi, po përpiqen të lënë përshtypje sa më të mira te komuniteti evropian, politika ka filluar të rebelohet, përfundimisht nuk ndërtohet politika shtetërore duke i qarë “mëkatet” e njëri tjetrit, qeveritarëve nga pozita, sot, apo opozita, dje. Do të ishte i pajustifikueshëm komunikimi publik “Hyde Park”, pa rregulla. Kështu ndodhë kur pozita dhe opozita akuzojnë ndërsjelltas njëra tjetrën për shkelje ligjesh, apo marrje pushteti, në të njejtën kohë, kur asnjëra prej tyre nuk shprehet e gatshme për t’i respektuar ato. Proklamimet e tyre ditore për demokraci, ligj, antikorrupcion e postulate tjera janë llafe pazari, qytetarët mund të jenë vetëm vizitorë, si në ndonjë panagjyrë ku ekspozohen prodhimet, vetëm me i pa-jo me i shiju. Kur të ndodhë diçka e paplanifikuar, thirren në ndihmë miqtë ndërkombëtarë, se përndryshe mbesin pykë, telefonatat këshilluese janë përditshmëri. Kështu ndodhë kur harrohet fakti se pozita nuk bënë pa opozitë, e as opozita pa pozitë (këto rregulla janë univerzale pothuajse në tërë globin, përveqse në Kinë, në Kubë, e në ndonjë shtet tjetër komunist që shumë më rrallë gjendet në hartën globale politike). Eshtë brengosëse fakti se në Kosovë opozita nuk konsiderohet pjesë e përbashkët e sistemit, dhe pse po krijohet bindja politike se pushteti nuk ka nevojë për opozitë, apo për kritikë publike. Parlamenti që do të duhej të ishte vendi ku thehen shtizat, po bëhet gjithnjë e më tepër qendër e një mendimi të uniformuar, rrallë të dëgjosh ndonjërin nga pozita të bëjë ndonjë kritikë konstruktive, apo dikush të dallohet se përqon zërin e votuesve. Në përgjithësi, kudo, në rrugë, në opinionet online të lexuesve, në mjetet e shkruara të informimit dhe në ato audio-vizuele…, po manifestohet një inflacion i theksuar i fjalëve.
Fjala në Kosovë ka humbur peshën, vlerën, sasinë, pra nuk ka njësi matëse me të cilën matet, rrej, fol drejt, kritiko, piskatë, shajë, njëjtë, nuk ka ndonjë dallim. Përpara shquheshin njerëzit që flitnin fjalë të urta, fjalë burrash, dhe kështu krijonin reputacionin e urtakut, dhe e tërë gjenerata e pasuesve të tyre identifikohej me ta. Populli dinte të jepte edhe llagape, të cilat nuk mund të fshiheshin aq lehtë, ato ishin kujdestari më i fuqishëm i moralit, bujarisë, fisnikërisë, por edhe i hajnave rrencave, spiujve… Tash fjala më përkdhelëse është hajn, rrenc, i korruptuar, athua edhe sa kohë do të sharron shoqëria në këtë lym…, këtu më ra të dëgjoj “derisa qytetarët merren me politikë, qeveritarët merren me hajni”, edhe kjo është një retorikë inflative, dhe të gjitha këto të meta shoqërore të grumbulluara mund t’i pastroj vetëm drejtësia e bazuar në ligj. Kur…? Në fakt politika e Prishtinës ka filluar të bëhet më laramane se që ishte, madje pulenët partiakë kanë filluar të vdesin nga zilia se nuk përkdhelen, nuk ka kush t’i përqafojë apo t’i puthë në ballë, ashtu si heronjtë që krijohen nga filmaxhinjtë. Të mësuar të jenë të ndryshëm nga të tjerët, të kenë telefonat me mbushje të paras publike, me një fjalë të jenë VIP, të kenë kontroll mbi krimin e organizuar, pushtetin politik dhe mbështetjet politike, vënien e gjobave, por edhe “këshillat” e rrepta në telefon për biznesmenët e ndershëm që dridhen prej tyre; a janë ata më të fortë se ligji? Analogjia me pushtet aftësia për të zhvatur pasuritë e të tjerëve; aftësia për të vënë pasuri në emër të tjerëve. Deri sa në botë të tillët kanë kundër shtetin ligjor, në Kosovë ata janë politikëbërës, bëjnë ligjin! Me gjithë respektin, duke u kapur mbas liderëve, kanë farë vlere ata të cilët as që i lexojnë programet partiake, veçse i kanë si pika referimi, për të përparuar në karierë, janë mesuar t’i shohim si idhuj, njerëz, parrulla, emërtime, e të mbahemi me to (sëmundje virusale kurdoherë, kjo sipas meje) në vend që ne ti mbajmë vlerat universale e të çastit e t’i çojmë përpara, nuk është problemi te këto apo ato zgjedhje, por për çfar synohet në perspektivë të afërt, të mesme e të largët, po ç’ti bësh ..ne nuk kemi ndonjë ide akademike …, ato janë deficit në Kosovë? Kjo më tepër se si një ndarje të partive në provinca, shihet më teper si një përpjekje e figurave politike për të ngritur bastione partiake dhe krahinore, si nje bashkim fronti dhe lëshime qe i bëjnë njëri tjetrit.
Kosova sigurisht që ka nevojë për debate të hapura, por shumë më tepër për ligje, apo ato zëvendësohen me një dukuri të re të plasimit të analizave të deputetëve (me tituj “shkencor“ të fituar gratis, paslufte), ata që do të duhej të ishin më të zëshëm nga bangat e parlamentit, janë bërë “yje” medial, dy a tre prej tyre buzë-qumsht të prishur shfrytëzojnë edhe rrjetet sociale për të fyerë, nuk dihet a përqojnë ata mesazhin e votueve apo preokupimet e tyre, kështu ata pa vetëdije po keqëpërdorin detyrën zyrtare, ngase kanë përzier kompetencat e përfaqësuesve të popullit me ato të “opinionistëve” në “facebook“, e ata duhet të kryejnë punën për të cilën paguhen, duhet të evidentojnë dhe t’i ngrehin në parlament problemet ekzistuese të popullatës. Kjo tregon paaftesine e politikës shqiptare në Kosovë për të marrë tiparet karakteristike të një klase politike e aftë për te drejtuar një shtet. Dhe në të njejtën kohë nuk është e aftë të marr një rol stabiliteti konstitucional. Duke ditur potencialin e madh qe ka vendi yne, shtetet fqinje rreth nesh, nuk bëjnë ndonjë përpjekje të madhe për të kuptuar realitetin e ri politik, vejnë barrierë në mallrat me vulë të Republikës së Kosovës, ato më shumë na mbajnë me fjalë “bashkëpunimi” që të mos na dëgjohet zëri në Evropë, se sa të na shohin si partnere në rajon.