Agim Vuniqi

Agim Vuniqi “Rrobaqepësit” e hartës së Kosovës dhe Parlamenti-teatër kukullash

Kosova me flamur, nuk dihet ende kush e qëndisi i pari, bile si simbolikë, nuk dihet saktësisht pse ai ka 6 yje, meqë në pjesën hyrëse të Kushtetutës nuk është saktësuar komuniteti shumicë dhe ato në pakicë. Ende nuk po dihet a duhet tash flamurit t’i shtohet edhe një yll, ngase si duket Kosova do të “rilindë” edhe me një komunitet, atë malazias; nuk u qartësua as laramania shumëngjyrëshe, dhe domethënia e tyre, zatën parlamentarët e devotshëm dhe të gjithëdijshëm e ngjyrosën flamurin me dygishtërinjët e tyre për “hatër” të Evropës, sipas urnekut të saj, ndërsa Evropa për hatër të Serbisë e la Kosovën dhe shqiptarët jasht dyerëve të saj. Kosova është edhe me me hymn ( psss…st pa fjalë “no comment”, ka qenë vështirë të gjenden fjalët, ngase edhe ashtu shqiptarët janë ba pikë e pesë..nuk po dijnë cilën gjuhë zyrtare komunikimi ta zgjedhin..shqip, ship, arnautçe, kosovar, kosovometohiisit.., akoma po merren hulumtuesit e rinjë “newborns-it” me përpilimin e abetares së re, jemi në pritje të sihariqeve të reja që do t’na i servojnë analistët me pedigre, për vitin e “thyerjeve të mëdha”, e një harte të re… rrudhjes së territorit të Kosovës. Si duket optimizmi i madh i “kosovarëve” në shtetin e të “drejtës univerzale” do t’i detyroj përfundimisht të bëjnë edhe një transakcion “etnik”, amandament shtesë këmbim për ambasadë, duhet t’a plotësojnë kushtetutën me amandament shtesë, rrudhje e territorit të ri të Kosovës dhe pranim edhe të një komuniteti – malazias; priti në t’ardhmen edhe kombet e reja; ligji mbi shtetësinë ka përzënë shqiptarët e Luginës së Preshevës…, edhe të luginave tjera shqiptare, ndërsa do t’i “kurorëzojë” të tjerët për tri vjet me shtetësi. Do të kemi dhëndurrë e nuse të reja, për bereqet, dhe themi ja kjo është pavarësia, kështu do të shpreheshin përkrahësit e devotshëm të dokumentit Aahtiari, të dokumentit 14 pikësh të trojkës ndërkombëtare, të Traktatit të Miqësisë me Serbinë, të bisedimeve “teknike” për dekompozim sovraniteti territorial… Do të presim edhe shumë sihariqe të reja, por jo për premtimet për të cilat paguhen deputetët dhe për të cilat kanë marrë votën në zgjedhjet parlamentare.

Askush nuk konteston faktin se Kosova është ndarë ligjërisht-me Kushtetutë nga Serbia, nuk kontestohet asnjë nga faktet që janë të depozituara në dokumentin e Ahtisarit, por është shumë e pakuptueshme që nuk po dëgjohen zërat tjerë që mendojnë pak më ndryshe dhe ata, “nganjëherë”, konsiderohen si “armiqë të brendshëm”, apo jo? Duhet të shprehen haptas parlamentarët për këto tema të nxehta, nuk duhet lejuar edhe më që shoqëria kosovare të mbyllet “hermetikisht” , ngase secili ka të drejtë të mendojë dhe të shprehë mendimin, pra duhet t’u jepet hapësirë mediale edhe atyre që janë për zgjedhje të reja, apo zgjidhje funksionale të shtetit të shoqëruar me propozim masash dhe operacionalizim kohor të tyre, të dëgjohen argumente të reja. Pse shprehet një nervozë e pamatur te ata që shohin bardhë-zi, dhe ua imponojnë mendimin të tjerëve. Nuk di me çfarë kandari masin njerëzit mendimet, dhe sigurisht më me dëshirë ua vënë debatuesve shenjat dalluese “na dhe ata” (secila parti që garon veç e veç). Tash që do e “shartojnë” edhe dokumentin Aahtisari, nuk lodhen aq shumë, ngase sipas axhendës janë imponuar e lansuar koalicione lojaliteti si prioritet. Por edhe tash bile shumë më fuqishëm duhet të deklarohen parlamentarët për këto rrjedha, jo për rritje rrogash, e ndërtesa të bukura; pastaj për parlamentin e “emëruar” teatër kukullash (këtë të dytën e shtova unë). Shpejt po harrohet se sa domethënëse do të jenë dialogu “teknik” 2018,  do të varet ashtu siç vendosin “rrobaqepësitë” e hartës së Kosovës.

Nuk harrohet aq shpejt vrapimi aq i zhurmshëm i përkrahësve të dokumentit “profetik” që “nuk kishte” të meta, dhe çdo pikë dhe presje ishte atraktive dhe shumë domethënëse, ngaqë kompromisi ndaj kërkesave serbe ishte pavarësia dhe sovraniteti i cili tash fare pak përmendet. Nëse u përmbahen fjalëve që kanë thënë më heret, se nuk do të ketë kompromis dhe se në çdo cep të Kosovës do të shtrihet sovraniteti kushtetues etj., etj., ne u besonim fjalëve të tyre, por ata demantuan veten, por fjalët kanë mbetur të shënuara, ato nuk avullohen, edhepse për momentin mund të harrohen. Mirë ne që nuk kuptojmë ç’është marrëveshja dhe ç’është kushtetuta, mund të konsultojmë literaturën, dhe do të kuptojmë se akti më i lartë juridik i shtetit është kushtetuta. Pajtohemi apo jo, sigurisht që po. Dhe shteti pa flamur nuk bënë, mirë.., por Kosova kishte kushtetutë kur ishte krahinë e ish federalizmit jugosllav, kishte edhe flamurin që valonte në ndërtesat shtetërore pas vitit 74, valonte flamuri shqiptar me yll, të njëjtin e kishte shteti zyrtar i Republikës së Shqipërisë, dmth Kosova kishte flamurin shqiptar dhe flamuj të tjerë, kishte edhe kushtetutën, por nuk ishte republikë. Tash që është republikë-shtet, a dihen saktësisht kufijtë e shtrirjes dhe deri ku e ka sovranitetin e mbuluar, apo është shtet me territor të okupuar? Dhe cili ishte ataku i parë i Serbisë në fund të viteve të 80-ta, por edhe tash, 2018, ishte dhe është ataku kushtetues, dmth., ndryshimi i amandamenteve kushtetuese! Pra, edhe tash bëhet i njëjti atak, dhe shumë aktivistë të deridjeshëm të diskutimit për ndryshim të amandamenteve, mbajnë edhe sot pozita, por edhe shumë nga ata deputetë e njerëz që u rrahën, u burgosën, të gjithë janë bashkë, dhe të gjithë së bashku pajtohen për rritje rrogash! Dhe të gjithë ata që menduan ndryshe, por edhe shumë sish që edhe sot mendojnë ndryshe si Lëvizja “Vetëvendosja”, apo Organizata “Çohu”, po përbuzen edhe intelektualët e pavarur opozitarë.

Sot kur kujtesa dhe skepticizmi na mbajnë në ethe, na rikujton programin jugosllav të rikthimit të serbëve dhe i malazezëve në Kosovë-tash ka filluar t’i hjeket pluhuri dhe po nxirret nga sirtarët përsëri. Nuk janë këto kohë të largëta dhe mbamendja nuk trathëton, mundeni të riktheheni dhe të kërkoni në komjuterët tuaj ngjarje nga ajo kohë. Dhe nuk është ndonjë ndryshim i theksuar i programit të atëhershëm të kthimit të serbëve në Kosovë me të sotmin. Nuk e konteston askush detyrën e pushtetarëve që t’i kthejnë qytetarët në pronat e tyre, por kush do e bëjë këtë? Nuk mundet qeveria e Kosovës assesi, ngase ajo nuk ka kapacitete të mjaftueshme, por as autoritet. Do ta bëjnë këtë kryetarët e enklavave serbe – tash komuna me autorizime të veçanta…! Si po vehet bashkëpunimi në mes të komunave dhe pushtetit qendror, dhe cili flamur valon në ato komuna? Nuk ka mëdyshje se Kosova po ndahet në dy entitete, dhe enklavat serbe po marrin primesat e autonomisë së zgjëruar. Kosova nuk ka fe zyrtare, po…, kisha serbe që ka fituar atribute të pushtetit real, të drejtën e qeverisjes dhe financimit me pronën, e shkëputur nga Kosova institucionalisht, pa kurrëfarë lidhjesh institucionale. Shumë shpejt është harruar historia, le të konsultohet pak literatura dhe do të kuptohet se shtetin serb e ka ngritë kisha serbe, nga aty edhe buron shtetësia serbe. Duhet të kuptojnë edhe këta pushtetarë të sotëm, por edhe kujdestarët këtij shteti kësisojë, se shteti ka formë dhe forma zyrtarizon shtetin.

 

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …