Serbia ka rritur avantazhet në krahasim me politikën inerte të jashtme të Kosovës, e cila më tepër ka bërë improvizime… Fjalët e thëna duhet të peshohen mirë para se të publikohen, meqë çdo fjalë e “papërtypur mirë” merr konotacion shumë negativ
Parazitizmi partiak është i vërejtur nga qytetarët, por nuk ka ndonjë inciativë të fuqishme dhe të furishme qytetare për reforma institucionale. Nuk pritet ndonjë ndryshim nga OJQ-të, të cilat janë të veshura me kostumin e suflerit, këtë duhet ta bëjnë qytetarët, të organizuar nëpër vendet e banimit, të cilët duhet të bëhen lobues të zgjidhjes së problemeve të brendshme. Eshtë shumë vështirë të arrihet një gjë e tillë, por duhet të lëvizë diçka, meqë partitë opozitare janë në defansivë; jo për shkaqe ideologjike, sa pragmatike. Nuk ka ndonjë marrëveshje e përbashkët, por më tepër bëhet fjalë për një organizim anarkik opozitar, dy janë tamam opozitë LDK dhe VV, ndërsa PSD koketon me pushtetin për t’i mbajtur pozitat që iu ofrojnë të mira materiale, është pra një grup deputetësh të VV-së të cilët pretenduan ta rrëzojnë liderin më të votuar të Kosovës, sa ishte në burg, nuk kanë ndonjë strategji të kujdestarisë në vendimet e qeverisë.
Në Kosovë pas debaklit të anëtarësimit në “Interpol” u krijua klima e mosbesimit dhe të frustruimit të drejte dhe kritik. Vëmendja e opinionit u përqëndrua si kritikuese ndaj MPJ-së me batuta e pa to. Dëmi i shkaktuar veç u paralajmërua pas aktivizimit “subversiv” të Serbisë kundër njohjeve të reja, por edhe atyre të pranuara. Sigurisht që pasojat për Kosovën janë të pallogaritshme, pyetja është pse nuk kërkuan ndihmën e opozitës në fazën e lobimit, apo vetë procesi lobues ishte me sherre. Mospërfillja e pushtetit ndaj opozitës ishte disfatiste, e një mos angazhimi të tyre në konsolidimin e shtetit dhe të një angazhimi më cilësorë dhe më të denjë përfaqësues në udhëtime zyrtare jasht shtetit, për të ndihmuar dinamizimin e njohjeve. E drejta e tyre është e pacenueshme, t’u drejtohen edhe shteteve nga të cilat cilat trembet qeveria.
Darkat dhe drekat e begatshme qeveritare, sikurse ajo e kryeministrit Haradinaj, nuk mund të konsiderohen si private, por janë kryekëputë konflikt interesi, sepse kryeministri është fytyrë publike, i cili paguhet majmë nga buxheti i Kosovës. Çdo pushim i zyrtarëve të vendit duhet t’i prezantohet publikut, përndryshe këto sjellje feudale nuk mund të karakterizohen për ndonjë angazhim serioz.
Deri më tash nuk është mbajtur ndonjë konferencë për gazetarë për t’u qartësuar roli i presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit lidhur me skenarin e bisedimeve që priten të mbahen me Serbinë, si dalje nga “çorrsokaku” politik-diplomatik. Pra, nuk ka pasuar as ndonjë konferencë për gazetarë pas takimeve të tyre sekrete, ku atyre mund t’u shtroheshin pyetje në të cilat do të përgjigjeshin ata me dinjitet.
Mosnjohja e pritur e Kosovës ka zvarritur edhe procesin e aderimit në strukturat evro-atlantike, në BE, në. NATO, si dhe në organizmat tjera të OKB-së.
Ofensiva diplomatike serbe e përkrahur më heret nga Rusia, tashmë ka renditur edhe të tjerët në favor të saj, si India Spanja, Sllovakia, Rumunia…, ka krijuar nebulozë edhe në OKB.
Edhe pse Serbia ka rritur avantazhet në krahasim me politikën inerte të jashtme të Kosovës, e cila më tepër ka bërë improvizime deri më tash, sesa ka pasur ndonjë angazhim serioz, nuk mund të ndryshohet realiteti në Kosovë. Deklaratat e pamatura të lidershipit më tepër kanë premisa të deklaratave të udhëheqësve tribalë apo ideologjikë sesa të karakterizohen me ndonjë seriozitet shtetëror. Fjalët e thëna duhet të peshohen mirë para se të publikohen, meqë çdo fjalë e “papërtypur mirë” merr konotacion shumë negativ te shtetet të cilat deri më tash kanë shprehur rezerva ndaj njohjes.
Eshtë i padiskutueshëm përcaktimi i Kosovës në anën e perëndimit, nuk ka nevojë edhe aq shpesh të theksohet ky konstatim, ngase evro-amerikanët dhanë viston për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, pas bisedimeve të stërzgjatura dy-tre palëshe në Vjenë, u pranua edhe vazhdimi i bisedimeve me kërkesën e rusëve, që më në fund përfundojë me marrëveshjen Ahtisaari, dhe inkorporimi i të gjitha pikave të saj në Kushtetutën e Kosovës. Kërkesa për pranimin e Kosovës nga ana e bllokut të “painkuadruarëve”, të shtetetve arab-folëse dhe të atyre të Amerikës Latine mbeti e shurdhër, jo vetëm nga përtacia diplomatike e MPJ-së, por edhe mosserioziteti në qasje.
Pragmatizmi politik është i domosdoshëm, për t’iu bashkangjitur interesave gjeostrategjike të miqëve, siç shprehen shpesh liderët shqiptarë, prandaj kërkohet një qasje moderne në diplomaci, dhe sigurisht pa angazhimin e përhershëm të grupazheve lobiste të shqiptarëve në Perëndim e kudo, është vështirë të realizohet synimi për një qëndrushmëri institucionale. Prezantimi sa më i denjë i arriturjeve pozitive rrit gjasat edhe për shtytje investive nga jasht dhe përparim ekonomik. Por derisa qevritarët vazhdojnë me përtacinë anadollake, praktikë e përditshme që është e kundërt me atë të deklarimeve, do të mungojnë edhe rezultatet në të gjitha fushat.