leoni

Agim Vuniqi

Agim Vuniqi: “Shërbyesit” e popullit

“Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”. (Fridrih Niçe)

Së pari ç’bënë ata që i mbyllën të gjitha fabrikat, thanë ato duhet privatizuar, duhet marrë punëtorëve e duhet dhënë “shërbyesve” të popullit, nuk dëgjohej më zëri i punëtorëve që vraponin në mëngjes të vargohen në autobusët e punëtorëve…

Si të shkruhet historia dhe mjeshtëritë luftarake të kaq shumë gjeneralëve, të aq shumë betejave të fituara? Do të fillojmë të përmendim një nga një. Nuk di a do të kujtoheni për ndonjë strategji apo doktrinë ushtarake, nuk lanë ndonjë dokument të arkivuar ushtarak, as bibliotekë ushtarake. Shumë zhurmë mediale u bë për SHIK-un, por UÇK-ja mori tatëpjetën me dorëzimin e armëve, pastaj filloj dalëngadalë të demilitarizohet dhe të çmitizohet. I ndërrohet destinimi, krijohet si TMK, për t’u lartësuar në FSK, dhe tash trumbetohet se kushtetuta qenka shkaktare të mos kërkohet në asnjë forum ndërkombëtarë pranimi i saj si ushtri. Mirë po ç’u bë me armët që ua dha donacion ish-presidenti amerikan George W. Bush, u harruan ato, edhe pse ai kishte nënshkruar dekretin dhe e kishte pasuar në Kongres dhe i njëjti ishte votuar.

Deri tash u veçuan Beteja e Llapushnikut dhe e Kosharës, ama ajo e Kosharës theu kufinjt shqiptaro-shqiptarë. Pse harruat Betejën më të madhe të një familje-ushtri të Jasharajve, apo ata ua prishën hesapet, athua ku ishin atëherë gjeneralët e sotëm?

Pastaj në luftë dekoratash u angazhua edhe LDK-ja, nuk e di cilën organizatë militare-paramilitare të luftës patën, bile të kishte qenë e përafërt me HDZ në Kroaci, apo sikurse të këthyerit nga diaspora kroate, Partia e Drejtesise se Paragës, i cili jeton si të gjithë qytetarët tjerë kroat.

Por, ata me guxim përmendin Betejën e Loxhës, dhe ç’ndodhi pas asaj beteje “çlirimtare”, u hap tuneli i dezertimit në Mal të Zi, pastaj në Shqipëri. Opinioni duhet të kuptojë se çka vërtetë ndodhi me atë dokument-letër, urdhëresë, të tërheqjes “taktike” , sepse u tha se kjo është bë me vendim të ministrit të mbrojtjes, sigurisht me dije të kryeministrit në ekzil. Derisa  njërin e vranë, ai tjetri është i lirë të flas, dhe pse flasin të tjerët pa kompetencë kur ish-kryeministri është gjallë.

Tash shumë deputetë në parlament kanë vënë “tatuazhet” e nismëtarëve të UCK-së, të atyre që u treguan të zotët që ia vunë emrin, por ama ata nismëtarë harruan të tregojnë ku kanë luftuar, cilën betejë e kanë fituar…Se përndryshe shumë të rinj do të vënin tatuazhe me të bëmat e tyre heroike, edhe me të atyre që vuajtën në burgjet sllavo-komuniste. Ka shumë vepra të shkruara në këtë stil, atyre, serbëve ua veshën ideologjinë, jo vetëm atyre por edhe të tjerëve të rëndomtëve që punonin në po atë kohë për një rrogë mujore, pra komunizmit ia kishin veshur kostumin e sllavit, edhe-pse në tërë globin tokësor ka akoma asish si në Kubë, në Venezuelë, Kinë, Korenë Veriore etj.

Shumica e tokësorëve jetojnë nga puna e kinezëve liliputanë, të cilët punojnë nga agu i ditës deri në muzgun e natës, ndërsa këta demokratët e Kosovës, as që lodhen të punojnë, i kanë të gatshme të gjitha. Shtypi ditor shpesh i ka përgojuar si grupe që u vënë haraq bizneseve të imëta, disa të tjerëve që kanë lëpirë në një kalanicë me vëllezërit e marrëveshjes, nga frika se do të viktimizohen bëheshin donatorë të politikanëve.

Kundërshtarët tuaj, miqtë e marrëveshjes, ju thonit se ju kanë rrahur e maltretuar, si u bëtë kaq zemërgjërë që të falni gjithë atë sakrificë tuajën atdhetare. Tash keni dhënë pajtimin që të kalojë edhe ligji për amnisti, atë të drejtë ka filluar ta zbatoi presidenti “me te njofshëm”. Presidenti është përgjegjës për të amnistuar, njpjtë si presidenti në SHBA, dhe këtë të drejtë ligjore pse po përpiqeni të ndërroni me ligj të ri, për ta bërë pjesë të marrëveshjes për tu amnistuar në pako edhe vrasësi edhe i vrari, dhe të lëni gojëkëqinjët të thonë se u amnistuan të gjithë hajnat e horrat e kësaj botë.

E ju gazetarë të nderuar a nuk guxoni të shtroni pyetje “miqëve” ndërkombëtarë dhe t’i pyetni, ky ligj të cilin po e përkrahni si të mirë a bënë t’ua japim juve si dhuratë, athua do të skuqen, se këtë që thash jam i sigurt as që kishin pasur guxim ta përmendnin në vendet nga buron demokracia, sepse do të përshëndeteshin me karrierën e tyre politike.

Kështu ju duke demonstruar e protestuar, duke hyrë në grevë urie, qytetarët ua dhanë besimin. Shumica e të rinjve të cilët kanë harruar luftën se ishin fëmijë, a duhet vazhdimisht të dhurohen me ëndërra sherbeti komandantësh… Jo more po këta nuk ishin më të mëdhenj se ç’ishte Winston Cerqili i cili humbi zgjedhjet pas përfundimit të luftës së dytë botërore, ngase qytetarët ishin lodhur nga lufta. Edhe ne qe 19 vite jemi duke u “zbavitur” me këta komandantë, tash politikanë, për shumicën nga ta nuk kishte dëgjuar fare opinioni. Por, “politikanët e luftës” u rritën se kishin bërë foto me “kallashin”, në kohën kur shumica nuk kishte ushqim për darkë, por a luftuan, nëse po ku?Ne mendonim se janë tamam atdhetarë, se qëllimi i tyre ishte liria dhe dëshira për një jetë më të mirë…

Së pari ata i mbyllën të gjitha fabrikat, thanë ato duhet privatizuar, duhet marrë punëtorëve e duhet dhënë “shërbyesëve” të popullit, nuk dëgjohej më zëri i punëtorëve që vraponin në mëngjes të vargohen në autobusët e punëtorëve. Tash ishte ndërruar agjenda në mbrëmje dëgjohet zëri i kalamajve nëpër kafe-internet duke luftuar njëri me tjetrin “contra strike”, duke ua marrë gjumin pleqve, apo zëri i zhurmshëm i të dehurëve nëpër bastore, të cilat ua “vodhën” metelikun e fundit duke menduar se do të kapin ndonjë shifër të majme eurosh, e cila do t’ua rikthen gëzimin fitues në familje. Shpresat vazhdimisht thyhen, ndërsa pronarët e bastoreve përfitojnë, disa prej tyre nga Tirana, kanë zgjeruar myshterinjtë e Shqipërisë ETNIKE, të cilët i bëjnë të lëvizshme kuotat sipas ngjarjeve sportive, dhe shpesh dëgjon ofshamat e bashkëqytetarëve të mijë. Ende kanë mbetur ashtu, edhe pse unë lëvizi poshtë e lart, ata ofshajnë se i qiti një ndeshje, apo skaudroja që adhurojnë, pastaj aty afër kanë edhe “slot mashine” të kalibruara mirë që ua grabisin edhe centin e fundit. Kam dëgjuar që në këtë biznes lojërash elektronike fati, ku mund të humbasish, asnjëherë të fitosh, qëndrojnë politikanët, e ata presin votat e këtyre sovranëve të rrjepur.

Shpesh kam menduar sa ka kushtuar lufta në Kosovë, dhe sa u ka kushtuar qytetarëve paslufta, mendja më thotë që do të ishte shumë më e lirë me mercenarë të paguar profesionistë, sesa me profiterët vendorë të luftës, të cilët po i shohim përditë në foltoren e Kuvendit. Bile “mercenarët” pas fitores do të ktheheshin në ndonjë rajon tjetër lufte dhe nuk do të kishim tërë këtë zhurmë komandantësh, të cilët donin ti materializonin frytet e fitores.

Uzurpuan plaçkitën gjë pa bë s’lanë dhe kështu pas gjithë atij numri luftëtarësh të cilët ranë në betejën e luftës me nderë, këta të tjerët u çoroditën dhe rrjepën popullin e ndjerë.

Edhe sa konventa partiake, edhe sa dasma e ahengje do të ndodhin në këtë vend deri sa të fillojnë të tymojnë tymtarët dhe të dëgjohet zhurmimi i zërit të punëtorëve… Edhe sa shtete duhet të pranojnë Kosovën të ringriten sërish si statuja këta burracakë. Mirë o burra e gra ministër e deputetë ju nuk nënshkruat asnjë marrëveshje ekonomike më shtetet që ju pranuan, dhe askush nuk ia pa hajrin asgjëje, pastaj sërish flisni për vizat e bardha, dhe lëvizjet e lira, me çka…? Këtu në Amerikë qytetarët me shumicë nuk kanë udhëtuar gjëkundi, edhe pse kanë atë liri, le që nuk kanë vizituar ndonjë shtet tjetër jasht Amerikës, por nuk kanë lëvizur as nga shteti ku punojnë, bile shumë sish nuk kanë lëvizur nga vendi ku jetojne-jetesës, i atij të lindjes në perëndim, apo atij të jugut në veri, sepse qytetaret janë larg nga njëri tjetrit, gasi kushton, dhe puna të lodhë, një turnë e zgjatur, apo dy turne, për të jetuar, për të ushqyer, rritur fëmijët dhe për t’i shkolluar. Ndërsa në Kosovë shtrohen qylymët e kuq, përpara qytetarët i mbanin nën sqetull si sixhade, tash shkelin nëpër to të adhuruarit e popullit, politikanë iu thonë, ata që rjepin qytetarët çdo ditë dhe që qytetarët mund ti shohin vetëm në vetura të shtrenjta me xhama të errët, dhe atyre iu thonë përfaqësuesit e popullit.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …