Agim Vuniqi

Agim Vuniqi: Thaçi piroman i shkathtë, apo zjarrfikës i guximshëm?

Rastet e fundit në Kosovë të koncesioneve të mëdha, të palejueshme, të deklaratave të pamatura dhe të padiskutuara brenda institucioneve legale te sistemit, të atyre akademike dhe universitare, por edhe të shoqërisë civile dhe atyre fetare, të personave me ndikim në vend dhe atyre në diasporë si dhe pamundësia e ndryshimeve Kushtetuese bëjnë edhe më të paqartë deklaratat e Thaçit për korrigjimin e kufijve, tmerrësisht të përqarta. Ndërsa pjesë të konsiderueshme të territorit të Republikës së Kosovës nga Thaçi konsiderohen dhuratë e kriminelit Rankoviq, domosdo rrisin  skepticizmin e mëdyshjeve te shtetet që kanë njohur Kosovën në kufijtë ekzistues, të vendosur me Kushtetutën e Kosovës, sipas Komisionit të Badinterit, marrëveshjes ushtarake të Kumanovës gjatë instalimit të trupave të NATO-s si dhe vendosjen e misionit të OKB-së UNMIK, në bazë të rezolutës 1244. Pastaj në po këto dokumente dhe në kufijt ekzistues të sotëm u shpallë pavarësia e Republikës së Kosovës me pajtimin e administratës republikane të presidentit Bush, u zgjodhë me konkurs ndërkombëtarë himni dhe flamuri, dhe u mbrojtë në GJND në Hag e drejta se shpallja e pavarësisë nuk shkel Ligjin ndërkombëtarë.

 

Të tëra këto zhvillime gjatë fazës së shtetndërtimit u përbuzën. Formula e korrigjimit të kufijve lëkundi partnerët e pavarësisë, se Kosova qenka territor i kontestuar, gjë që lëkundi themelet e shtetësisë dhe shtet-ndërtimit, duke i dhënë alibi kundërshtarëve se janë të arsyeshme hamendjet e tyre dhe se ato qenkan të drejta, meqë një pjesë e territorit të Kosovës paska qenë “dhuratë” e Rankoviqit, e Millosheviqit, e Vuçiqit, edhe pse dihet botërisht se Serbia ishte shkaktare e shpërbërjes së Federatës Jugosllave për t’u zgjeruar territorialisht përmes terrorit dhe luftërave gjenocidale.

Thaçi me komentet e tij të papërgjegjshme dhe destruktive është shquar edhe më heret sikurse me Specialen, së pari votimi pastaj kontestimi, me një qëllim të vetëm për të qenë prezent në faqet e mediave lokale dhe ndërkombëtare, duke faktorizuar veten herë si piroman i shkathtë, herë si zjarrfikës i guximshëm.

Ndërsa sa herë aktualizohej nga mediat dhe shoqëria civile mos realizimi i premtimeve elektorale për krijimin e FAK-ut, liberalizimin e vizave, demarkimin e kufijve me Malin e Zi…, ai vazhdimisht lëvizte gurët e kufijve të Kosovës, por asnjëherë nuk kontestoi “Zajednicën” publikisht, ngase ai lejoi negociimin e territorit të brendshëm me Serbinë, e cila nuk pranon sovranitetin e Kosovës, gjë që krijon nebulozë të panevojshme.

Partneri i Thaçit Vuçiqi si palë pranon BE-në, jo Kosovën, edhe për faktin se Serbia nuk ka firmosur asnjë dokument që nuk i ka  konvenuar, duke përfshirë marrëveshjet në Ramboulliet-Paris dhe Vjenë.

Skeptikët mund të druhen nga koncerti evro-amerikan, por së fundi kur pame Jo-në shqiptare për asgjësimin e mbetjeve kimike siriane në Shqipëri dhe Jo-në e vendosur greke referendumiane, me të drejtë thuhet se respektohet vetëm vullneti demokratik i lirë i njerëzve të lirë.

Prandaj kontestimi i marrevëshjeve për korrigjimin e kufijve, para njohjes reciproke, dhe Jo-ja popullore duhet te vie pas nënshkrimit të peticionit dhe krijimit të Komitetit të Referendumit nga ana e Kuvendit të Kosovës për marrëveshjet me Serbinë, si dhe shpërbërjen e parlamentit dhe qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja të lira. Ky do të ishte kursi i ri i historisë dhe instalimi i Referendumit, kjo e drejtë demokratike e pamohueshme është zgjidhja e vetme për të shpëtuar Kosovën nga kthetrat e hegjemonisë serbe dhe puthadorëve të saj. Nuk është shumë i rëndësishem presioni ndërkombetarë, apo mos pranimi i Referendumit në fillim nga Bashkesia ndërkombetare, sa është i rëndësishëm kontestimi popullor me referendum i marrëveshjeve që konsiderohen të padrejta, si e drejtë ekskluzive dhe demokratike e sovranit-popullit.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …