Derisa shtetet përreth Kosovës kanë hapur dialogun me qytetarët e vet për zgjidhjen e problemeve të brendshme politike, qeveria e Kosovës vazhdon avazin e vjetër me premtime për vizat, dhe për formimin e ushtrisë. Kosova e cila ishte pajisur me passporta të reja biometrike (duke u implikuar MPP-ja në aferë korruptive) si njërin ndër kriteret KE-së që duhej plotësuar patjetër, për t’ua mundësuar qytetarëve të tyre lëvizjen e lirë pa viza ka mbetur mbrapa shteteve tjera të rajonit. Kosova po përpëlitet në valët e turbullta të krizës, e cila veç parandihej kur udhëheqësit politikë të PDK-së të përzier në kreun shtetëror të Kosovës dilnin publikisht me skenare që ndryshonin brenda javës disa herë për dialogun teknik, duke dhënë interpretime të luhatshme politike, por që efektet politike si të tilla, ishin politikisht të paparashikuara.
Eksperimenti politik matematikor, i kalkuluar me numrat e deputetëve të AKR-së dhe LS, po tregohet si joreal dhe i dëmshëm për proceset e mëtejme politike. Ky veprim i pamenduar mirë nga aspekti konstitucional dobësoi dukshëm pozitën e PDK-së në sytë e qytetarëve, mos të them që shkaktoi edhe dëshpërim. Kjo ishte vetëm uverturë e ngjarjeve që kishin pasuar më vonë, gjatë përgatitjes së menysë zgjedhore për presidentin “koncesual” jashtë ulëseve të parlamentit, duke rritur ofertat politikisht të motivuara për opozitën e deridjeshme për pushtet.
Presidentit të vendit të cilit i mungonte fuqia konstitucionale politikisht e hendikepuar shfrytëzoi karizmën e liderit të pakontestueshëm në PDK. Falë valvolës së hapur buxhetore papengueshëm po hyn në valët e një beteje të re politike, për të mbajtur pozitën e kryenegociatorit me Serbinë, deri në fund të mandatit. Ai si njëshi nënshkrues i marrëveshjeve të deritanishme, por edhe si akter i bisedave sekrete me Vuçiqin të bëra publike nga mediat serbe, dhe të përkthyera shqip nga ato vendore kanë rritur paknaqësin te qytetarët. Falë gjykimit të drejtë nga Kushtetuesja, Kosova shpëtoi nga “Zajednica” edhepse ekipi menaxhues i saj (katër serbe) pretendon që të hap kanale tjera të nëntokës diplomatike për marrëveshje të re për distriktin e goranëve. Edhepse pushteti i tashëm po i konsideron juridikisht si të pavlefshme, kryeministri po koketon më kriminelët e LS, konkretisht Millan Radojçiqin i cili u instalua edhe nënkryetar i LS. Marrëveshjet e shkruara dhe të pashkruara me LS po e mbajnë Haradinajn të pushtetshëm të shumicës shqiptare, falë bashkëpunimit me kreun e mafisë së veriut duke e bërë partner kryesor ”biznesor” të tokës së Kosovës. Rreziku shtohet në prag të ndonjë marrëveshjeje eventuale të demarkimit kufitar me Serbinë. Askush më nuk iu beson fjalëve premtuese të tyre, ngase ata janë të gatshëm të bëjnë përveq interferimit politik edhe atë kushtetues më veprime të njëanshme si vendimi për rritjen e dyfishuara të pagave, që ironikisht po quhet nivelizim.
Spektaklet nëpër gjykata…
Nuk janë këto ngjarjet e vetme që kanë tronditur skenën politike me spektaklet mediale në krahasim me procesin Bllaca, ngase ai njëherësh akuzonte shumë njerëz, të involvuar, për të cilët qytetarët e Kosovës kishin respekt për të kaluarën e tyre politike. Sigurisht që askush nuk mund të mohoj të bëmat e tyre për rrugëtimin e suksesshëm të Kosovës, por nëse vërtetohen si të sakta pohimet e qytetarit Nazim Bllaca, si i dyshuar dhe dëshmitar i vetëm tash për tash, atëherë ata duhet të japin llogari para gjyqësisë, ngase kështu e thonë ligjet vendore dhe ndërkombëtare, që përputhen me normat e rendit demokratik dhe shtetëror të Kosovës, e cila është deklaruar se do të respektoj këto parime të vlefshme për të gjitha shtetet demokratike.
Pse ka jetuar aq gjatë krimi pa u ndëshkuar në vend, kanë qenë edhe interpretimet shpeshherë të gabuara të heshtjes si akt “kombëtarë”, ngase shumë persona drejtpërdrejt të implikuar vegjetojnë në partitë politike si persona VIP. Inkriminimi i kaq shumë personave të rëndësishëm dhe afria e tyre me krimin ka sjellë vendin para një krize morale, që po i hap dyert e kriminalizimit të luftës çlirimtare të UÇK-së. Tash po kuptohet më qartë pse u viktimizua ajo dhe pse u pranua aq lehtë shpërbërja e saj pas luftës, duke e riformatizuar atë si një forcë e zbehtë zjarrfikësish, apo thënë troç si një organizatë rezervistësh të luftës.
Nuk është hera e parë në historinë e krijimit të shteteve, pas luftës, kur bëhen gabime të rënda gjatë fazës kaluese nga lufta në paqe, ngase “çlirimtarët” mund të keqkuptojnë detyrat e reja dhe meritat e tyre ushtarake t’i personalizojnë duke i keqpërdorur lidhjet gjatë luftës. Gabimet që kanë shoqëruar luftën, të një rivaliteti më shumë politik sesa ushtarak në mes të FARK-ut dhe UÇK-së, po rikthehen tash në mënyrë shumë të egër në skenën politike. Konfrontimi i hapur i linjës së “institucionalistëve”, të cilët mbetën mbrapa proceseve të konsolidimit ushtarak, edhe për shkak të mos prezencës së tyre në vend, krijoi diskrepancën në mes të këtyre dy faktorëve të rëndësishëm, që lufta të mos institucionalizohet, dhe pas lufta të mos kuptohet si proces i rindërtimit të vendit.
Por fatkeqësisht ndodhi më e keqja, një pjesë e madhe e personave agresiv me të kaluar të dyshimtë falë angazhimeve ushtarake u përvodhën në institucionet e pasluftës, duke kryer vepra të rënda të krimit të organizuar, uzurpime tokash, falsifikim dokumentesh pronësore, mashtrime gjatë shit-blerjeve, fshehje të dokumentacionit zyrtar për qëllim përfitimi, deri te implikimi i drejtpërdrejt i avokatëve, i prokurorive dhe i gjyqësisë në bashkëpunim me krimin e organizuar. Jo rrallë zyrat e gjyqësisë kosovare ishin vende ku tregtohej pasuria e paluajtshme dhe zyrtarizoheshin dokumentet e falsifikuara, që gjeti përkrahje edhe në Policinë e Kosovës, më pak, ngase kompetencat e saj ishin pak më të vogla në krahasim me ato të drejtësisë, meqenëse PK ishte nus produkt i ndërkombëtarëve.
Paramilitarizmi partiak…
Se nuk është hera e parë që shërbimi sekret i ndërtuar gjatë luftës të abuzohet, tregoj edhe rasti i Kosovës. Më e keqja është se SHIK-u i krijuar me sukses gjatë luftës, dështoi pas luftës, dështoi ngase institucionet kosovare u dorëzuan shumë herët nga uragani i presionit të ndërkombëtarëve, duke zhveshur pushtetin faktik, nga ai vendimmarrës në atë shërbyes. Që nga atëherë ishte vështirë të kontrollohej SHIK-u, ngase influenca e shërbimeve sekrete të ndryshme që ishin prezentë në Kosovë përmes UNMIK-ut, ishte e madhe.
Kosova ishte bërë terren i përshtatshëm i shit-blerjes së informatave sekrete, ngase institucionet ‘filizë” të Kosovës nuk kishin ndonjë përvojë në ndërtimin e shtetit, shumica e të punësuarve nëpër ministri ishin të papërvojë, e vetmja gjë që kishin mësuar nga sistemi kriminel i Serbisë ishte krimi i organizuar, reketimi, ryshfeti…duke krijuar binomin e kriminelëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Më e keqja e gjithë kësaj ishte se kjo e keqe që po shtrihej gati në të gjitha institucionet vendore kishte si arsyetim bizar “patriotizmin”.
Ndërtimi i shtetit shikohej nga prizmi partiak, dhe benefitet që sillte angazhimi në partitë politike, kështu jo që ndërtohej shteti, por ai parcializohej dhe dobësohej dukshëm, pa të drejtë. Partitë politike në marshimin e tyre partiak krijuan shërbimet sekrete partiake dhe loja politike dalëngadalë po sharronte në lymin e krimit dhe luftën e pashpallur të shërbimeve sekrete partiake, që si qëllim parësor kishte shtrirjen e ndikimit në ndërmarrjet publike, aty krijohej edhe pasurimi i përnjëhershëm i liderëve politikë, nuk mund të thuhet që ndonjëri nga udhëheqësit partiak ishte imun nga kjo formë e pasurimit të shpejtë.
Edhe institucioni i krijuar për privatizimin e ndërmarrjeve si ai i AKM-së- AKP-së, pa ndonjë kornizë adekuate ligjore, ishte qendër e mashtrimit dhe vjedhjes së pasurisë kombëtare, ata janë përgjegjësit kryesor të dështimit dhe gjeneratorët e shkallës së lartë të papunësisë në Kosovë. Aty adresohen edhe vjedhjet e shumta të pronës “shoqërore”-publike; nuk ka sesi të arsyetohen as sindikatat lokale dhe ato qendrore që lejuan plaçkitjen e ndërmarrjeve publike dhe largimin e dhunshëm të punëtorëve nga uzinat, të cilat i kishin ndërtuar vetë me djersën e tyre, por edhe me ndihmën e taksapaguesve kosovarë, të cilët padrejtësisht u vodhën, u vjedhë edhe pasuria e krijuar e pensionistëve kosovarë…
Nuk ka nevojë për ndonjë investigim të veçantë, vetëm shiko si jetojnë politikëbërsit…, shiko ekstravagancën dhe derdhjen e tepruar të parasë publike nëpër tubimet elektorale, edhe kur mbahen zgjedhjet për vendet vakante të të parëve nëpër komuna, aty mund t’i gjesh kriminelët e të gjitha ngjyrave, ideologjive, aty ke orgjinë e estradistëve muzikorë, ke pornografinë politike-publike, e si mund t’i quash ndryshe ata që zhvasin mjetet publike duke mashtruar elektoratin, pa u skuqur fare?
Agim Vuniqi: “Vezirët” partiakë angazhohen ta ruajnë statusin e të paprekshmëve
Po të kishim njëshin që do të përfaqësonte shumicën shqiptare dhe minoritetet, sigurisht që do të zvogëlohej shumë më shumë krimi i organizuar dhe korrupsioni, llogaritë do të jenë më të pastra, kryetari do t’u jep llogari qytetarëve-jo partive politike.
Si duket të mos kuptuarit e demokracisë parlamentare, jo partiake, ka thelluar jazin në mes të qytetarit dhe pushtetarit, dhe qytetari është krejtësisht i zhveshur dhe i pavlerë, ndërsa pushtetari ka monopolizuar çdo gjë, edhe mirëqenien e qytetarit. Të mos kuptuarit e demokracisë parlamentare do të mbetet zorrë qorre edhe për të ardhmen e Kosovës, prandaj në fazën e thënë tranzitore, ka ndodhur të barrikadohet tranzicioni njëjtë si rrugët në veri, do të ishte shumë më e arsyeshme të bëhen ndryshime “minore” në sistemin zgjedhor, edhe pse preferohet ai i cili është aktual, ai proporcional me lista të hapura; sigurisht që nuk pat dhe nuk do të ketë ndonjë efekt po të mos shtohen kompetencat e kryetarit të vendit dhe ai të zgjidhet drejtpërsëdrejti nga qytetarët.
Kryetari i zgjedhur kështu do të ruante autoritetin institucional dhe do të vendoste për shumë prioritete, duke mbikëqyrur kështu kushtetutshmërinë e vendimeve, ai do të ishte personi më i pranueshëm nga qytetarët. Shumë lehtë mund të amendamentohej propozimi i ri, po që se do të kishte vullnet politik në mes të palëve të interesuara-partive politike. Kështu do të zvogëlohej ndikimi, aq i madh i liderëve partiakë, nga aq shumë parti, do të kishim njëshin që do të përfaqësonte shumicën shqiptare dhe minoritetet, sigurisht që do të zvogëlohej shumë më shumë krimi i organizuar dhe korrupsioni, llogaritë do të jenë të pastra, kryetari do t’u jep llogari qytetarëve-jo partive politike. Arsyeshmëria e propozimit është praktike, ngase sistemi zgjedhor i pas çlirimit ishte një debakël i vërtetë qe u kushtojë shumë shtrenjtë shqiptarëve.
Sistemi zgjedhor proporcional me lista te mbyllura krijoi shoqërinë e mbyllur, papërgjegjësinë institucionale, vjedhjen, korrupsionin, anarkinë. Krijoi brezin e politikanëve servil, ngase të gjithë ishin të zhytur thellë ne vorbullen e krimit, duke vendosur bordet në ndërmarrjet publike sipas kriterit partiak, dhe kështu u përbuzë në skajshmëri kriteri i aftësisë dhe përvojës shumëvjeçare në punë. Edhe tash selitë partiake diktojnë çdo gjë: doganat, policinë, drejtësinë, burgjet, ndërmarrjet publike…, e çuditshme, apo jo? Dhe përsëri “vezirët” politikë angazhohen ta ruajnë statusin e të paprekshmëve, edhe pse gishti tregues i korrupsionit të hapur drejtohet në ta. Tash së fundi kanë filluar të dëgjohen prapë “klithjet” zgjedhore. Horruku partiak për ulëset e lëkurës të të parëve nëpër komunat e Kosovës është i rrastë. Edhe tash ata jo që po e afrojnë qytetarin sovran afër kutive votuese, përkundrazi po e largojnë. Ata vetëm flasin… dhe asnjëherë asgjë nga fjala e qytetarit, edhe ashtu ata aludojnë të krijojnë shurdhmemecin votues. Përçudshëm si mund të luajnë aq lehtë me jetën e qytetarit, me të ardhmen e tij.
Shumica e shteteve të taborit socialist eurolindor e kaluan fazën e tranzicionit me shumë mund, edhe ata të ngulfatur nga vala e krimit dhe korrupsionit. Si duket demokracia parlamentare për vendet e ish taborit socialist ishte trampolinë kërcyese për të krijuar pasuri enorme, duke krijuar kështu nga komunistët pushtetarë më herët, tash te pasurit-kapitalistët ekskluziv. Edhe këtyre ditëve u dëgjuan shumë fjalë për zgjedhjet, procesin zgjedhor, pragun zgjedhor…, tingëllojnë shumë keq fjalët e të përkëdhelurve të shoqërisë, të decentralistëve etnikë, unë nuk kuptoj vërtet domethënien e demokracisë parlamentare dhe sistemin zgjedhor, ashtu si e interpretojnë politikanët vendorë, dhe a duhet që politikanët ta “edukojnë” zgjedhësin?
Dhe çfarë rëndësie kanë asambletë lokale por edhe parlamenti qendror, kur vet sistemi zgjedhor nuk rritë përgjegjësinë institucionale dhe ligjore të unifikimit institucional, por krijon ndarjen politike-segregacionin etnik të komuniteteve-decentralizimin, atij të madh dhe atij minoritar. Menjëherë pas përfundimit të ciklit zgjedhor, adresa e partisë nuk duhet të jetë aq e rëndësishme siç po ndodhë në Kosovë, të zgjedhurit obligohen në kryerjen e detyrave të përditshme, në mbështetje të ligjit, jo të preferencave partiake. Atëherë, nëse është ndryshe, garat zgjedhore dhe listat zgjedhore janë të pakuptimshme, ashtu siç është i pakuptimshëm edhe zgjedhja e asamblesë komunale por edhe e kuvendit qendror.
Lind pyetja nëse ata që kryejnë detyrat me përgjegjësi “shtetërore” nuk i dinë detyrimet e veta? – atëherë atyre duhet t’u jipet përshkrimi i detyrave të punës, përndryshe do të sorollaten pa krye, duke mos ditur vërtet cilat janë detyrat e tyre, për të cilat paguhen nga buxheti i konsoliduar i Kosovës, jo nga arka partiake. Si asnjëherë nuk u shkon në mendje të mendojnë kush i paguan ata, anëtarësia partiake, arka partiake, apo ata paguhen nga tatimpaguesit qytetarë, dhe zakonisht është një logjikë shumë e thjeshtë kush të paguan atij i jep përgjegjësi, pra edhe detyrat e përditshme janë në interes të qytetarit votues, dhe atij që nuk voton, edhe ai është qytetar, e jo në interes të partisë që delegon, duhet kuptuar pra edhe përgjegjësitë në at nivel.