leoni

Agim Vuniqi: Zgjidhja më e arsyeshme është pranimi unilateral i pavarësisë së Kosovës

Është viti i tetë nën administrimin e UNMIK-ut, kur edhe filloi të hapet kutia e Pandorës, akulli siberian pengojë rrezet e diellit që vijnë nga tej oqeani, përfundimisht refuzoi kooperativitetin me evro-amerikanët ne Këshillin e Sigurimit për të mos pranuar pavarësinë e mbikëqyrur që ishte sponsorisuar nga perëndimorët , duke u kërcënuar me veto katër herë radhazi. Hapja e bisedimeve rreth statusit të Kosovës dhe zhbërja e vdekjes së heshtur ajo e “status quo”-s, për momentin është fiasko e diplomacisë perëndimore, meqë nuk arritën të të shtyjnë rezolutën e re në KS, për të avancuar të mëparmen atë 1244, që rri si saç i skuqur mbi kokat e qytetarëve kosovarë, duke u garantuar atyre atë që u kishin premtuar lirinë e shumëpritur, që do të kurorëzonte me shumë sukses përfundimin e epokës millosheviqiane dhe postmillosheviqiane. 
Edhe pse dihej që nga fillimi se Millosheviqi arriti që me marrëveshjen ushtarake të Kumanovës nënshkroi kapitullimin ushtarak duke bartur sovranitetin e Kosovës në OKB, jo në NATO, me shumë dinakëri ai zvarriti zgjidhjen përfundimtare të Kosovës, duke shpresuar që Rusia do të rimëkëmbet ekonomikisht, dhe do të rrisë rejtingun e të fuqishmit. Liderët kosovarë ashiqare nuk u treguan në nivel të detyrës, ata ishin shumë më të angazhuar në ndarjen pushtetit material e asesi të njëmendët, duke ekzagjeruar paturpësisht idetë pushtetare, pa kontrolluar fare punën e pulenëve partiakë që thurrën rrjetin e marimangës korruptive për të gllabëruar pasuri enorme jashtë ligjit. Nuk kishte ndonjë politikë dhe strategji e përbashkët për ndërtimin e shtetit, meqë çdo gjë ishte disperzuar dhe nuk pat gjë nga paralajmërimet për një startegji të përbashkët, fatkeqësisht ajo ishte e parcializuar dhe shiqohej nga këndërshtrime të ndryshme dhe me dioptri partiake. 

Edhe pse ishte prezent skepticizmi se shqiptarët përballen me presionin për bisedime me palën serbe të influencuar nga diplomacia ruse për të pranuar bisedimet e drejtpërdrejta mendohej se kjo nuk do të ndodhë,-ashtu deklarohej Grupi Negociator, meqë formula ruse nënkuptonte ndërrimin e tezave atë të shfajësimit historik të palës serbe që shkatërroi dhe dogji Kosovën, ngaqë serbët ishin ata që i shpallën luftë bashkësisë ndërkombëtare dhe NATO-s. 
Realizimi i pavarësisë së plotë është opsioni i vetëm i mbijetesës, ngaqë çdo zvarritje dhe kushtëzim i sovranitetit të plotë është i barasvlershëm me dënimin me vdekje të heshtëshme dhe mohimin e të drejtës demokratike të qytetarëve për deklarim të lirë për të ardhmen e tyre, ngaqë nuk mund të ketë marrëveshje dhe pajtim në mes të palës që projektoi gjenocidin kundër shqiptarëve dhe palës që pësoi nga krimet monstruoze të regjimit të Beogradit, që ende dërgon sinjale të freskëta mbi krimin në Kosovë duke dërguar kohë pas kohe kufomat e paketuara. 
Asnjëherë nuk ka ndodhur në histori dhe në praktikën juridike që të abolohet krimi dhe të dënohet viktima, aq më larg të negociojnë ata drejtpërdrejt në mes vete, në këtë rast me çdo kusht duhet të dënohet pala që shkeli ligjet ndërkombëtare, duke shkaktuar katastrofën humanitare dhe dëbimin e dhunshëm të një milionë njerëzve nga prona dhe shtëpitë e tyre, me marrjen e të drejtës për negocime për statusin final të Kosovës. Por ndodhi si ndodhi, nuk është tash edhe me rëndësi të gjenden fajtorët meqë ata dihen me emër e mbiemër, fatkeqësisht nuk u treguan konsekuent në kryerjen e detyrave të parashtruara, dhe pa fije turpi gënjenin qytetarët dhe njeriut i shkonte mendja se ata më tepër u gjasojnë liderëve botërorë (merreshin me politikë të lartë) se sa liderëve përfaqësues të shqiptarëve si shumicë dominante të Kosovës. Edhe pse ndikimi i rusëve shihet se nuk është i vogël (ashtu siç trumbetonin unionistët-Grupi i Unitetit), ngase ata vazhdimisht përkrahën politikën shfarosëse të Millosheviqit, jo vetëm diplomatët rus, por edhe kisha ortodokse ruse, me në krye kryepopin Aleksej, gjë që u pa se vetoja ruse do të vështirësojë pavarësinë e plotë dhe do të vonojë procesin e pavarësimit. Edhe pse u përshpejtua procesi i bisedimeve, që u iniciua nga diplomacia amerikane, ishte barrierë për përpjekjen ruse që ka pretendim me çdo kusht të rikthehet në Ballkan, por edhe për t’i krijuar probleme diplomacisë amerikane dhe administratës së Bushit e cila është angazhuar si në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm për rindërtimin e infrstrukturës institucionale të Irakut, por edhe krijimin e stabilitetit politik në mes të suni-ve dhe shiit-ve, që do të përmbushte përpjekjet amerikane për demokratizimin e plotë dhe rikthimin e sovranitetit të plotë kushtetues të Irakut. 

Angazhimi i drejtë amerikanë kudo në botë me siguri duhet të kompletohet me pavarësimin e plotë të Kosovës, duke dhënë sinjale të qarta se nuk ka zgjidhje tjetër ne botë përveç ndërtimit të demokracisë në përmasa jo vetëm rajonale, por edhe globale, prandaj çdo përpjekje për vonesën e këtyre proceseve të filluara është vetëm “prashitje në ujë”, kjo nënkupton edhe të drejtën e kosovarëve që vetë të vendosin për të ardhmen e tyre, që do të qetësonte Ballkanin nga ethet e luftës. Meqë procesi i bisedimeve do të pësojë fiasko (palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta), është i pamoralshëm insistimi për biseda të mëtjeme në pakufi dhe procesi të rikthehet në fillim, dhe fundja çka përfiton Kosova nga këto bisedime kur mbi kokë kanë kurorën e zjarrtë rezolutën 1244. Nëse pranohet propozimi që Kosova të monitorohet nga BE-ja, duhet bile së paku ta ketë pajtimin e Kuvendit të Kosovës, respektivisht Kuvendi në një seancë solemne të shpallë pavarësinë dhe njëkohësisht të ftojë zyrtarisht BE-në për monitorim. Çdo zvarritje e mëtejme do të përçante perëndimorët, ngaqë përveç shpenzimeve të mëdha do të krijonte probleme të mëdha edhe në arritjen e pajtueshmërisë për Kushtetutën e përbashkët evropiane dhe të interesave të ndryshme që janë vazhdimësi e lidhjeve të mëhershme historike. Prandaj ajo që fillojë me angazhimin amerikanë edhe duhet të përfundojë, ndoshta edhe me zgjidhjen më të arsyeshme pranimin unilateral të shtetit të Kosovës. Përfundimisht kur NATO-ja intervenoi në Kosovë këtë e bëri me të njëjtën ambivalencë që edhe karakterizon veprimin e saj, “NATO-ja e cila në rastin e Kosovës është më afër protektoratit tradicional të qeverisjes se sa që influencoi ndonjë kualitet të ri. Forcat e NATO-s janë në Kosovë në bazë të mandatit të OKB-së i cili në efekt është kundër aspiratave të popullsisë lokale shqiptare. Shqiptarët nuk luftuan për autonomi, por për pavarësi dhe sigurisht jo të mbeten nën qeverisjen jugosllave”, thotë Kissinger (“Does America need a foreign policy”). 

Kisingjeri saktësisht parashikoi se çka do të ndodhë pas Millosheviqit “Jugosllavia demokratike e përkrahur nga Rusia do të kërkojë në OKB t’ju përmbahet rezolutës së Këshillit të Sigurimit që t’i mundësojë ushtrimin e të drejtave të banorëve të vet”. Cili do të jetë qëllimi amë për kërkesat e kosovarëve për pavarësi të cilat janë të sigurta në përmbajtje. Do të jetë ironike për SHBA që luftuan, tash të rezistojë, por edhe të luftojë qëllimet që të arrihet pavarësia e kosovarëve. Kjo e drejte rezulton edhe nga e drejta e qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë, të sigurt dhe të jenë pjesë e prosperitetit të gjithë qytetarëve evropianë. 
Lufta në Kosovë dhe angazhimi i Aleancës veri-atlantike kishte mu këtë qëllim, prandaj çdo përpjekje për devalvimin e këtyre vlerave do te thotë dështim i plotë i angazhimeve të Unionit Evropian dhe të vetë Këshillit të Sigurimit, meqë rikthimi i Kosovës nga Këshilli i Sigurimit në Grupin e Kontaktit pa u modifikuar rezoluta 1244 (zëvendësuar me një të re) pas tetë vitesh paqeje paraqet në mënyrë të çuditshme përpjekjen për ndërrimin e kursit politiko-diplomatik në raport me Kosovën, edhe pse këtë të drejtë-të drejtën e zbatimit të plotë e kishte misioni i UNMIK-ut, duke rikujtuar faktin se Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian si dhe Banka Botërore ishin përgjegjëse për rindërtimin e ekonomisë së shkatërruar kosovare, dhe atë gjithnjë në pajtueshmëri me kapitullin VII të Kartës së OKB-së, kapitull ky që parashikonte një aksion vendosës dhe imponues. 
Serbia me luftë shkatërroi burimin e shtetësisë së saj, Jugosllavinë, ashtu sië humbi sovranitetin dekorativ të saj mbi Kosovën me luftë, prandaj Serbia gjithsesi duhet të dënohet për shkatërrimin e Jugosllavisë (ish-anëtare fuqiplote e OKB-së) që me luftë të përgjakshme pretendonte që ish-Jugosllavinë ta bëjë Serbi të madhe. Meqë Serbia humbi luftën, nuk ka pajtueshmëri që Kosova të jetë pjesë e Serbisë, meqë për këtë asnjëherë nuk ka dhënë pëlqimin, por është subjekt i pavarur që i duhet vetëm njohja ndërkombëtare. Meqë Rezoluta 1244 i referohet nocionit Jugosllavi e jo Serbi, është vetëm shprehje e raporteve të përkohshme dhe koncesioneve që i bëheshin Rusisë në Këshillin e Sigurimit, pa pëlqimin e Kosovës, vetëm për të ndalë makinerinë fashiste ushtarake të Millosheviqit. Prandaj çdo shtyrje e zgjidhjes së plotë të problemit të Kosovës dhe pavarësimit të saj të plotë, duke pritur aderimin e plotë të Serbisë në Bashkësinë Evropiane, do të thotë stagnim në të gjitha fushat dhe pengim i zhvillimit ekonomik të Kosovës por edhe i vet Serbisë, por edhe rajonit, që sigurisht më vonë do të kërcënonte rajonin edhe nga shpërthimet sociale që do të kushtonin shumë më shtrenjtë për BE-në. 
Bisedimet e mëtejme dypalëshe do të duhej të ishin vetëm një test për të testuar vendosmërinë politike të shqiptarëve për shtetësi, prandaj edhe pranimi i palës shqiptare për bisedime duhet vetëm të përmbushë të drejtën e pakontestueshme të tyre për deklarim të lirë, që u arritë me luftë, ngase forcat vetëmbrojtëse të UÇK-së përligjën të drejtën institucionale të mbrojtjes së territorit, të jetëve të civilëve dhe të pasurisë tokësore e nëntokësore të Kosovës dhe fituan luftën në tokë, të ndihmuara nga Aleanca Veri-atlantike nga ajri, duke krijuar një realitet të ri, të demokratizimit të shoqërisë qytetare dhe mbajtjes së zgjedhjeve dy here radhazi, tash në prag të zgjedhjeve të treta nacionale dhe atyre lokale të cilat do të mbahen në nëntor, duke krijuar kështu paradispozitat reale të jetësimit të pavarësisë së Kosovës dhe pranimit të saj ndërkombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …