leoni

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë merr masa ndaj përfituesve që nuk zbatuan kontratën

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, duke u bazuar në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe udhëzimeve administrative, do të ndërmarrë masa ndaj përfituesve të granteve investive për vitet 2015-2016, të cilët nuk kanë arritur të mirëmbajnë investimet gjatë periudhës monitoruese në bazë të kontratës dhe vendimit me këtë institucion. Kjo agjenci, pas realizimit të kontrollës Ex Post gjatë periudhës 2018-2019, në gjithsej 103 përfitues, ka gjetur se 25 prej tyre nuk iu kanë përmbajtur kontratës dhe vendimit për mbështetjen publike dhe për këtë qëllim Departamenti i Autorizimit të Pagesave në AZHB do të ndërmarrë masa për kthimin e mjeteve financiare bazuar edhe në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural. Krahas kësaj, Departamenti i Autorizimit të Pagesave në AZHB, pas analizimit të dëshmive të ofruara gjatë kontrollës ka hartuar raportin final, ku në bazë të këtij rezulton se vetëm 3 përfitues kanë plotësuar të gjitha kriteret e parapara ligjore lidhur më mirëmbajtjen e investimeve për periudhën monitoruese, 25 përfitues tjerë kanë ofruar dëshmi për eliminimin e të gjeturave, ndërkaq 52 të tjerë kanë ofruar dëshmi të pjesshme. Kjo agjenci njofton se për këta të fundit do të organizohet edhe një kontroll Ex Post për riverifikimin dhe pastaj, duke u bazuar edhe në ligjet në fuqi do të merren masat e parapara ligjore. Të gjitha masat që do të ndërmerren do të jenë konform Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Udhëzimeve Administrative për vitin përkatës. Në bazë të Udhëzimit Administrativ për masat dhe kriteret e përkrahjes për zhvillimin rural për këto vite, pika 1.22 “Periudha e monitorimit Ex-Post kontrolla”,  përfituesi në  periudhën kohore prej pesë vitesh pas ekzekutimit të pagesës së fundit, duhet ta ruajë qëllimin e investimit dhe të gjitha kushtet sipas të cilave ai është përzgjedhur si përfitues. Ndryshe, AZHB-ja apelon te të gjithë përfituesit e viteve paraprake që të mirëmbajnë investimet e përfituara, si mbështetje publike, të cilat kanë pasur për qëllim zhvillimin e sektorëve të ndryshëm. Duke përfshirë ngritjen e kapaciteteve në fermë, zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese, rritjen e prodhimit dhe të punësuarve, me qëllim të krijimit të mirëqenies në bujqësi dhe zhvillim rural dhe rritjen e të ardhurave nga veprimtaria bujqësore. Në të kundërtën, kjo agjenci njofton se do të ndërmarrë të gjitha masat e parapara ligjore për të gjithë ata që nuk i përmbahen këtij qëllimi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …