Më 16 janar 2016, Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës e vizitoi një delegacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë. Delegacioni u kryesua nga z. Ardit Bido- Drejtor i Përgjithshëm dhe z. Endrit Musaj-Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit dhe Trajnimit. Qëllimi i kësaj vizite ishte vazhdimi dhe intensifkimi i bashkëpunimit në mes të dy institucioneve dhe shkëmbimi i eksperiencës së shërbimit arkivor midis dy vendeve. Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës z. Ramë Manaj, fillimisht e njoftoi z. Bido, Drejtor i Ri i drejtorisë së përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë me gjendjen e arkivave të Kosovës, me punën që bëhet, me sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen ata, si dhe me përpjekjet dhe planet për të ardhmen. Gjithashtu, z. Bido u shoqërua për të parë nga afër Depon e ASHAK-së, ku ruhet materiali arkivor, si dhe procesin e punës së digjitalizimit të lëndës arkivore.
Kjo vizitë u finalizua me dakordimin e dy krerëve të institucioneve në realizimin e projekteve të përbashkëta si: Organizimi dhe mbajtja e Konferencave të përbashkët në fushën e arritjeve dhe zhvillimeve arkivore jo vetëm të dy vendeve tona por edhe më gjerë, si dhe nxjerrja e Revistës së përbashkët ku do të botohen punimet e Konferencës; Shkëmbimi i dokumenteve të cilat kanë të bëjnë për vendet përkatëse, me të cilat posedojnë arkivat reciproke; Organizimi i Ekspozitave të përbashkëta; Bashkëpunimi i vazhdueshëm , i koordinuar në aspektin e zbatimit të standardeve më të larta botërore në arkivistikë; Këmbimi i eksperiencave profesionale, por edhe i kapaciteteve njerëzore në adoptimin dhe zbatimin e ekspertizave me qëllim të ngritjes së praktikave, metodologjisë dhe përgjithësisht të zhvillimit institucional të misionit dhe veprimtarisë arkivore në aspektin teorik dhe praktik.