Si rezultat i bashkëpunimit institucional e profesional disa vjeçar mes Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit në fushën e shkëmbimit të të dhënave, respektivisht ofrimit të informacioneve nga regjistrat pronësorë të cilat administrohen nga Agjencia Kadastrale e Kosovës për Agjencinë Kundër Korrupsionit, më datë 15 tetor 2020 në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës është mbajtur një takim pune mes delegacioneve gjithëpërshirëse të institucioneve respektive të udhëhequra nga prijësit e institucioneve, Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti dhe Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit z. Shaip Havolli.
Ky takim rezultoi me nënshkrimin e një memorandumi për bashkëpunim mes institucioneve, i cili ka për synim që Agjencisë Kundër Korrupsionit, bazuar në legjislacionin në fuqi, ti sigurohet qasje në shikim, printim dhe shënim në certifikatat pronësore të administruara nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.
Ky avancim i mënyrës së bashkëpunimit, respektivisht formalizimi i bashkëpunimit me memorandum ku qartë specifikohen fushëveprimi i bashkëpunimit si dhe përgjegjësitë e palëve nënshkruese vjen si rezultat i disa avancimeve që kohëve të fundit ka zhvilluar Agjencia Kadastrale e Kosovës e që kanë rezultuar me kalimin prej mënyrës tradicionale të ofrimit të të dhënave (CD, email, letër) në mënyrë të avancuar, përmes ofrimit të qasjes në të dhëna në kohë reale dhe përmes ueb shërbimeve.
Në këtë takim u vlerësua akti i marrëveshjes, duke potencuar se përftitues kryesorë nga një proces i tillë do të jenë vetë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës pasi që në këtë mënyrë do të ngrihej shkalla e sigurisë së transakcioneve pronësore, do të shmangeshin procedurat burokratike, do të ngritej shkalla e transparencës, do të mundësohej ofrimi i të dhënave kualitative e në kohë reale e ngjashëm.
Përndryshe, për aspektin teknik të implementimit të këtij memorandumi, Agjencia Kadastrale e Kosovës do të ofrojë edhe trajnime të nevojshme për zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit për operim me qasje të limituar në Regjistrin e të Drejtave mbi Pronën e Paluajtshme.