Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka dënuar fyerjet dhe kërcënimet e përsëritura të Sami Kurteshi të partisë Vetëvendosje, i cili mediet i ka quajtur kriminale dhe shërbëtore të vrasësve me pagesë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka vlerësuar se kjo gjuhë dhe akuza të tilla janë të rrezikshme dhe të papranueshme. ‘‘Akuza e tillë, e paprecedent ndaj një medie, nga një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, jo vetëm që cenon lirinë e shtypit, por rrezikon edhe sigurinë e gazetarëve. Për më tepër, Kurteshi ka përdorur edhe gjuhë seksiste, duke i thënë gazetares “ta hangsha loçkën”, një shprehje e padenjë dhe e papërshtatshme për çdo komunikim institucional. AGK-ja i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që urgjentisht të sigurojë që përfaqësuesi i saj në KQZ të mos pengojë punën e gazetarëve dhe të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave. Sulmet verbale ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë seriozisht lirinë e medias në Kosovë’ thuhet në mes tjerash në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
