leoni

AGRON ALIBALI: 65 vjet të gjenocidit kundër Çamërisë

 

Para disa ditësh, Senati Amerikan miratoi një rezolutë për zgjedhjet në Shqipëri. Po, më e rëndësishme se kjo ishte rezoluta e miratuar më 17 qershor 2009, ku Kongresi Amerikan, formalisht, dënoi legalizimin e skllavërisë dhe të segregimit racial në SHBA. Me të vërtetë, edhe pse mjaft të rëndësishme, zgjedhjet shkojnë e vijnë, ndërsa kujtimi i të shkuarës së hidhur dhe përpjekjet “për shërimin e plagëve të njërit prej krimeve më të mëdha kundër njerëzimit në histori [Deklarata e Harry Reid], mbetet detyrim sublim i brezit tonë.
Sot ka një prirje të përgjithshme te vendet demokratike për shërimin e plagëve të hidhura të së kaluarës. Kështu, më 21 qershor 2006, Kanadaja kërkoi zyrtarisht ndjesë për trajtimin çnjerëzor që u kishte bërë emigrantëve kinezë në fillim të shekullit të kaluar, me anë të Taksës për Kokë.
Më 1988-ën, Kongresi Amerikan kërkoi ndjesë për internimin kolektiv të japonezo-amerikanëve gjatë Luftës II Botërore; më 1993-shin u kërkoi ndjesë banorëve të Hawai-t për rrëzimin e mbretit të tyre nga froni; kurse më 2008-ën u kërkoi ndjesë banorëve vendas autoktonë indianë, dhe kështu me radhë.
Për fat të keq, kjo prirje ende nuk ka gjetur jehonë në vendin që mbahet si djepi i demokracisë perëndimore. Nuk ka asnjë shenjë që Parlamenti Grek do të miratojë ndonjë rezolutë në ndonjë të ardhme të afërt, për të kërkuar ndjesë publike për krimet ndaj njerëzimit të kryera në Greqi gjatë Luftës II Botërore.
Bëhet fjalë këtu për zhdukjen e komunitetit historik hebre të Selanikut dhe të atij të Janinës [akti ndaj këtij të fundit i ekzekutuar madje më 25 mars 1944, pikërisht në ditën e Pavarësisë greke), si dhe për gjenocidin çam, akti përfundimtar i të cilit u zhvillua me 27 qershor 1944.
Sipas dëshmive dhe provave historike, para se të tërhiqeshin nga Greqia drejt Shqipërisë, trupat gjermane në rajonin Epir/Thesproti, zbatuan kërkesën e gjeneralit grek, Napoleon Zervas, për çarmatimin e përgjithshëm të banorëve të Çamërisë. Masakra filloi në Paramithi, pikërisht 65 vjet më parë, për t’u shtrirë brenda pak ditëve nga qytetet e fshatrat e Çamërisë së Poshtme drejt asaj të Sipërme, deri në Filat e rrethe. Mbarë popullsia çame myslimane u gjend krejt e pambrojtur para mizorive zerviste të papërshkrueshme për karakterin e tyre çnjerëzor.
Mijëra vetë u masakruan mizorisht, ndërkohë që rreth 30.000 të tjerë lanë gjithçka pas dhe u nisën në këmbë përtej kufirit, për t’i shpëtuar valës së mizorisë fashiste, shpesh duke marrë me vete vetëm rrobat e trupit.
Sipas dëshmisë së një të pranishmeje, në ditët e nxehta të qershorit 1944, u desh ndërhyrja e disa oficerëve anglezë për të penguar një ndër aktet më çnjerëzore të kësaj tragjedie. Para dëbimit për Shqipëri, trupat zerviste grumbulluan gjithë femrat e Paramithisë në një burg të qytetit.
Një natë vonë, vijnë në burg disa banditë zervistë për të çnderuar vajzat çame. Mirëpo plakat çame i vunë vajzat në mes dhe vendosën t’i mbronin ato edhe me trupat e veta. Rrëmuja që vijoi dhe thirrjet dëshpëruese të plakave dhe vajzave çame, tërhoqën vëmendjen e oficerëve anglezë, zyrat e të cilëve ndodheshin aty pranë, që ndërhynë menjëherë dhe urdhëruan ndalimin e kësaj tragjedie.
Ka edhe shembuj të tjerë të veprimeve individuale humane të ushtarakëve anglezë në Çamëri, sikurse nuk mund të mohohet përgjegjësia e shefave të tyre filohelenë që, qoftë për indiferencën, qoftë me nxitjen e tërthortë, lejuan që para syve të tyre të konsumohej një nga faqet më tragjike e çnjerëzore në Luftën e Dytë Botërore.
Çamët do t’i priste në Shqipëri një vend i djegur dhe i rrënuar, si pasojë e operacionit gjerman të qershorit 1944.
Varganët e pafund me refugjatë të dërrmuar e të sfilitur çamë që kalonin në Luginën e Drinos atë verë të vitit 1944, mbetën edhe në kujtesën e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, asokohe një djalosh, të cilin ëndrrat e moshës nuk i kishin reshtur aspak kureshtjen për ngjarjet e çuditshme, dhe në këtë rast, tejet të rënda, që ndodhnin në botën përreth dhe që ai do t’i përshkruante më vonë në kryeveprat e tij, me talentin e pashoq që ia njeh mbarë bota.
Në djegien e Shqipërisë së Jugut morën pjesë trupa gjermane të ardhura edhe nga rajoni i Epirit dhe ndofta u takon historianëve për të studiuar nëse ka patur ndonjë lidhje midis çarmatosjes nga gjermanët të çamëve në Çamëri dhe përballjen e tyre me tokë të djegur në Shqipëri.
Pa kurrfarë ndihmë dhe me shpresën për kthimin e shpejtë në shtëpitë e tyre, refugjatët çamë u ngulën përkohësisht disa kilometra jashtë territorit grek, kryesisht në Çamërinë shqiptare, si dhe në rrethinat e Sarandës. Mirëpo kushtet tejet të vështira të jetesës e strehimit dhe sëmundjet infektive, shkaktuan vdekjen e një numri të madh të tyre, të cilët prehen sot e gjithë ditën në varrezat e Kllogjerit dhe të Mursisë.
Shumë vite kanë kaluar, mirëpo problemi madhor i shkeljes së të drejtave të njeriut në Evropë, i quajtur edhe si “problemi çam”, mbetet ende i pazgjidhur.
reqia e sotme demokratike, që shumë pak të përbashkët ka me Greqinë e Zervës, ende ngurron për ta parë të vërtetën në sy. E pra, Greqia vetëm do të fitonte, sikur të lehtësonte kthimin e individëve të minoritetit çam në shtëpitë e tyre dhe të njihte të drejtat si pakicë etnike të komunitetit çam ortodoks në Thesproti.
Zgjidhja e problemit çam përbën një sfidë midis Greqisë demokratike, moderne, evropiane dhe asaj fundamentaliste, ekstremiste dhe regresive, të përfaqësuar nga qarqet më konservatore e të pareformuara në vend, sikurse janë Kisha Ortodokse, shërbimi sekret dhe ushtria.
Si një komunitet punëtor e i besës, me kulturë e tradita të lashta, çamët përbëjnë për Greqinë një pasuri të paçmuar dhe kurrsesi kërcënim. Ndjenja e pashprehur e frikës, që nënkuptohet në disa sfera të shoqërisë greke, është krejt e pajustifikuar.
Me të vërtetë çamët, si shtetas grekë me kombësi shqiptare dhe de facto qytetarë evropianë, nuk kërkojnë ndryshim kufijsh, dhe as Republika e Shqipërisë nuk ka pretendime territoriale ndaj Çamërisë.
Duhet pranuar se diplomacia shqiptare, deri më sot, ka qenë e paaftë për të ngritur me sukses zgjidhjen e problemit çam para kundërpalës greke. E pra, detyrimi ndaj Kushtetutës dhe ndaj parimeve universale të të drejtave të njeriut, kërkojnë që çështja çame të jetë në krye të agjendës së marrëdhënieve dypalëshe.
Duke shpresuar se administrata e dalë pas zgjedhjeve do ta trajtojë me përparësi këtë problem, nuk mund të mos shprehim habinë për indiferencën e paarsyeshme të disa qarqeve diplomatike në Tiranë.
Të drejtat e njeriut nuk janë përzgjedhëse, por universale. Ato u takojnë të gjithëve, dhe nuk duhen parë sikur “ca janë të nënës dhe ca të njerkës”. Ku janë prania e OSBE-së, Komisioni Evropian apo Këshilli i Evropës në trajtimin dhe zgjidhjen e problemit të të drejtave të njeriut të minoritetit çam? A mund të justifikohet më tej indiferenca e tyre me përkufizime të papërcaktuara juridike për pakicat etnike, apo me kohën e kaluar, duke ditur se krimet ndaj njerëzimit nuk parashkruhen?
Ndërkombëtarët, që nuk lënë rast pa i dhënë leksion Shqipërisë për çdo gjë, do të bënin mirë të mbanin parasysh një parim universal të përsëritur në rezolutën e përmendur në krye të këtij shkrimi: “se gjithë njerëzit janë lindur të barabartë dhe janë të veshur me të drejta të patjetërsueshme për jetën, lirinë dhe rrugëtimin drejt lumturisë”, si dhe thirrjen për “të eliminuar paragjykimet racore, padrejtësitë dhe diskriminimin” në shoqërinë evropiane. ( Shekulli)

Kontrolloni gjithashtu

Në paraqitjen e tij të parë Gjykatës Speciale në Hagë, Haxhi Shala nuk është deklaruar rreth fajësisë apo pafajësisë së tij ndaj tri akuzave. Në seancën e djeshme atij i është lexuar aktakuza, gjoja përpjekje në pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale. Haxhi Shala, i cili ndodhet në paraburgim, ka konfirmuar se ka pranuar aktakuzën në gjuhën shqipe. Haxhi Shala është arrestuar më 11 dhjetor dhe një ditë më vonë u transferua në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Ndërsa, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari janë arrestuar në Kosovë më 5 tetor 2023 dhe janë transferuar në objektin e paraburgimit, më 6 tetor 2023 në bazë të aktakuzës së konfirmuar.

Gjykata Speciale cakton panelin e gjyqtarëve, lidhur me shqyrtimin e kërkesës së Haxhi Shalës për mbrojtje ligjore

Dje më 19 shtator, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar Panelin e Gjykatës …