Konfiguracioni gjeografik i Kosovës ofron potencial të jashtëzakonshëm për ndërtimin e së paku 4 mega-digave për mbledhje të ujit, të cilat krahas stabilizimit aq të nevojshëm të Kosovës me ujë të pijes dhe ujitjes së tokave, shumë më tepër do ta bënin Kosovën lidere për eksportin e energjisë së pastër në rajon dhe jo vetëm.
Por, tri nga këto 4 mega-diga pengohen me çdo kusht nga Serbia:
– e para pengohet nga Komuna e Shtërpcës me shumicë serbe në Brezovicë;
– e dyta dhe e treta pengohen nga dy kishat serbe në Grykën e Deçanit dhe Grykën e Pejës;
– kurse e katërta në Prizren nuk ka pengesa, sikurse tri të parat.
Prandaj, prapa përvetësimit të Serbisë të kishave në Deçan e Pejë fshihet energjia dhe potencialet bujqësore që do të mund t’i ofronin këto mega-diga. Serbia e Rusia së bashku me një armatë segmentësh të shumta pro-serbe e pro-ruse në Kosovë kanë bërë çmos në këto 23 vite çlirim e 14 pavarësi që Kosova me asnjë çmim të mos pavarësohej në aspektin energjetik duke dekurajuar kështu e penguar çfarëdo projekti perëndimor që synonte së paku stabilizimin energjetik të Kosovës.
Po ashtu, një shtrirje rrjeti për ujitjen e të gjitha tokave do ta rriste prodhimin bujqësor në Kosovë dhe kjo automatikisht do ta bënte Kosovën vend eksportues të prodhimeve bujqësore duke e goditur kështu Serbinë që edhe sot vërshon Kosovën me prodhime bujqësore dhe industrinë e saj ushqimore.
Pra, mega-digat në Pejë dhe Deçan do ta godisnin Serbinë në energji ku Serbia është lidere në rajon për eksporti energjie si dhe në prodhime bujqësore ku Serbia është po ashtu lidere në rajon.
Mendimtari i rrallë shqiptar Arbën Xhaferi, jo rastësisht e ka thënë se “nacionalizmi serb është projektues, kurse ai shqiptar reagues.” Atë ditë kur edhe shqiptarët do të bëhen projektues Serbisë nuk do t’i mbetet më kurrfarë hapësire në Kosovë.
E për të ardhur deri te ajo ditë do të na duhet shumë tru, energji dhe punë. Vetëm se mënyra se si jemi duke ecur – kur amatorin e lartësojmë ndërsa profesorin e mirëfilltë e poshtërojmë – nuk do të na bëjë kurrë projektues. Qofsha i gabuar!