Menjëherë pas ofensivës të forcave serboçetnike mbi “Hamocet” e Rahavecit, me ç’rast përjetësohet Bekim Sylka nga Rahaveci, forcat e shumta paramilitare, policore e ushtarake serbe, me pretendime që ta dezorientojnë e pastaj ta shkatërrojnë tërësisht Brigadën 124 “Gani Paçarizi” të Zonës Operative të Pashtrikut, e cila gjatë atyre ditëve vepronte me një batalion shumë afër Rahovecit, luftëtarët e lirisë, më 26 maj 1999 pothuajse gjatë tërë ditës qëndronin nëpër pozicionet e veta në “Arat e Dervish Hamzës”, jo larg “Rrihjeve” të Rahovecit.
Forcat serbe mbështeteshin me zjarr nga paramilitarët “e heshtur” të Sheshelit, të Arkanit e të shumë civilëve serbë të armatosur fort. Kjo “heshtje” e forcave serbe përcillej mirë e me konsekuencë nga grupi i vëzhgimit si “Syri i Shqiponjës” që i afrohej edhe më shumë Rahovecit, madje deri te “Liqeni i Bllatës” dhe “Tumba e Hamzagës”, prandaj, në rrafshin përgatitor, çdo segment funksiononte mirë për t’u mbajtur kontrolli mbi magjistralen Prizren-Gjakovë e rajonales Rahovec- Therandë.
Çdo parametër fliste se me situatën në terren dominonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e në Rrafshin e Anadrinit, luftëtarët e Zonës Operative të Pashtrikut, përkatësisht Brigada 124 “Gani Paçarizi” dhe Njësiti Special për Intervenime të Shpejta. Granatimet nga “Rrihjet” në drejtim të “Hamoceve”, “Luqeve”, “Parakatundeve”, “Pisjakut”, përkatësisht Brestosit, Hoçës së Vogël, Nagacit dhe Celinë s do të fillonin në orët e hershme të mëngjesit të datës 27 maj 1999, ditë e premte. Serbët pretendonin dëbimin e luftëtarëve të lirisë që gjendeshin nëpër “Malet e Hamocit” e të “Rrapishtës” deri në “Grykën e Berrjakës”, pika këto që nuk ishin larg aksit Xërxë-Rahovec, të cilin e shfrytëzonin forcat serbe të stacionuara nëpër lagjet e Rahovecit, të Hoçës së Madhe e të Zaçishtit, lokalitetet këto të njohura si çerdhe të ndryshkuara të paramilitarëve serboçetnikë.
Shpërndarja e forcve serbe në drejtimin “Rrihje” i plandos i përdhe vetë serbët e dehur dhe të shthurur, ndërsa jo larg Hoçës së Vogël përjetësohen dy luftëtarë të lirisë: Sadedin Hajda e Mexhit Mustafa, kah “Luqet”, Alajdin dhe Xhevat Elshani më thellë edhe Selim Berisha. Granatimet vazhdojnë me intensitet të shtuar, në pasdrekën e 27 majit, caku i sulmeve për pastrimin e terrenit bëhet Qëndresa-heroike, luftëtarët e të cilët qenë barrikaduar në istikame, të përgatitura mirë për një qëndresë të pathyeshme. Kështu në luftimet e pasditës, kah ora 15.00 në istikamet e përmendura përjetësohet edhe luftëtari i lirisë Nazmi Hasani, ndërsa plagosen rëndë: Agron Bytyçi i Prizrenit e Manush Berisha i Krushës së Vogël, të dytë kalojnë në përjetësi, Manush Berisha më 29 maj dhe Agron Bytyçi, më 2 qershor, ndërsa plagëve të datës 27 majit u mbijetoi vetëm Sahit Haradinaj i fshatit Qëndresë, por forcat serbe shkatërrohen pa iu afruar fshatit.
Dëshmori i kombit Agron Bytyçi i nënës Shotë nga Gërçina e Hasit, e i babë Islamit të ardhur prej Kasterci të Therandës, në Prizren, i vëllai i Dritonit, Jetonit, Shpëtimit dhe i Valbonës, sot axha i Agronit të vogël, që mban me krenari emrin e axhës luftëtar dhe rritet karahas Liridonës, Leonitës, Linditës, Ilirianës, Arianës, Fatbardhës dhe Erblinit, të gjithë nipër e mbesa, është i lindur më 30 korrik të vitit 1978 në Prizren. Shkollën fillore Goni, siç e quanin kur ishte fëmijë, e kreu në filloren “Abdyl Frashëri” të Prizrenit, ndërsa menjëherë pas përfundimit të fillores i bashkohet të vëllait Dritonit dhe së bashku ushtrojnë zejtarinë e marangozit në Prizren. Por manifestimet e shumta e të shpeshta kundër dhunës dhe terrorit serboçetnik në Kosovë, shumë herët e detyrojnë edhe Agronin që të radhitet në grupet e protestuesve prej 27 janarit të vitit 1990. Kështu nëpër protesta kaloi pjesën më të madhe të ditëve deri në formimin e formacioneve të para të Ushtrisë Çlirimtre të Kosovës në Drenaj të Zatriqit, në Zatriq, në Reti e në Qëndresë kur së bashku me të vëllain, Jetonin, dhe me babë Islamin, Eqrem Hoxhën e Shefqetin, Rexhep Ahmetajn, Hysen Krasniqin, Fevzi Kryeziun, Samit Destanin, Xhavit e Fitim Elshanin, Arben Temajn, Nazmi Hasanin, Manush Berishën, Adnan e Kadri Krasniqi, Bashkim Gashin, Muharrem Morinën, Agim Popajn, i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Menjëherë pas aksionit gueril të 26 prillit 1998 te “Përroni i Keq” në aksin e mgjistrales Prizren-Gjakovë, Agron Bytyçi është së bashku me Kurtishin, Nazmiun, Afrimin, Nezirin, Selajdinin dhe Arton Hasanin, Shaip Rexhepin, Shefqet Bajramin, Mensur Zyberajn, Sokol e Agron Limanin, Manush Berishën, Mustafë Bajraktarin, Luan Feratin e Rexhep Krasniqin dhe skuadrat e bashkuara evoluan në një kompani shumë të fortë në kuadër të brigadave 124 “Gani Paçarizi” të Rahavecit, 123 të Therandës, 125 të Prizrenit dhe 126 të Hasit. Prej fshatit Qëndresë, zë të zhvillohej një logjistikë funksionle falë gjendjes së mirë materiale dhe aftësive organizative të grupit të parë të armatosur, prandaj edhe fillon armatimi i tërë fshatit. Shtëpia e dëshmorit të kombit Nazmi Hasani, shumë shpejt u shndërrua në një shtab lokal ku bëhej organizimi dhe sistemimi i forcave të rezistencës së armatosur.
Betejat e 12 majit në Franjakë, e 14 majit në “Qafën e Gardhishtit”, e 6 qershorit në Drinas, e 19 qershorit në Kromnik, e 17 korrikut në Rahovec, Fortesë, Reti e Apterrush, impononin nevojën e përshpejtimit me furnizim e shtrirje, prandaj Agron Bytyçi, i bashkohet batalionit të Xhelal Hajdës- Tonit në Reti, jo larg Qëndresës ku shkëlqeu me aktivitete luftarake guerile e frontale përreth “Maleve Ujare”, kurse me rastin e granatimit të forcave serbe prej “Megjakut” të Landavicës mbi Qëndresë më 25 e 26 shkurt të vitit 1999 kur në Qëndresë përjetësohet dëshmori i parë Abdyl Binak Pajaziti, Agron Bytyçi vepron në zgjerim, prandaj këtij formacioni i bashkohen edhe shumë të rinj nga Prizreni.
Por, në ditët e fundit të majit të vitit 1999, veçanërisht e tërë java e fundit, për Qëndresën, Retinë, Hoçën e Vogël, Brestosin, Nagacin, Krushën e Madhe, Krushën e Vogël, Piranën, Zojzin, Retinë e Ulët, Apterrushin dhe Medvecin, u bënë vendimtare. Më 27 maj, krahas granatimeve mbi “Hamocet” e Rahavecit, mbi “Pisjakun” e Celinës, kah Vneshti (ish- Samadraxha) i Therandës, e kah “Parakatundet” e Hoçës së Vogël, granatohen edhe pozicionet e pathyeshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Qëndresë dhe po atë ditë pas përjetësimit të Sadedin Hajdës, Xhevdet Krasniqit, Milaim Morinës, Mexhit Mustafës, Valon Myrtajt, Demir Demirajt, Arif Gashit, Bujar Thaçit, Jeton Kabashit, Besnik Përzhakut, Hysen Hotit.
Ismet Kodrës, Nehat e Ruzhdi Jupës, Omer Gegës, Avni e Sinan Hodajt, në istikamet e parnposhtura të Qëndresës, në “Zabelin e Salajve”, ndërsa përpiqej për ta tërhequr Lulzim Shalën e plagosur, plagoset edhe Agron Bytyçi. Pozicioni tashmë dobësohet pasi që tash të plagosurit u shtuan: Lulzimi, Sahiti, Manushi e Agroni.
Bashkëluftëtarët arritën për r’i tërhequr të plagosurit dhe pas ndihmës së parë shtegtojnë në drejtim të Brigadës 126 të Hasit në mënyrë që të plagosurit të kurohen në spitalin ushtarak afër fshatit Romajë, por më 29 maj në spital merr përjetësinë Manush Ahmet Berisha, ndërsa më 2 qershor, po aty, kah “Maja e Romajës”, në “Malin e Ademit”, edhe luftëtari i lirisë Agron Islam Bytyçi.
Në momentin e përjetësisë i gjendet pranë edhe i vëllai Jetoni, sot mërgimtar, punëtor krahu në Perëndim. Në solemnitetin modest ishin të pranishëm edhe Kadri Krasniqi, Hasan Morina, Fatmir Dushaku dhe mjeku Halil Cikaj.
Më 15 shtator të vitit 1999, bashkëluftëtarët zhvarrosin dëshmorin Agron Bytyçi dhe me një solemnitet madhështor bëhet rivarrimi i dëshmorit në “Kopshtin e Dëshmorëve”, në Kodër të Landavicës.
Sot familja ruan shumë kujtime e ashensorë të Agronit, shumë forotgrafi e shkrime, letëridentifikimin “Syri i Shqiponjës” dhe shumë emblema të tjerë, ndërsa një rrugë në Prizren mban emrin e Tij, ndërsa në familjen e luftëtarit Islam Bytyçi tashmë ka zënë të lëshojë shtat Agroni i Dytë. (S. c.)