Agron Ismet Rama (10.8.1972 - 27.3.1999)

Agron Ismet Rama (10.8.1972 – 27.3.1999)

Familja Rama e fshatit Koliq, e cila jeton në fshatin Shkabaj të Kastriotit, luftës për çlirimin e Kosovës i ka dhënë tre dëshmorë, Agronin, Farukun e Albertin, si dhe shtatë martirë: Xhevatin, Xheladinin, Hamiden, Shqipen, Syzanën, Bejtushin dhe Ismetin.

Familja Rama u shpërngul nga fshati Koliq i Prishtinës dhe u vendos në fshatin Shkabaj të Kastriotit (ish-Obiliq). Tradita atdhetare e kësaj familjeje ka qenë e njohur qysh në kohën e sundimit turk. I pari i kësaj familjeje, Nezir Rama ka marrë pjesë në luftë për çlirimin e Shkodrës nga forcat ushtarake serbe e malazeze, në vitin 1912. Për shkak të rezistencës kundër pushtuesit serb, anëtarë të kësaj familjeje janë keqtrajtuar e burgosur në kohë dhe rrethana të caktuara.

Agroni, lindi më 15 tetor të vitit 1969 në Shkabaj. Babai, Ismeti dhe nëna Hatixhja rriten katër bijë: Agronin, Adnanin, Ardionin, Albertin dhe tri bija: Bedrijen, Sebahaten dhe Nailen.

Agroni shkollën fillore e kreu në vendlindje. Meqë i takonte një familjeje me gjendje jo të mirë ekonomike, Agroni qysh i ri merret me punë të ndryshme fizike, me qëllim për të ndihmuar ngritjen e familjes. Babai, Ismeti punonte si lubrifikues në Bardh të Madh, në kompleksin e Mihjes Sipërfaqësore të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe mezi arrinte ta mbante familjen.

Qysh i ri, nën ndikimin e babait e xhaxhallarëve, merr një edukatë të drejtë familjare e kombëtare. Në vitin 1993 bëhet pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Njihet me veprimtarë e me pjesëtarë të kësaj Lëvizjeje, e cila programin e vet veprues e kishte orientuar në rezistencë aktive dhe luftë të armatosur për çlirimin e Kosovës. Duke qenë se Lëvizja vepronte ilegalisht, ajo po ashtu ilegalisht nxirrte edhe organin e vet “Çlirimi”, i cili përgatitej në kushte dhe rrethana të ilegalitetit të thellë dhe po ashtu shpërndahej në shumë qytete dhe fshatra të Kosovës. Kreu i kësaj Lëvizjeje, më vonë dëshmor i kombit, Bahri Fazliu, me bashkëmendimtarët e tij kishte arritur t’ia çirrte maskën politikës durimtare e pacifiste, politikë kjo e cila kishte stopuar për shumë vjet lëvizjen e vërtetë çlirimtare kundër forcave okupatore serbe në vendin tonë.

Pas rënis në burg të disa pjesëtarëve të LKÇK-së, në fillim të vitit 1997, Agroni ka dhënë kontribut të madh rreth riorganizimit të kësaj lëvizjeje nëpër disa vende të Kosovës. Ai asokohe, përveç se shpërndante ilegalisht “Çlirimin” ndihmonte lëvizjen edhe me aktivitete të tjera. Ishte në rrjedhë të furnizimit me armatim andaj edhe vepronte me shumë maturi e gjeturi. Në punën e tij ilegale kishte edhe mbështetjen e familjarëve e veçmas të xhaxha Izetit, të cilin policia serbe e kishte burgosur e keqtrajtuar me pretekst se mbante armë ilegalisht.

Në veprimtarinë e tij çlirimtare, Agroni kishte angazhuar edhe kushëririn, Farukun, por edhe vëllanë Albertin, edhe pse ishte i ri në moshë por syçelë dhe i vëmendshëm në veprimet e tij ilegale.

Përveç veprimtarisë ilegale, Agroni kryente një punë të vështirë në treg, për ta mbajtur familjen, ndërsa një pjesë të fitimit nga puna e ndante për blerjen e armatimit, thotë bashkëveprimtari i tij, Bekim Salihu.

Duke sjellë në kujtesë veprimtarinë ilegale të asaj kohe, Izet Rama, rrëfen për aktivitetin ilegal të nipit të tij Agronit. “E merrja me mend se po vepronin ilegalisht. Në kohën kur te dera e shtëpisë e gjeta një numër të gazetës ilegale “Çlirimi”, fillova të mendoj se kush po e shpërndante tinëz. Një ditë bisedova me Agronin, meqë ishte më i moshuar dhe fillimisht ai bëhej sikur dinte gjë. “Është dikush axhë”- më tha. “Po,” ia ktheva dhe “ai dikush me siguri je ti e Faruku, se dikush i përtejmë nuk hyn këtu për qëllime të tilla”. Agroni buzëqeshi dhe pranoi, duke qenë i sigurt se jo vetëm që nuk do ta qërtoja, por do të ta përkrahja. Prej asaj kohe, Agroni, Faruku dhe Alberti nuk kanë fshehur më asgjë prej meje.” Në maj të vitit 1998, Agron Rama, Fauk Rama dhe Albert Rama tashmë shpërndanin ilegalisht armët në vende të caktuara, ku kishte zgjeruar radhët Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Shtëpia e tyre në Shkabaj qe kthyer në një bazë të sigurt të LKÇK, e cila asokohe kishte bashkuar armët me UÇK-në me qëllim për të luftuar bashkërisht kundër forcave okupatore serbe.

Me shpërthimin e luftës së hapur, Agroni me Albertin dhe Farukun, do të shtojnë përpjekjet në organizim. Ata shtëpinë e tyre e kishin kthyer në bazë të sigurt të armatimit. Prej kësaj baze furnizoheshin disa nga luftëtarët e rrethit të Prishtinës dhe të rajonit të Qyqavices e më tej.

Për angazhimin e këtyre tre luftëtarëve të UÇK-së në radhët e luftës për liri dinin edhe prindërit e tyre, Izeti e Ismeti, por edhe familja e ngushtë Rama. Ata, për më tepër ndihmoheshin nga prindërit, të cilët kujdeseshin dhe vëzhgonin lëvizjen e forcave serbe, të cilat vazhdimisht granatonin lagjen Ramajve nga distanca. Edhe pse në kushte të një presioni të tillë nga forcat ushtarake dhe policore serbe, Ramajt nuk tundeshin dhe nuk i linin shtëpitë shkret për të gjetur shpëtim në Prishtinë apo jashtë Kosovës. Ata tashmë e dinin se djemtë po vepronin në drejtim të forcimit të radhëve çlirimtarëve.

Falë syçeltësisë, guximit dhe vetëmohimit, Agroni, Faruku dhe Alberti vazhdimisht ishin në lëvizje. Ata dinin t’i maskonin mirë veprimet e tyre ilegale, por edhe armët, të cilat i vendosnin në vende ku me vështirësi mund të zbuloheshin.

Më 27 mars të vitit 1999, tri ditë pasi kishin filluar bombardimet e aeroplanëve të NATO-s kundër makinerisë së krimit të regjimit të Beogradit, forcat serbe, të cilat paraprakisht mund të kishin hetuar veprimet e tre luftëtarëve të lirisë, fillojnë rrethimin e kësaj familjeje.

Në shtëpi ndodheshin edhe tre luftëtarët: Agroni, Faruku dhe Alberti si dhe shumica dërrmuese e anëtarëve të kësaj familjeje. Në orën 14 e 30 minuta forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kishin vënë nën rrethim nga ku kishin filluar sulmin kundër familjes fqinje. Ata vrasin: Latif Halimin dhe bijën tij Shqipen, ndërsa plagosin Mehmetin, një pjesëtar tjetër i kësaj familjeje.

Izet Rama, xhaxhai i Agronit dhe Albertit dhe babai i Farukut së bashku me fëmijët e vegjël, bashkëshorten Adlijen, bijën trijavëshe, Fitoren dhe disa anëtarë të tjerë të familjes, të gjithë tok, arrijnë të tërhiqen nën breshërinë e predhave. Në shtëpi kishin mbetur të gatshëm për të luftuar dhe për t’ u ndeshur ballë për ballë me forcat serbe: Agron Rama, Faruk Rama dhe Albert Rama. Ndërkohë pasi kishte larguar disa anëtarë të familjes, kthehet për të ndihmuar tre luftëtarët edhe xhaxhai i tyre, Bejtushi.

Lufta ishte krejtësisht e pabarabartë. Tre luftëtarë të lirisë, të ndihmuar nga xhaxhai i tyre po përballeshin me dhjetëra militarë e paramilitarë serbë, të armatosur me të gjitha llojet e armëve. Ashtu sikur kishin vepruar bashkë si një trup i vetëm, ashtu edhe kishin rënë të tre tok, duke luftuar deri kur trupat e tyre i kishte përshkuar tejpërtej arma barbare serbe. Ata luftuan dhe ranë trimërisht, duke ndjekur shembullin e legjendarit Adem Jashari dhe të sa e sa trimave e trimëreshave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Serbët, të cilët po ashtu kishin pësuar humbje, pasi depërtojnë në shtëpitë e vëllezërve Rama, fillojnë orgjinë e tyre të egër të barbarisë dhe mizorisë. Kriminelët serbë pushkatojnë të gjithë anëtarët e familjes Rama, që kishin mbetur në rrethim. Me këtë rast ata martirizuan: Bejtush Ramën, 40 vjeçar, xhaxhanë e tre dëshmorëve, pastaj kushëririn e tyre Xheladinin, 48 vjeçar, bashkëshorten e Xheladinit, Hamiden dhe dy bijat: Shqipen 17-vjeçare dhe Syzanën, e cila kishte vetëm 10 pranvera jetë. Barbarët serbë pushkatuan edhe Bejtush Ramën, po ashtu xhaxha i tre dëshmorëve. Në kohën kur ishte kthyer nga puna, Ismet Rama, babai i dëshmorëve Agron dhe Albert Rama dhe kur po bënte përpjekje të futej në shtëpi për të mësuar se çka kishte ndodhur, kriminelët serbë e martirizojnë edhe atë, mu para dyerve të shtëpisë me një breshëri plumbash.

Akti heroik i rënies së tre dëshmorëve, më 27 mars të vitit 1999, si dhe martirizimi i shtatë anëtarëve të tjerë të kësaj familjeje, shënoi atë ditë edhe një ngjarje tjetër të lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe një fitore tjetër, e cila ishte paguar me shumë gjak të derdhur.

Familja Rama ka marrë mirënjohje për tre dëshmorët.

Ende nuk është ngritur pllaka përkujtimore, ndërsa trupat e tre dëshmorëve: Agron, Faruk dhe Albert Rama pushojnë në përjetësi në “Varrezat e dëshmorëve në “Velani” të Prishtinës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …