Në fshatin Ballovc të Besianës bëhen homazhe për dëshmorin, Agron Rrahmanin

Agron Muharrem Rrahmani (20.4.1971 – 12.5.1998)

Agron Rrahmani ka lindur në fshatin Ballofc të Besianës (ish-Podujevë). Ai ishte fëmija i parë i Muharremit dhe i Sofies. Katër klasat e para të arsimit 8-vjeçar i kreu në fshatin e lindjes, me përjashtim të vitit të tetë, të cilin e kreu në fshatin Sfeçël. Shkollën e mesme e kreu në Besjanë dhe në vitin 1990 regjistrohet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitet të Prishtinës.
Qysh kur ishte gjimnazist, Agroni dallohej për aktivitet të lartë atdhetar. Njëri prej organizatorëve të demostratave të viteve 1989-1990, në Besjanë, ai bie në sy të agjentëve dhe të policisë dhe si pasojë e kësaj ai arrestohet, duke u dënuar me dy muaj burg, dënim, nga i cili nxori mësime të vlefshme për më vonë. Burgosja dhe dënimi, pse donte lirinë e popullit të tij, i rriti më tepër vendosmërinë atdhetare. Ardhja në Prishtinë i dha mundësi që të binte në kontakt me intelektualë dhe moshatarë të tij nga të gjitha viset e Kosovës, por më shumë iu puqën idetë dhe mendimet me Bahri Fazliun, edhe pse studionin në shkenca të ndryshme. Ata u ndanë nga idetë dhe nga njëri-tjetri veçse përtej kësaj jete.
Agroni, edhe pse tip tepër praktik dhe mjaft dinamik, ishte shumë studiues. Pse ishte i tillë, ndaj edhe kish ide që nuk e duronte dot qëndrimin në vend kundrejt pushtuesit. Pse kishin ide të tilla, ndaj dhe ishin kundër politikës së rezistencës paqësore. Mirëpo, idetë e tyre, Agroni dhe shoku i tij, nuk i mbanin vetëm për vete, ata i propagandonin edhe te bashkëmoshatarët e tyre dhe më vonë edhe te më të rriturit. Si rrjedhojë, fitojnë përvojë politike dhe pune në ilegalitet. Ishte momenti kur pothuajse të gjitha grupet ilegale të deriatëhershme të shqiptarëve në ish-Jugosllavi kishin ndryshuar strategjinë, pranonin veçse rrugën e rezistencës paqësore. Mirëpo, Kosova nuk ka ndenjur kurrë pa djalërinë militante. Ishin Agron Rrahmani, Bahri Fazliu me bashkëmoshatarët e tyre që morën guximin ta zgjonin Kosovën nga gjumi mashtrues. Ata formojnë një organizim politik të ri, në ilegalitet të thellë dhe me program radikal, më radikali i kohës: çlirimin me luftë të armatosur të trojeve shqiptare nën ish- Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me Republikën e Shqipërisë. Ajo ishte Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), të cilën e formojnë në mars të vitit 1993, ku Agroni është njëri prej drejtuesve kryesorë të saj. Ngaqë ishte tepër i gjallë dhe i guximshëm, ajo forcë politike i ngarkoi detyrën e përgatitjes për luftë të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj për të mësuar mjeshtërinë e të luftuarit me armë, krahas propagandës gojore dhe me shkrim, nëpërmjet organit ilegal “Çlirimi”. Nga vetë emri i organit të tyre kuptohej edhe strategjia e forcës së tyre politike.
Pas katër muaj aktivitet të organizimit të tyre politik, për shkak të veprimtarisë së dendur, ata bien në sy të agjentëve dhe bashkëpunëtorëve të armikut. Aksioni i armikut për ta shuar këtë shkëndijë, përmes arrestimeve të shumta e të shpejta, në korrik-gusht 1993, nuk ia arriti qëllimit. Tradhtari Bejtush Beka, i shoqëruar nga policë serbë e shqiptarë, i shkoi edhe Agronit në shtëpi për ta arrestuar ato ditë. Mirëpo, tashti Agroni pat fituar përvojë, nuk ishte ai i vitit 1989. Trokasin me rrapëllimë në derë të shtëpisë. Agroni niset drejt derës. “Ku shkon, i thonë i ati dhe nëna, është policia, duhet të dalim ne”. Ai u jep shenjë të rrinë të qetë. Hapet dera. Agjentët lumturohen. Sa lehtë e kapëm këtë prishës gjumi të Kosovës, menduan me vete. “Do të vini me ne, në rajon, sa për të sqaruar diçka dhe do të jini të lirë”, i thotë tradhtari. “Posi more, prisni sa të vishem dhe erdha”, ua kthen Agroni, duke marrë pamjen e njeriut që nuk kupton asgjë dhe largohet qetësisht. Pjesëtarët e tjerë të familjes, që rrinin nga prapa, në korridor, tronditen, por kur shikojnë Agronin që hap dritaren nga pjesa e prame e shtëpisë dhe fluturon, atëherë atyre u vjen gjaku në vend. Ky ishte njëri prej provimeve, që i besohet më vonë detyra e Komandantit të Njësiteve Guerile të Kryeqytetit të Kosovës. Njësitet guerile duan djem me zemër të fortë, pasi luftën e bën zemra dhe jo fiziku dhe muskujt. Qysh nga ky moment, Agroni kalon në ilegalitet të thellë. Pesë vjet jetë ilegale në fshehtësi të plotë, por në aktivitet të gjithanshëm në kryeqytet, mes njerëzve që i njihnin. Vetëm ai që e ka jetuar atë jetë mund ta konceptojë të plotë se çfarë do të thotë jetë ilegale dhe punë ilegale së bashku. Kërkohej zgjuarsi, guxim, syçelësi, vullnet, durim, punë dhe trimëri.
Pasi i largohet arrestimit, Agroni fillimisht strehohet në Tetovë dhe prej andej, kur Bahriu kthehet nga Gjermania, bashkohen në Tiranë, ku nxjerrin edhe katër numra të tjerë të organit të tyre ilegal “Çlirimi”. Atje, së bashku me Fatmir Humollin bëjnë përpjekie për krijimin e një Fronti Politik Shqipar, për të unifikuar qëndrimin politik të të gjithë faktorit politik shqiptar, por në këtë kohë pacifizmi ishte kthyer në modë.
Pasi qëndron pak kohë atje, kthehet në Prishtinë, duke sjellë armatim dhe materiale ilegale. Rrugën Tiranë-Prishtinë e anasjelltas e ka bërë me dhjetëra herë, duke kaluar maleve e shpateve, për të mos u diktuar nga armiku. Çdo ditë në aktivitet të pandërprerë ilegal-atdhetar, sa në Prishinë, në Tiranë, sa në Prizren e në Plavë, sa në Mitrovicë, në Manastir, sa në Gjakovë, në Tetovë, sa në Pejë e në Preshevë, mes bashkëmoshatarëve të tyre ilegalë dhe joilegalë, ndaj edhe kish marrë emrin ilegal: “Naseri”. Në këtë rrugë guximi dhe heroizmi iu bashkua edhe shoqja e jetës së tij, Flora.
Në fillim të janarit të vitit 1997, Agroni dhe Bahriu kontaktojnë me Zahir Pajazitin dhe dakordohen që të bashkëveprojnë, sikundër kishin biseduar edhe më parë. Por, edhe armiku punonte. Zahirit i ngrenë pritë, ndërsa Avni Klinakun, bashkëpunëtorin e tyre më të ngushtë, e arrestojnë. Agroni dhe Bahriu nuk thyhen. Edhe më shumë iu shtohet guximi dhe vendosmëria për të vazhduar rrugën që e kishin nisur para katër vjetësh. Atë muaj, si dhe gjithë herët e tjera, shpërndanë numrin special të organit të tyre “Çlirimi”, duke e mbajtur atë në gjoks dhe pistoletën në xhep. Shpërndante fjalët bombë, që i mbronte me plumba. Në atë numër jepej programi politik i LKÇK-së. Një kopje e atij organi i qe hedhur poshtë derës edhe një historiani, i cili po atë ditë, më 21 janar 1997, në librin e tij shkruan: “Gjuha politike, njohuritë historiografike dhe cilësia e mendimit politik të këtij “Çlirimi”, janë shumë pas të atyre të Alternativës politike legale ndër shqiptarët në viset e okupuara, me në krye personalitete të dëshmuara gjatë shekullit të jetës”. Ky pseudohistorian kujtonte se këta djem kishin krijuar ndonjë akademi shkencash teorike dhe jo Akademinë e Lirisë Kombëtare. Ata i tregonin ujkun, ky kërkonte gjurmët. Jetonin në një qytet, por përfaqësonin dy kohë, dy botë. Ai pasazh shpreh mendimin politik dhe intelektual të asaj kohe, kundrejt mendimit revolucionar. Ata u frikësoheshin ideve të Agronit dhe të Bahriut, sepse brezi i ri nuk po u besonte më as politikës pacifiste dhe as intelektualëve të asaj politike. Ata u frikësoheshin këtyre djemve, pasi ata deklaroheshin hapur se, objektivi i tyre ishte lufta e armatosur deri në çlirimin e Kosovës dhe bashkimi me trungun amë, e kjo u prishte qetësinë “shkencëtarëve” dhe “politikanëve” tanë. Këta lloj intelektualësh e politikanësh nuk e kuptonin se këta djem nuk vinin kufi midis ëndrrës dhe realitiet. Për ata, ëndrra shndërrohej në realitet, sikundër edhe u shndërrua. Po të mos ishin këta të rinj si, Agron Rrahmani me shokë, koha në Kosovë do të kish mbetur në vend. Ishin ata që e shpejtuan kohën.
Në shkurt të vitit 1997, Agroni shkon në Tiranë për të zbatuar detyrën që i pat ngarkuar forca e tij politike, organizimin e përgatitjes luftarake të anëtarëve të LKÇK-së dhe të vullnetarëve të tjerë, që do të vinin të luftonin në Kosovë, me qëllim që çdo vullnetar të futej në luftë me njohuritë minimale të nevojshme për të. Në Tiranë kontakton me Adem Shehun, (i cili më vonë vjen Komandant i Brigadës 153 të UÇK-së), dhe ngrenë qendrën stërvitore, në maj të vitit 1997, e cila fuksionon deri në shkurt të vitit 1999, ku u përgatitën mbi 300 vullnetarë. Pas rënies së Agronit, ajo qendër stërvitore thirrej “Poligoni Agron Rrahmani” dhe çdo ditë që fillonte stërvitja, minutën e parë të saj mbahej heshtje, në kujtim të Komandantit të gueriljes. Ai ishte betim. Pas vendosjes në funksionim të qendrës stërvitore në Tiranë, Agroni kthehet përsëri në Kosovë.
Para se të ndodhte lufta në Likoshan dhe në Prekaz, Agroni dhe shokët e organizimit të tij politiko-luftarak vendosin që lufta e armatosur të fillojë nga organizimi i saj në qytet, ku nëpërmjet aksioneve luftarake në qytete të trimërohej populli dhe të mbusheshin malet me luftëtarë. Në këtë mënyrë qyteti kthehej në tokë të lëkundshme për pushtuesin dhe që e tmerronte atë. Ata mendonin se duke filluar lufta përmes njësiteve guerile, ajo merrte tiparet e një lufte të vërtetë çlirimtare, sikundër e ka treguar edhe përvoja botërore, dhe jo ngjyrat e luftërave tona të mëparshme. Kjo ishte startegjia e shkencëtarëve të lirisë.

U tha, u bë. Në shkurt të vitit 1998, fillojnë nga aktiviteti njësitet guerile në zemër të Kosovës, në Prishtinë, para hundëve të armikut. Komandant i njësitit të parë ilegal luftarak, të cilin e pagëzojnë me emrin e dëshmorit, Rexhep Mala, caktohet Agron Rrahmani. Lufta ilegale në qytet është shumë herë më e vështirë se ajo në mal, pasi, përveç mosdijes se ku ndodhet armiku, je në çdo kohë i ekspozuar para syrit të agjentëve dhe spiunëve nga të gjithë krahët dhe në çdo moment. Por luftën e ilegales sonë e vështirësonte edhe më shumë politika pacifiste, e cila ishte bërë psikologji mendimi dhe, si e tillë, ua lehtësonte ndërgjegjen shumë spiunëve dhe shtonte radhët e tyre.
Porsa u krijuan njësitet guerile në Prishtinë, të cilën e ndan në 6 zona aktiviteti, në një nga përpjekjet e para, te Lagjja e Muhaxhirëve, Agron Rrahmani dhe Fatmir Humolli bien në pritë të forcave të sigurimit serb. Mëngjes herët,12 maj 1998. Luftimi ishte i ashpër. Guerilët, pasi vrasin dy-tre armiq, mundën të dalin nga rrethimi, por Agroni plagoset për vdekje, ndërsa Fatmiri më lehtë. Fatmiri mundi ta nxjerrë të gjallë Agronin, por më vonë Agroni mbyll sytë përgjithmonë në njërën nga shtëpitë ku e strehoi Fatmiri përkohësisht.
Kështu, më 12 maj 1998, një ditë pasi LKÇK-ja kish nënshkruar dokumentin historik me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, që t’i bashkonin forcat e tyre në luftën e armatosur, duke eliminuar rrezikun e një përplasjeje të rrezikshme mes shqiptarëve, bien në pritë Komandanti i gueriljes së Prishtinës së bashku me drejtuesin tjetër të organizimit të tij; pesë ditë më parë patën rënë në pritë dhe vriten: në Qafë të Malit, në Tropojë, Ilir Konushefci, shefi i logjistikës dhe mbështetësi i LKÇK-së, ndërsa te trekëndëshi i kufijve Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi, bie në pritë shoku më i ngushtë i idealeve, i përpjekieve, i armëve dhe i luftës ilegale, kryetari i tij dhe i LKÇK-së, politikani, publicisti, poeti dhe luftëtari Bahri Fazliu. Si është e mundur që brenda një periudhe kohore 5 ditore, në tri troje të ndara shqiptare, vriten 3 aktivistë dhe udhëheqës nga më të shquarit e Luftës sonë Çlirimtare, të së njëjtës forcë politike, e cila porsa kish forcuar unitetin në radhët e Luftës sonë Çlirimtare? Të jenë thjesht rastësi? Tre drejtues të pazëvendësueshëm, të të njëjtit ideal, vriten gati në një kohë!
Për t’i përjetësuar emrat dhe veprën e tyre, ilegalja në Prishtinë u pagëzua me një emër, i cili u krijua me inicialet e këtyre tre heronjve: Bahriu, Iliri, Agroni = BIA, me pasardhës të Agronit, shokun e tij të ilegales, Sali Mustafa, organizim, i cili i qëndroi besnik deri në fund qëllimit që u krijua.
Edhe pas vdekjes, ata nuk u ndanë dhe bashkë prehen te lapidari i përbashkët i përjetësisë. (D. G.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …