Agron Sherif Berisha (25.9.1976 – 14.4.1999)

Agron Sherif Berisha (25.9.1976 – 14.4.1999)

Agron Berisha u lind më 25. 9. 1976 në Vasilevë të Drenasit. Është i biri i Sherif dhe Zarife Berishës, që nga martesa e tyre lindën tetë fëmijë: Dritën, Rifadien, Islamin, Lumnien, Agronin, Valbonën, Ilirin dhe Nerxhivanen. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Drenas. Në pamundësi për të vazhduar shkollimin e lartë, mirret kryesisht me punë të ndryshme krahu për ta mëkëmbur familjen shumanëtarëshe.

Agroni, rininë e hershme e kaloi gjatë viteve të ’90 të shekullit 20, kur pjesa dërmuese e shqiptarëve ishin larguar nga vendet e tyre të punës, një decenie e shënuar me diskriminim të hapur. Fyrjet, sharjet, rrahjet, bastisjet, plagosjet dhe vrajset mbushnin kronikat e asociacioneve të ndryshme që mirreshin me evidentimin e shkeljeve të të drejtave dhe lirive të njeriut. Shpeshherë ishte edhe dëshmitar, kur para syve të tij, qytetarët maltretoheshin nga organet serbe të pushtetit pa asnjë shkas. Në këtë moshë të njomë, ai e kuptoi se bashkëkombasit e tij po maltretoheshin për faktin se ishin okupuar dhe se një gjendje e tillë ishte e padurueshme. Mirëpo, nëpërkëmbja e dinjitetit kombëtar dhe njerëzor nuk do të zgjasë deri në pafundësi, sepse bijat dhe bijtë më të mirë të Kosovës po kërkonin alternativa të tjera për ta ndryshuar gjendjen ekzistuese.

Fillimi i vitit 1998 solli ngjarje dramatike, sa tragjike aq edhe të lavdishme, që shënuan kthesën vendimtare të luftës së Kosovës për liri.

Në mesin e bijve të Drenicës, të cilët u rreshtuan në radhët e UÇK-së duke mos kursyer as gjakun për lirinë e vendit është edhe Agron Berisha. Më 5.6.1998, Agroni pajiset me pushkë dhjetëshe, me bomba e municion dhe bëhet pjesëtar i pikës “Shkaba 4” që vepronte në fshatrat Paklek dhe Vasilevë. Ai ishte i përkushtuar në zbatimin e detyrave ushtarake. Ndihmonte në evakuimin dhe sistemimin e civilëve të përndjekur nga forcat serbe, kurse shpesh u shkonte në ndihmë luftëtarëve në pikat e UÇK-së. Ishte pjesëmarrës i betejave të ndryshme që zhvillonin pjesëtarët e UÇKsë, jo vetëm te “Shkaba 4”, por në të gjitha pikat tjera të kësaj pjese të Dtrenicës.

Më 14 prill 1999 luftëtarët e njësiteve ”Shkaba”, që me ristrukturimin e UÇKsë i përkisnin Batalionit të Parë të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” u përballën për disa orë rresht me forcat serbe, duke i zmbrapsur tentimet e tyre për të depërtuar në thellësi të pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe te popullata civile. Gjatë kësaj kohe edhe aviacioni i NATO-s sulmonte pikat strategjike të militarëve serbë. Mirëpo, derisa po mendohej se forcat serbe ishin dëbuar tërësisht përtej bjeshkëve në drejtim të Grabovcit dhe Bardhit të Madh, një grup serbësh të uniformuar kishin ngelur në zonën e përgjegjësisë së këtij batalioni, në vendin e quajtur “Bregu i Sukës”. Të hipur në rimorkion e një traktori, me t’u kthyer te pozicionet për të festuar së bashku me bashkëluftëtarët, ngadhënjimin në këtë betejë, befas hasin në militarët serbë. Përkundër shkathtësisë së Bejtë Rexhepit dhe Mehdi Hoxhës, të sprovuar në beteja si pjesëtar i “Tigrave të zinj”, pas shkëmbimit të zjarrit në një distancë fare të vogël, në fushën e nderit bie Agron Berisha së bashku me Bejtë Rexhepin, Mehdi Hoxhën, Naim Tikun, Hajzer Rexhepin dhe Fazli Qerkinin.

Pas përfundimit të luftës, trupi i dëshmorit të lirisë Agron Berisha me bashkëluftëtarët e tij, si dhe dëshmorët e 14 dhjetorit të vitit 1998 të rënë gjatë shpërthimit të kufirit në krye me komandantin Mujë Krasniqi, pushojnë në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Polac të Skënderajt.

Dëshmori Agron Berisha nuk ka qenë i martuar. Për ta përjetësuar emrin e tij dhe të dëshmorëve të Vasilevës, Nuhi Berisha dhe Sinan Berisha, në vendin e quajtur “ Gurina” në Vasilevë është ngritur përmendorja, kurse në shenjë mirënjohjeje ,familja e dëshmorit të lirisë Agron Berisha është nderuar nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Shoqata e familjeve të dëshmorëve dhe nga Kuvendi Komunal të Drenasit. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …