Më 22 prill 2025 u nda nga jeta mësuesi Ahmet Delia, nga fshati Syriganë e Istogut. Shumë familjar, miq, fqinjë, shokë e bashkëveprimtarë u mblodhën në këtë ditë që t’i japin lamtumirën e fundit mësuesit patriot. Shumë nga të pranishmit kishin qenë nxënës të mësuesit Ahmet. Në rrezet e diellit pranveror, kur fillojnë të çelen lulet dhe gjelbërimi të veshë tokën dhe bimët, në tokën e Atdheut hyri një fanar i diturisë dhe edukimit patriotik! Ahmet Delia u lind në vitin 1945 dhe deri në përfundim jetoi në fshatin Syriganë. Prindërit e tij ishin Sadiku dhe Zuma, ndërsa motrat Zelfia dhe Elfia, e vëllezërit Isufi, Ramizi e Hajrizi. Familja e Sadik Delisë ishte familje fshatare me gjendje të rëndë ekonomike sikur shumica e popullit, por familje mikëpritëse, arsimdashëse dhe patriotike. Nga fëmijët e Sadikut, Isufi, Hajrizi dhe Ahmeti ishin mësues me profesion. Edhe tri vajzat e mësues Ahmetit më vonë do ta trashëgojnë këtë profesion dhe bëhen mësuese, Arbana, Arbnora dhe Shqipja, kurse djemtë Astriti e Mentori punojnë në profesione tjera.
Pozita gjeografike e fshatit Syriganë është në mes të vargmaleve që shënojnë kufirin e Kosovës, dhe që lidhin rajonin e Mitrovicës me atë të Pejës, e ato vargmale kalojnë e lidhën me Shqipërinë. Luftëtarët e të gjitha kohërave i kanë shfrytëzuar këto vargmale për kalim nga një zonë në tjetrën, si dhe për qëndrim e konsolidim. Për këtë shkak armiku, në këtë anë kishte vendosë kolonizatorë në vende të caktuara për të penguar këtë komunikim të çetave luftarake patriotike. Edhe në fshatin e mësuesit Ahmet, kishin sjellë kolonizator. Nëse okupatori do të kishte arsye tjera, kolonizatorët do t’i vendoste vetëm në tokën e butë e jo në këtë zonë malore, siç është Syrigana. Kuptohet se ishin arsyet ushtarake kolonizuese që e shtynin ta bëj këtë veprim, sikur edhe në shumë vise tjera shqiptare. Kolonizatorët serbë u sollën me dhunë këtu dhe për arsye ushtarake, por mbetën këtu edhe sot e kësaj dite.
Duke qenë se çetat patriotike të luftëtarëve nuk pushonin së vepruari, okupatori ushtronte presion më të madh në viset e fshatrat që gjendeshin në pozita strategjike luftarake, siç është rasti edhe me Syriganën. Kjo ndikonte që banorët të vendosen nën vëzhgim e presion më të madh se zakonisht. Gjurmimi i njerëzve të familjes së Sadikut, nuk përfundoi kurrë. Ata ishin halë në sy të armikut, sepse ishin njerëz atdhedashës e të vendosur. Nuk i përkuleshin asnjë krajli, e as Serbisë me argatët e vet. Komunikimi patriotik mes njerëzve atdhedashës nuk ka mund të ndalohej nga armiku.
Në betejat për Sanxhakun e Pazarit te Ri, ku ishin bërë shumë luftime për çlirimin e tij nga heroi Azem Bejta me Çetën e vet patriotike, luftëtar e pjesëmarrës kishte qenë edhe Sadik Delia, babai i mësues Ahmetit. Prandaj armiku në vazhdimësi e mbante në thumb të presionit këtë familje, e cila nuk ju përkul asnjëherë vështirësive. Përcaktimi kombëtar i familjes kishte rrjedhë të natyrshme nga e kaluara e largët historike.
Pas Luftës së Dytë Botërore, duke qenë nën okupim të rëndë, patrioti Adem Demaçi filloi lëvizjen për rezistencë dhe çlirim. Baca Adem Demaçi, në Syriganë gjeti një shok besnik. Ai ishte mësues Isufi, vëllai i mësues Ahmetit. Në shtëpinë e Sadik Delisë, me dyer përherë të hapura hynte edhe patrioti Tahir Meha e shumë të tjerë, deri në ditët e sotme, nga pothuajse çdo anë e trojeve shqiptare.
Vëllai i Ahmetit, Isufi për aktivitetin e tij ra në sy të armikut dhe ndaj tij u ushtruan tortura të rënda, që e dëmtuan shumë por nuk e nënshtruan. Edhe familja për këtë shkak vihej nën presion të madh. Armiku përpiqej t’i shuaj celulat e kryengritjes së ardhshme që pritej të ndodhë, mirëpo Deliajt nuk u mposhtën dot. Ata nuk u kursyen dhe nga “rreshti” nuk i nxori asnjë represion.
Ahmet Delia, u shkollua me mundime dhe doli mësues në vitet e 60-ta, kohë shumë e rëndë për shqiparët nën okupim. Këtë profesion Ahmeti e donte shumë, një profesion fisnik dhe armë e fortë kundër okupimit. Si disa mësues tjerë, edhe Ahmeti u bë frymezuesi i rinisë kryengritëse. Mësuesit tanë patriot kishin rol të madh për nxitjen e ideve kryengritëse në mesin e rinisë e cila më voni u radhit në UÇK. Të mos i harrojmë mësuesit patriot të Rilindjes Kombëtare të cilët spikatin me laps e pushkë ndër luftëra, që padyshim se ishin frymëzuesit e mësuesve të kohës sonë, e edhe të mësues Ahmetit.
Ahmet Delia, u frymëzua nga i vëllai më i madh Isufi për të marrë rrugën e rëndësishme e të rëndë të mësuesit të popullit në kohëra shumë të rënda. Ky profesion në rrethana okupimi ka peshë të madhe. Këtë peshë Ahmeti e barti me sukses! Përveç edukimit profesional të brezave, mësuesi kishte edhe ka përherë obligim, edhe sot, edukimin patriotik të nxënësve. Por para Çlirimit, mësuesit e kishin edhe armikun në shpinë, nën vëzhgimin e tij dhe me rreziqe të mëdha. Kësaj detyre mësuesi Ahmet i doli zot! Asnjë herë nuk u lodh as nuk u tremb. Nxënësit i mbrojti si fëmijët e vet. Ai një herë kishe rënë në konflikt fizik në shkollën ku jepte mësim sepse një armik i kishte sulmuar nxënësit shqiptar. Filozofia e bacës Ahmet ishte mençuri dhe trimëri kundër armikut, kur e kërkon nevoja edhe me trupin tonë duhet të kundërvihemi.
Shtëpia e Deliajve, që nga kohërat e moçme ishte bazë e sigurte e veprimtarëve. Ishte strehe e ngrohtë, besnike dhe përkrahëse e plotë nga të gjithë anëtarët e saj. Lindja e Ushtrisë Çlirimtare, e kishte gëzuar pa masë mësues Ahmetin. Gëzohej mësuesi kur shihte nxënësit e vet me pushkë nëpër llogore.
Familja e Ahmetit, aty ku jetonte, ishte në pozitë shumë të ekspozuar, për shkak të përbërjes etnike të rrethit ku jetonte. Armiku kishte ndërmarrë operacion të spastrimit etnik, dhe meqë Deliajt nuk po e lëshonin vendin, ai u vërsul kundër Ahmetit dhe e dëmtoi por mësuesi as që e vriste mendjen për këtë terror.
Nëpër vështirësi të mëdha, mësues Ahmeti me bashkëshorten e tij Kimeten krijuan familje të madhe, ashtu siç i duhen kombit edhe sot. Ata lindën tetë fëmijë, nga ta gjashtë vajza dhe dy djem. Ahmeti bashkëshorten e kishte në përkrahje dhe në bashkëpunim të plotë. Ajo si nënë me aq shumë fëmijë, nuk lodhej por qëndronte ditë e natë në këmbë, e zgjuar në çdo orë të natës kur kërkohej, duke dhënë bukë për të gjithë që i vinin. Barra e nënave tona ishte tepër e madhe, fëmijët, shtëpia, mysafiret, në fshat edhe bagëtia, kopshti dhe më e madhja brengë e nënave ishte brenga për jetën e djemve e burrave të tyre.
Edhe pas luftës, Ahmet Delisë nuk ju ndalën presionet armike por i përballoi të gjitha furtunat e kohës, nuk u çorientua dot. Asnjëherë nuk ankohej, vetëm mirësi shpërndante. Ai doli faqebardhë në krye të punëve familjare, shoqërore e kombëtare, siç i ka hije një shqiptari, një patrioti mësues, një njeriu të mirë.
Mësues Ahmeti iku, siç do të ikim secili një ditë, por ai la pas vetes pasurinë më të madhe që njeriu mund t’i le Atdheut – familjen e fortë atdhetare, si bërthama kryesore e kombit. Fëmijët i edukoi në rend të parë me edukatë tradite dhe bashkëkohore, pastaj me atdhedashuri. Kushdo do të lakmonte biografinë e një njeriu mësues dhe patriot si Ahmet Delia. Jemi krenarë që dëgjuam mësime nga ai, porosi për veprimtarët, lloftarët, e njerëzit. Ishte me njohuri të gjera historie e patriotizmi, tradite. Dhe ato i shpërndante, deri në frymën e fundit që e kishte.
Ne shokët e veprimtarisë e luftës do ta kemi mësues Ahmet Delinë përjetësisht figurë frymëzimi. E deshëm shumë sa ishte gjallë, do ta duam edhe në të ardhme, tani përmes kujtimeve e veprave që ai ka lënë! Emrin e tij, historia do ta shënoj me shkronja të arta për veprimtarinë e tij atdhetare e njerëzore.
Njerëzit si mësues Ahmeti nuk harrohen kurrë!
Agron Xhemaji, më 23.04.2025