Fillimi i luftës çlirimtare në Kosovë kishte jehuar thekshëm në qenien e përflakur me zjarrë lirie të Agush Gjocajt. Që në fëmijëri ishte edukuar me ideale lirie. Babai, Asllani, i kishte rrëfyer atij, sa e sa herë historinë e bëmave të Skënderbeut, të Isë Boletinit, të Azem e Shote Galicës, të Shaban Polluzhës e të Ali Demë Pozharit. Ky i fundit, një kohë kritike kishte gjetur strehë e besë te Gjocajt.
Pas qëndresës titanike të Adem Jasharit, Agush Gjocaj, ashtu sikur edhe shumë liridashës të tjerë, u nisën pa u hamendur shtigjeve të luftës çlirimtare. Atëbotë Agushi ndodhej në mërgim dhe pa i njoftuar fare vëllezërit, Emrushin dhe Avdylin, u kthye në Kosovë, në zonën e Dukagjinit, ku kishte filluar të intensifikohej lufta çlirimtare kundër pushtuesit serb.
Forca fizike, zhdërvjelltësia, vendosmëria dhe atdhetaria e sprovuar e Agushit u kishin bërë përshtypje komandantëve të luftës, prandaj ata e kishin angazhuar përherë në detyra me përgjegjësi të veçanta.
Agush Gjocaj ka lindur në fshatin Rashiq të Pejës. Familja e tij në Rashiq kishte ardhur nga fshati Gjocaj. Mësimet fillestare i mori në fshatin e afërt Kryshec, ndërsa shkollën e mesme teknike e mbaroi në Pejë. Në fillimtë viteve ’90 kishte marrë ftesën për shërbimin ushtarak në ushtrinë jugosllave. Në këtë kohë kishte filluar edhe shpërbërja e Jugosllavisë së atëhershme. Eprorët e ushtrisë jugosllave e kishin provokuar prore bindjen dhe atdhetarizmin e Agushit, por ai ishte treguar i matur, edhe pse këta eprorë i kishin rënë në gjurmë aktivitetit të tij në dobi të çështjes kombëtare. Vetëm 15 ditë para se të lirohej nga shërbimi i ushtrisë së urryer jugosllave, Agushi u dënua tre muaj burg, për veprimtari të kualifikuar nga pushtuesi, si antishtetërore. Edhe pas lirimit nga burgu dhe nga armata ku kishte shërbyer në mënyrë të dhunshme, Agushi ishte vënë në shënjestër të policisë serbe. Prandaj atij iu imponua të mërgojë në vendet perëndimore, si mijëra të rinj të tjerë shqiptarë nga Kosova, kuadro dhe ushtarë të ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 15 maj të vitit 1998, Agush Gjocaj, së bashku me 42 luftëtarë çlirimtarë, nën komandën e Agim Çelës ishte përgaditur për të hyrë në Kosovë, ndërsa më 23 maj të atij viti, depërton në Zonën e Dukagjinit. Meqenëse asokohe fronti i luftës çlirimtare e kishte përshkuar sidomos Drenicën, Agushi do të shkojë atje dhe do të shquhet në fushë të betejës në Likoc, në Llaushë, në Açarevë, në Grykë të Llapushnikut, në Rahovec e në shumë vende të tjera.
Tre muaj pas kthimit nga mërgimi dhe pas tre muaj luftimesh në betejat e Kosovës, Agushi, një natë të vonë kthehet në familjen e tij, me ç’rast do të çmallet me nënën, me vëllanë, Qaushin, me nipat, me mbesat e me kushërinjtë, të cilët nuk i kishte parë disa vjet.
Në gjysmën e dytë të muajit korrik të vitit 1998, Agushi me bashkëluftëtarët e tij, nën komandën e Agim Çelës, i njohur si komandant ‘’Coli’’, harton planet për sulmin mbi forcat serbe në Rahovec. Beteja kishte qenë ndër më të ashprat. Në përleshje ballë për ballë, Agushi ishte plagosur rëndë, ndërsa komandant Coli kishte rënë në altarin e lirisë. Pas fazës së parë të shërimit, atij i ishte lejuar një qëndrim afatshkurtër për vizitë familjare, në Rashiq. Pa u shëruar ende krejtësisht, ai lajmërohet në Shtabin ushtarak të Gllogjanit në Zonën Operative të Dukagjinit. Mirëpo, pas disa ditësh qëndrimi në Gllogjan i keqësohet gjendja shëndetësore dhe detyrimisht dërgohet për shërim në Tiranë, ku qëndroi deri më 5 nëntor të vitit 1998, kur së bashku me 14 luftëtarë të tjerë, nëpër dëborë e acar kthehet sërish në frontet e luftës çlirimtare . Gjatë kthimit nga Tirana, Agushi dhe bashkëluftëtarët e tij ishin rrethuar nga forcat pushtuese në fshatin Lubizhdë të Hasit, por ata kishin arritur ta çajnë rrethimin dhe kishin depërtuar në Gjonaj e më pastaj në Landovicë. Çeta e Agush Gjocajt duhet të arrinte në Kleçkë, ku asokohe ndodhej selia e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Cilësitë e tij si luftëtarë i sprovuar, bënë që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agushin ta caktojë në detyrat e pjesëtarit të Njësisë Speciale, e cila ishte formuar në nëntor të vitit 1998 me seli në Divjakë të Drenicës. Në aksionet e shumta diversante që kishin kryer pjesëtarët e kësaj njësie, si në Duhël, në Zborc, në Blinajë e në pika të tjera, ishte shquar arma e Agush Gjocajt në mesin e luftëtartëve më militantë të lirisë tani dëshmorë si: Milaim Beha, Xhavit Kelmendi, e të tjerë.
Asokohe, Agush Gjocaj dhe Idriz Shala, i njohur me emrin e luftës ‘’Galani’’, qëndrojnë një kohë në Krojmir për t’u shëruar.
Ende pa u shëruar si duhet, Agush Gjocaj me luftëtarët e lirisë si Azem Kastrati, Gafurr Dugolli, Sylë Qeriqi, Selatin Rizani e shumë ushtarë të tjerë të batalionit ‘’Ruzhdi Salihu’’ të brigadës 121 ‘’Kumanova’’, të cilën asokohe e komandonte Elez Durmishi, merr pjesë në luftimet që u zhvilluan në Blinajë, në Zborc dhe në pika të tjera luftarake.
Luftëtari i paepur, Agush Gjocaj, ishte bërë sinonim i sogjetarit të lirisë, të cilin do ta gjeje kudo në zonat e luftimeve, duke kaluar nga njëra zonë në tjetrën: në Dukagjin, në Drenicë e në Pashtrik.
Më 29 janar të vitit 1999, duke qenë i ngarkuar me detyrë ushtarake në përcjelljen e të plagosurve dhe për furnizim me armatim në Shqipëri, së bashku me bashkëluftëtarë, rrethohet nga forca të shumta serbe në vendin e quajtur Te Ura, në Rogovë të Hasit.
Në betejë të pabarabartë, bien 16 luftëtarë të lirisë dhe tetë civilë, që iu kishin bashkuar rrugëtimit për në Shqipëri. Atë ditë të acartë janari bien trimërisht duke ulur me gjakun e tyre, tokën e Kosovës, për çlirimin e së cilës ishin betuar. Në altarin e lirisë në mesin e 16 luftëtarëve bie dëshmor edhe Agush Gjocaj, duke hyrë në përjetësi, si qindra e mijëra dëshmorë të kombit tonë, që ranë nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vepra heroike e Agushit është përjetësuar në pllakë përkujtimore.