Fshati Qëndresë (ish-Gllarevë) sa e sa herë gjatë historisë ishte bërë një me qëndresën e gurit të mbirë në tokën e saj. Ai është krenar, ndër të tjera edhe me dëshmorin e UÇK-së, Ahmet Pantina.
Ahmeti ka lindur më 25 gusht të vitit 1979. Ai ishte një i ri plot energji, edukatë e dashuri për njerëzit dhe vendin e tij. Mungesa e lirisë dhe edukata familjare i kishin dhënë Ahmetit diçka të ngjashme me tiparet e lulëkuqeve të Kosovës.
Fryma liridashëse e Ahmetit kishte prejardhje të hershme. Stërgjyshi i tij, Hajrë Pantina, njihej për atdhetari. Vuajtjet që ia kishte shkaktuar pushtuesi e kishin kalitur si nacionalist të përbetuar. Ai s’e kishte ulur pushkën kurrë, sikurse as thirrjen për ta shporrur armikun nga trojet.
Gjyshërit e Ahmetit, Miftari dhe Azizja, për shkak të përndjekjeve të përhershme nga pushtuesi serb, ‘ishin detyruar të jetojnë maleve. Armiku ua kishte djegur kullën e gurtë, ndërsa vëllanë e Miftarit e kishin dënuar me 101 vjet burg.
Demonstratat e vitit ’81 reflektojnë në familjen e Ahmetit një angazhim të veçantë për çështjen kombëtare. Si rezultat i këtij angazhimi, ajo bastiset shpesh nga policia serbe. Axha i Ahmetit, Beqiri, ishte dënuar me burg për vepër politike, në mungesë, prej 5 vjetësh, në një proces gjyqësor, të mbajtur në vitin 1984. Gjatë kësaj kohe ndiqet edhe babai i Ahmetit, Alushi, i cili në vitin ’82 anëtarësohet në Lëvizjen Popullore të Kosovës.
Në kushte të përndjekjes, në vitin 1985 Ahmeti hyri në klasën e parë të shkollës fillore në fshatin e lindjes. I dalluar në mësime dhe gjithnjë kurioz, edhe shkollimin e mesëm në drejtimin, teknik i makinerisë, e vazhdoi po në fshatin e lindjes, pasi tashmë ishte mbyllur objekti i shkollës së mesme në Klinë.
Shtëpia e Ahmetit ishte bërë vendtakim i shumë atdhetarëve, të cilët më vonë u bënë personalitete udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç ishin dëshmori Mujë Krasniqi, Sokol Bashota, Rexhep Selimi, Xheladin Gashi e të tjerë. Pas fillimit të sulmeve të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në këtë shtëpi u bënë shumë takime dhe plane aksionesh. Ahmeti kishte një respekt të veçantë për të gjithë bashkëluftëtarët e babait të tij, Alushit, i cili tashmë ishte inkuadruar në veprimtari të organizuar. Ahmeti kishte pasur rastin t’i shihte të armatosur luftëtarët e lirisë që në moshën 13-vjeçare. Duke parë këto përgatitje, edhe Ahmeti kishte kërkuar që të japë kontributin e tij. Ai fillon të ndihmojë në bartjen e armatimit dhe të municionit, që luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare e përdornin për ta thyer mitin e rrejshëm se ushtria dhe policia serbe ishin të pathyeshme.
Këtu zgjohet edhe kureshtja e tij për armën e lirisë. Atij iu premtua një automatik, të cilin më vonë do ta përdorë në betejat e lavdishme të UÇK-së. Ahmeti kishte bërë betimin në prani të babait, të shokëve të tij dhe para flamurit, se armën nuk do ta lëshonte i gjallë nga dora.
Fillimi i luftës frontale në Drenicë, atdhetarin tashmë të dëshmuar e kishte bërë plotësisht për vete. Që në ditët e para të saj, ai, me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrugën e së cilës tashmë e njihte kishte rrëmbyer automatikun e tij për ta luftuar pushtuesin. Shtëpia e Ahmetit improvizohet si kazermë për ushtarët e UÇK-së. Ai së pari inkuadrohet në pikat ushtarake të fshatrave Lugmir (ish-Dorbërdol), Bregajë (ish-Zabergjë). Në beteja tregoi trimëri dhe shkathtësi. Bashkëluftëtarët e tij i kishte mahnitur sidomos trimëria e tij e shfaqur në betejën e parë frontale të Qëndresës, më 13 qershor të vitit 1998, e cila njihet si Epopeja e Kullës së Qëndresës. Atë ditë luftëtarët e UÇK-së kishin ndërmarrë një sulm të befasishëm, kur forcat armike ishin nisur nga Kijeva, për në Klinë, për të vazhduar pastaj drejt Skënderajt, në ekspeditën e tyre. Në Qëndresë, këto forca thyhen keq. Ahmeti, në këtë betejë ishte ushtari më i ri, i pozicionuar te Lagjja e Sefajve. Forcat serbe ishin detyruar t’i tërhiqnin të vrarët e tyre me litarë me grepa dhe i futnin në automjetet e blinduara, duke marrë me vete vdekjen dhe turpin.
Ti sulmojmë që të mbrohemi – u kishte thënë Ahmeti bashkëluftëtarëve para se ta merrnin vendimin për sulm. Kjo ishte thirrja dhe motoja e shpirtit çlirimtar.
Korriku i vitit 1998 për Ahmetin ishte muaji i betejave të njëpasnjëshme. Armiku po përdorte tërë arsenalin e tij ushtarak për t’i zhvendosur barrikadat e UÇK-së në afërsi të Kijevës, te vendi i quajtur Te Kulla, si dhe përtej Kijevës deri te Gryka e Llapushnikut. Në luftimet që ishin zhvilluar në pozicionet nga Kijeva deri Te Kulla, Ahmeti kishte fituar një përvojë të madhe ushtarake. Në fund të këtij muaji, armiku arrin me shumë humbje ta zhvendosë vijën e frontit, por nuk arriti t’i zmbrapsë çlirimtarët nga qëllimi i tyre për lirinë e Kosovës.
Brigada 113, së cilës i takonte Ahmeti, e prirë nga komandanti Mujë Krasniqi, bëri një heroizëm të rrallë. Tani po zbatohej taktika ushtarake “sulmo e largohu”. Ahmeti po dallohej në aksionet e tij, në shumë vende, si në Likoc, Qabiq, Abri e të tjera. Pikërisht atëherë kur propaganda serbe kishte përhapur lajmin se Ushtria Çlirimtare ishte mundur, Ahmeti me bashkëluftëtarë, nën komandën e komandant Zeqir Morinës, kishte hyrë në fshatin Qabiq në fund të muajit gusht të vitit 1998 dhe kishte sulmuar forcat e ushtrisë serbe, që po bënin furnizimin.
Në mbrëmjen e 25 shtatorit ’98, Ahmeti e kishte zhvilluar betejën finale, për t’u radhitur përkrah emrave të përjetshëm. Ai kishte përcjellë disa civilë prej fshatit Negroc për në Llazicë. Në kthim e sipër. te vendi i quajtur Te Varri i Partizan it, në mes Llazicës dhe Negrocit, has në pritën tinëzare të armikut. Ai menjëherë nis betejën e pabarabartë me armikun, duke rezistuar deri në fishekun e fundit Në këtë betejë, Ahmeti bie heroikisht, duke lënë shembullin se si luftohet për lirinë e atdheut. Së bashku me të bien në altarin e lirisë edhe Hysen Rifat Pantina dhe Hasan Morina. Pas tri ditësh bashkëluftatarët e Ahmetit e kishin tërhequr trupin e tij dhe me nderime ushtarake e varrosin në varrezat e Drenocit. Rivarrimi i tij u bë më 2 tetor të vitit 1999, në Varrezat e Dëshmorëve, në vendin që atë ditë u pagëzua Kodra e Kuqe, në Grabanicë të Klinës.
Në vendin e rënies te Pishat e Llazicës, qëndresa e dëshmorit Ahmet Pantina u përjetësua në përmendoren madhështore.