Ahmet Osmani: AHMET QERIQI – MËSUESI, ATDHETARI DHE LUFTËTARI I LIRISË

I hyre një rruge të vështirë, Baca Ahmet, rrugës së sakrificës, ku çdo hap ishte i rënduar nga sprovat e kohës dhe idealet e mëdha. Nuk ishte e lehtë ajo rrugë e shtruar me gjemba, ku dhembja bëhej pjesë e udhëtimit, por në horizont shndrinte drita e lirisë dhe shqiponja dykrenare.
Ti nuk ishe vetëm një mësues i dijes, por edhe një mësues i shpirtit dhe i atdhedashurisë. Brenda shkollës, përveç mësimeve të gjuhës dhe historisë, ua mbushe zemrat nxënësve me dashuri për kombin, me kujtesën për sakrificat e të parëve dhe me përkushtimin për të ardhmen e lirë. Përtej klasës, në rrugët e demonstratave, në fshehtësinë e takimeve dhe në betejën për të drejtat kombëtare, u bëre zë i ndërgjegjes kombëtare.
Regjimi serbo-sllavo-maqedono-malazez të pa si rrezik, sepse fjala jote ishte më e fortë se çdo armë. Ata mund të të burgosnin trupin, por nuk mundën kurrë të burgosnin shpirtin tënd të lirë. Vuajte persekutimin, por asnjëherë nuk u thye. Qëndrove i palëkundur, duke dëshmuar se një mësues i vërtetë nuk mëson vetëm brenda mureve të shkollës, por edhe në rrugët e lirisë.
Kur erdhi koha e luftës, nuk u mjaftove vetëm me fjalën dhe idealin, more pushkën dhe u rreshtove në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luftove me guxim, siç kishe luftuar gjithë jetën me fjalë dhe mendim. Sepse për ty, liria nuk ishte thjesht një ëndërr, por një mision, një amanet i shenjtë.
Prehu në paqe dhe në përjetësi, mësues i nderuar Ahmet Qeriqi! Rruga jote ishte një udhë e ndritur për brezat e sotëm dhe për ata që do të vijnë. Ajo që mësove dhe ajo për të cilën luftove do të jetojë përjetësisht në kujtesën kombëtare.
Ngushëllime familjes, farefisit dhe mbarë kombit shqiptar.
Lavdi jetës dhe veprës sate!
10 mars 25, Uster

Kontrolloni gjithashtu

Nisma Socialdemokrate ngushëllon për ndarjen nga jeta të prof. Ahmet Qeriqit

Me dhembje të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të Ahmet Qeriqit, një …