leoni

Ahmet Osmani: Vargjet me kurora margaritarësh brenda shpirtit poetik

Ahmet Osmani: Vargjet me kurora margaritarësh brenda shpirtit poetik

(Krijimtaria poetike e poetit Kadri Ferati, në dy vëllimet përmbledhjet e tij poetike: “Vargje në heshtje “, dhe “Renesans”. Botues: Radio Kosova e Lirë në Prishtinë)

Kur u njoha me bashkëvendasin tim, poetin, Kadri Ferati, ishte viti 1984. Ishim në shkollën e lartë Pedagogjike në Prishtinë, ku ai kishte zgjedhur drejtimin matematikor. Kadriu, një student i ri, vinte nga Komuna e Medvegjës, kishte një paraqitje elegante, ishte serioz dhe shumë krenar për vendlindjen e tij. Them krenar, sepse nga gjiri i kësaj Komune kishin dalë heronj, profesorë, akademikë dhe doktorë e politikanë, për të cilët do të dëgjohej deri në Amerikë.

Kadri Ferati, në artin poetik, fillon që në vitet 80. Gjatë shkollës së mesme u mishërua dhe e adhuronte këtë rrugë të mundimshme, e cila kërkon përpjekje dhe shumë net pa gjumë. I pata vërejtur këto cilësi gjatë bisedave kur takoheshim pranë Teatrit, për një kafe me shoqërinë, ndërsa bisedonim për artin poetik, për shqetësimet e kohës dhe për gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalonte populli ynë.

Vitet 81/84/89 ishin vitet e ringjalljes së rinisë. Ajo dukej sikur e veshur me një pelerinë patriotike Kuqezi, dhe gjithkah bisedohej për literaturën ilegale, këngët, filmat shqiptarë dhe, nga kjo ringjallje, s’kishte se si të mos mundoheshe t’i shprehje ndjenjat tua përmes vargjeve. Bisedohej për shkrimtarë e poetë, të mëdhenjë e të vegjël, të thjeshtë e të ndërlikuar, për të gjithë ata që me mund e kishin lëvruar arën përmes penës së tyre me mprehtësi dhe mjeshtri në terrenin e vështirë të kohës.

Poezia e dy vëllimeve të poetit, Kadri Ferati nxiton, mes mjegullave të kohës, të përçojë mesazhin e luftës për liri, të takojë të dashurën, të ngrejë flamurin. I gjen në dy vëllimet me poezi “Vargje në Heshtje”, botues: Radio Kosova e Lirë, 2013 dhe, vëllimi i dytë “Renesans”, botues: Radio Kosova e Lirë, 2016.

“Në tokë të shqipeve, të Arbërisë Ilire deri në qiell shkëndijat shkuan, E zëri u përhap gjithandej, Si tërmet, si një vullkan.” Përmes dy vargjeve të para poeti qartëson lexuesin se në trojet e tij, populli Arbëror Ilir, jeton i pushtuar nga një shtet artificial. Thirrja e poetit përmes këtyre vargjeve kumbon për çastin e shumëpritur, që populli të bëhej si vullkan për pushtuesin e hekurt dhe si tërmet për politikën e pritjes. Sfida e poetit s’kishte të bënte vetëm me pushtuesin e hekurt, por kishte të bënte edhe me institucionet qesharake të regjimit pacifist, politikë që nuk e kishte aq të lehtë që ta largonte popullin nga ajo rrugë dhe ta vetëdijësonte e ta bindte se lufta për liri ishte e pashmangëshme dhe e domosdoshme.

“Nga pylli zbriti/ E në fushë doli/ Gjarpëri helmues”, thotë ai diku. “Do të gjejë forcë! /Ja, po vjen pranvera/ Dhe erë e jugut po fryn…- thotë poeti diku gjetkë për të vazhduar më tutje, “Shumë u sulmove/ E kurrë s’u dorëzove/ Ti, i pathyeshëm je …”

Kjo pathyeshmëri është mesazh i gjithanshëm poetik. Përmes këtyre vargjeve sfida shkon më thellë, kishte të bënte me krejt mendësinë shqiptare, me idolet, mitet, komplekset, paragjykimet, të cilat ishin kthyer në një lëvozhgë të ngurtësuar dhe përmes vargjeve popullit i bëhej thirrje që të dilte nga ajo lëvozhgë dhe të rrëmbente armën si popujt përreth.

Tek vargjet e poezisë “Medvegjë”: “Vazhdon pandërprerë eksodi i shqiptarëve, Si të ishin të mallkuarit e kësaj epoke! Vaj – lotë të valë nga kolona refugjatësh, Vaj – ujë të valë nga gjoksi i kësaj toke!”, poeti, i paraqet duarlidhur shqiptarët e asaj treve të Kosovës Lindore, dhe tejet durues ndaj fyerjeve më meskine …

Stuhinë e brendshme shpirtërore, poeti, për një çast, dëshiron ta qetësojë në njëfarë mënyre, por edhe dëshpërimi i vargjeve njerëzore që derdhin lot të valë nga sytë tregon se është e pamundur që të zbutësh dhimbjen e ndarjes nga vendlindja duke e ndërlidhur këtë dhimbje edhe përmes ujit të valë i cili buron në Banjë të Sijarinës. Poeti përmes këtyre vargjeve shpreh konceptet kryesore nëpërmjet lotit dhe ujit, që thurrin shenjëzimin dhe metaforën e sistemit poetik.

Në poezinë ” Vajzë Tupalle, zanë malësie”

Poeti përmes këtyre vargjeve na çfaq ndjenjat e tij të brendshme, për dashurinë e humbur aktualisht, por nuk pajtohet e nuk bindet që t‘i nënshtrohet kësaj të vërtete. Ai çfaq çdo imazh të Tupalles dhe Malësores të cilën e simbolizon me Zanën e Maleve duke i fryrë pluhurit për të parë gjurmët e kështjellës së rrënuar. Sfida e poetit në këtë rast manifestohet në të njëjtën kohë si mospajtim dhe protestë, por edhe si gatshmëri për t‘u përballur me pasojat që sjell ndarja.

Madhështia e poetit qëndron pikërisht në faktin se, duke qënë brenda malit të dendur, me mjegull, në terr e baltë, mund të tregojë se si duhet dalë nga ai mal. Ai nuk e humb vizionin, por, përmes emocionit dhe kurmit, e konsolidon amanetin e brezave me ngjyrim patriotik. Poeti Kadri Ferati, me tiparet dhe vlerat e tij, të cilat u përpoqëm që t’i shkoqisim në këtë analizë, përbën një pjesë të rëndësishme të artit poetik duke dëshmuar, në të njëjtën kohë, ngritjen dhe cilësinë e saj në vendin tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …