Në 20-vjetorin e transmetimit të emisionit të fundit në zonat e luftës, më 21 qershor të vitit 1999, Radio Kosova e lirë kishte kryer misionin e vet informativ, tematik e kulturor gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë 20-vjetor, drejtori i Radios, Ahmet Qeriqi, për TV-Diellin dhe Radion Kosova e Lirë ka deklaruar:
Sot u mbushen 20-vjet qyshkur në Malet e Berishës, u transmetua emisioni i fundit ditor i Radios-Kosova e Lirë, në bunkerin e Majës së Pallanikut. Përfundimi i programit pikërisht në ditën e largimit zyrtar dhe definitiv të forcave ushtarake e policore serbe nga Kosova, asokohe ka pasur simbolikën e vet domethënëse. Paralajmërimi i fitores qysh më 4 janar të vitit 1999 kishte qenë një hap tejet i guximshëm, por që ishte bërë realitet gjashtë muaj e gjysmë më vonë, pikërisht më 21 qershor të atij viti.
Radio-Kosova e Lirë për këtë 20 vite ka qenë dhe po mbetet zëri më besnik i lirisë dhe i fitores, zëri jehonë i luftës së UÇK-së dhe i amanetit të Komandantit Legjendar, Adem Jashari, zëri i të gjithë dëshmorëve të kombit dhe i forcave liridashëse shqiptare.
Duke i qëndruar besnike vlerave të luftës dhe vlerave kombëtare në përgjithësi, Radio Kosova e Lirë gjatë këtyre 20 viteve ka luftuar për të mbijetuar dhe ia ka arritur ta ruajë kredon e vet kombëtare e morale, pa u bërë vegël e asnjë force politike, por në mbështetje të fuqishme të të gjitha atyre forcave kombëtare që punojnë e veprojnë për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm në një Shqipëri për të gjithë shqiptarët në trojet e tyre, ashtu sikur i kanë edhe popujt e tjerë të Evropës e botës.
Shkrimi i plotë:
Në 20-vjetorin e transmetimit të emisionit të fundit në zonat e luftës, më 21 qershor të vitit 1999, Radio Kosova e lirë kishte kryer misionin e vet informativ, tematik e kulturor gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot u mbushen 20-vjet qyshkur në Malet e Berishës, u transmetua emisioni i fundit ditor i Radios-Kosova e Lirë, në bunkerin e Majës së Pallanikut.
Përfundimi i programit pikërisht në ditën e largimit zyrtar dhe definitiv të forcave ushtarake e policore serbe nga Kosova, asokohe ka pasur simbolikën e vet domethënëse. Paralajmërimi i fitores qysh më 4 janar të vitit 1999 kishte qenë një hap tejet i guximshëm, por që ishte bërë realitet gjashtë muaj e gjysmë më vonë, pikërisht më 21 qershor të atij viti.
Radio-Kosova e Lirë, medium elektronik informativ që ishte themeluar me vendim të SHP të UÇK-së qysh më 13 nëntor të vitit 1998, kishte kryer me sukses misionin që i kishte caktuar vetvetes dhe kishte përmbyllur me shumë meritë kapitullin më të rëndë por edhe më të lavdishëm të ekzistencës së vet. Ishte radioja e vetme në Kosovë që së bashku me agjencinë Kosovapres, u bënë jehonë e vërtetë e luftës çlirimtare.
Me radion tonë kanë bashkëpunuar qindra liridashës nga mbarë trevat e përfshira në luftime. Në fushën e nderit ka rënë, luftëtari i lirisë, Xhavit Bajraktari, anëtar i stafit në terren. Në mbrojtje të Rrafshnaltës dhe të pozicioneve tona nga ku kemi transmetuar prej 1 prillit deri më 2 maj 1999 kanë rënë 13 dëshmorë të lirisë. Në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare ka rënë, luftëtarja e lirisë, Hyrë Emini e pastaj edhe Islam Berisha.
Në Brigadën 121, të Zonës Operative të Pashtrikut, ku e ka shtrirë aktivitetin transmetues Radioja Kosova e Lirë dhe Agjencia kosovapres kanë rënë 65 dëshmorë, në mesin e tyre edhe Ismet Jashari -Komandant Kumanova.
Radio “Kosova e lirë”, ka filluar transmetimin e emisioneve, më 4 janar të vitit 1999. Fillimisht kemi transmetuar 15 deri 30 minuta program provues informativ ditor. Pa vonuar ka filluar zgjerimi i programit ditor me emisione të ndryshme, si, reportazhe, intervista, biseda me ushtarë e eprorë të UÇK-së, biseda me familjarë të dëshmorëve e të tjera. Përveç informatave burimore nga terreni, kemi dhënë edhe komente të vazhdueshme në të cilat është pasqyruar qëndrimi politik i SHP të UÇK-së, lidhur me rrjedhat dhe zhvillimin e ngjarjeve, gjatë kësaj periudhe kohore si dhe emisione tematike për dëshmorët.
Një vend të rëndësishëm në kuadër të programit tonë ditor, kanë zënë edhe shkrimet e ndryshme tematike, shënime përvjetorësh të luftës sonë për liri e pavarësi, pastaj emisioni i muzikës së zgjedhur popullore. Në kuadër të emisioneve tona informative janë transmetuar edhe komunikata e informata të tjera të SHP të UÇK-së si komunikata e deklarata të komandave të zonave operative nga terreni.
Emisionet kanë qenë afirmative aq sa kanë lejuar kushtet e rrethanat në territorin që e kishte nën kontroll ushtria jonë çlirimtare. Jemi ballafaquar me pengesa të ndryshme të natyrës objektive, me mungesë të kuadrit, me mungesë të shprehur të mjeteve e pajisjeve më se të nevojshme, me bombardime të përditshme, por megjithatë kemi vazhduar punën me këmbëngulje, përkushtim e sakrificë.
Kanë kaluar 20-vjet dhe Radio-Kosova e Lirë ende transmeton program ditor në selinë e vet në Prishtinë. Edhe pse medium i luftës dhe vlerë e pakontestueshme e saj për liri e pavarësi, kjo Radio, pas luftës nuk u mor nën mbrojtje as përkrahje institucionale, nga asnjë prej qeverive të derisotme të Kosovës, derisa janë marrë në mbrojtje dhe financohen nga Buxheti i Shtetit shoqëri kulturore e shoqata të kohës së ish Lidhjes Socialiste të Popullit Punojnë të regjimit të RSFJ-së.
Radio-Kosova e Lirë për këtë 20 vite ka qenë dhe po mbetet zëri më besnik i lirisë dhe i fitores, zëri jehonë i luftës së UÇK-së dhe i amanetit të Komandantit Legjendar, Adem Jashari, zëri i të gjithë dëshmorëve të kombit dhe forcave liridashëse shqiptare.
Duke i qëndruar besnike vlerave të luftës dhe vlerave kombëtare në përgjithësi, Radio Kosova e Lirë gjatë këtyre 20 viteve ka luftuar për të mbijetuar dhe ia ka arritur ta ruajë kredon e vet kombëtare e morale, pa u bërë vegël e asnjë force politike, por në mbështetje të fuqishme të të gjitha atyre forcave kombëtare që punojnë e veprojnë për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm në një Shqipëri për të gjithë shqiptarët në trojet e tyre, ashtu sikur i kanë shtetet e tyre edhe popujt e tjerë të Evropës e botës.
21. 6. 2019