Shaban, Adem dhe Hamzë Jashari

Ahmet Qeriqi: 24 vite nga Beteja e Kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe e Jasharëve kundër tërë një makinerie vrastare

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Edhe tani pas afër një çerek shekulli,  si gjithherë, na kthehet në kujtesë  qëndresa titanike e 5.6 dhe 7 marsit e vitit 1998, në Prekaz, qëndresa heroike e Adem Shaban Jasharit, familjes së tij të ngushtë e të gjerë dhe e Jasharëve të tjerë, na kthehet në kujtesë përjetësore, Epopeja lavdiplote e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që është njëzuar me emrin e Komandantit të Parë, i cili me qëndresën dhe veprën e tij, të familjes e të bashkëluftëtarëve, shkroi njërën ndër faqet më të ndritura të historisë sonë më të re, që rezultoi edhe me kthesën më të madhe të Kosovës dhe historisë shqiptare përgjithësisht  të gjysmës së dytë të dekadës së fundit të shekullit XX.

Ai ka ngelur në kujtesë edhe me fizikun e tij sa impresionues  e autoritar, aq edhe paqësor, të afërt e njerëzor.

Kishte mjekrën si të Skënderbeut, flokët si të Azem Galicës e të Çerçiz Topullit, vetësakrificën si të Oso Kukës, shpitin luftarak të Çun Mulës, luftën, qëndresën e mosdorëzimin   si të Shaban Palluzhës, luftën në frëngji,  si të Tahir e Nebih Mehes…

Qëndresa e Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit, Osman Gecit e të tjerëve, nuk ishte luftë për ta mbrojtur pragun e shtëpisëpor për t’i dalë zot vendit, për t’ i treguar armikut se “nuk luaj nga vendi im dhe nga e drejta për të ekzistuar e për të jetuar i lirë”.

Me babë Shabanin e vëlla Hamzanë, dhe bashkëshortet e tyre,    me bijë e bija, me nipa e mbesa me nën Zahiden e të gjithë spartanët e kohës, Adem Jashari hyri në historinë tonë më të re, si Krye-heroi i kohës sonë,  duke thyer mitin se me Serbinë nuk mund të luftohet, se lirinë do ta fitojmë pa gjak, se e vetmja mënyrë e fitores ishte rruga paqësore e durimit dhe e pritjes pa kufi…

Rezistenca e Jasharëve në Prekaz i tregoi botës se një popull që e do lirinë dhe lufton kundër shtypjes e shfrytëzimit, nuk mund të mbahet përgjithmonë nën pushtim, se pritjes e durimit pacifist moti i kishte skaduar koha, se në Prekaz nuk luftonte një fis i jasharëve, ( sikur shkruante me cinizëm shtypi i kohës) por një ushtri çlirimtare e  popullit me kryekomandantin e saj.

Rezistenca treditore në Prekaz  shkundi nga gjumi diplomacinë evropiane por jo edhe pacifizmin e neveritshëm të kohës, krerët e të cilit mbanin zgjedhje të lira, nën pushtimin serb dhe nuk pengoheshin nga regjimi vrastar i Millosheviqit. Për më tepër ata kishin pranuar dhe kishin zhvilluar edhe bisedime me “kasapin” e Ballkanit, i cili, me tërë makinerinë e tij vrastare,  fytyrën e vet kriminale e kishte treguar në Kroaci, në Vukovar, në Bosnje, në Srebrenicë dhe në sa e sa vende të tjera, ku kishte kryer krime lufte e gjenocid mbi popullatën civile.

Më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1999 kishte filluar Epoka e Re, kthesa e madhe historike, që e kishte marrë përsipër Ushtria e Adem Jasharit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila me përkrahjen nga ajri të Aleancës Veri-atlantike në krye me Shtetet e bashkuara të Amerikës, në qershor të vitit 1999, dëbuan përgjithmonë nga Kosova, Serbinë pushtuese e kriminale, e cila pas 78 ditë bombardimesh nga avionët e NATO-së, nënshkroi kapitullimin, më 10 qershor të po atij viti.

Qëndresa spartane e Jasharëve në Prekaz, është rast unik në historinë tonë më të re, andaj edhe e përkujtojmë me pietet e  nga viti në vit, e përkujtojnë dhe kurrë nuk do ta harrojmë gjakun e derdhur rrëke të dëshmorëve e martirëve,  kurrë nuk do t i harrojmë betejat e lavdishme të UÇK-së, nuk harrohen dot bashkëluftëtarët e Adem Jasharit, të cilët po mbahen në pranga në Hagën e Evropës, duke pretenduar të dënohen si kriminelë lufte.

Legjendari i kohës sonë, Adem Jashari, në historinë tonë më të re, në ndërgjegjen e liridashësve shqiptarë, është ngulitur jo vetëm si kult, që simbolizon trimërinë, vendosmërinë, sakrificën, po mbi të gjitha është simbol unik i fuqisë dhe i vitalitetit kombëtar, simbol i përsëritjeve ciklike të ngritjeve shqiptare, pas rënieve të shumta. Adem Jashari është Mesi i realizuar, është shpëtimtari që e kemi pritur me shekuj, është udhërrëfyesi dhe shembull-dhënësi realist i lirisë.

Epiqendra e heroizmit dhe qëndresës shqiptare sot, nuk mund të mendohet pa ideatorin dhe projektuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Vepra e tij heroike ishte dhe vazhdon të mbetet burim i frymëzimit më të fisnikëruar kombëtar për të gjithë shqiptarët liridashës dhe më gjerë. Vizita, që shqiptarët, por edhe shumë liridashës e humanistë të tjerë nga mbarë bota i bëjnë Kullës së Jasharëve, tani në Kompleksin Memorial Kombëtar, në Prekaz, është tregues se pikërisht në qendër të Shqipërisë po përjetësohet një vend-pelegrinazh i ri i botës shqiptare, një vend i shenjtë jo vetëm i shqiptarëve dhe  i Shqipërisë.

Fenomeni Adem Jashar po ngrihet në monument përjetësie fizike e shpirtërore, jo si mit mesjetar, jo si legjendë e rrëfimeve tradicionale mitologjike, por si një personazh i veçantë dhe realist i historisë me përmasa po ashtu tipike, realiste, sepse vepra dhe heroizmi i tij shënuan piedestalin, preken atje ku nuk arrijnë dot as legjendat, shënuan majat më të larta, përtej të cilave pushon edhe fjala.

Në të gjitha segmentet studimore, në të gjitha format e krahasimit dhe të përshkrimit, fenomeni Adem Jashar, imponohet para së gjithash me origjinalitet, imponohet me veçanti tipike të një tipologjie autentike në paraqitje, që mbërthen në vetvete të gjitha përshtresimet universale të Njeriut, i cili jo rastësisht kishte sfiduar terrin, barbarinë, dhunën, jo rastësisht iu kishte kundërvënë ushtrisë gjakatare të kryekriminelit, despotit dhe kasapit të Ballkanit.

Në përvjetorët e sakrificës dhe heroizmit të Legjendarit, Adem Jashari dhe jasharëve të rënë e të martirizuar, krenohemi me epokën e tij, por nuk mund të krenohemi se e kemi çuar deri në fund amanetin e tij, pavarësisht pompozitetit, retorikës politike, fjalimeve emocionale, ceremonive tashmë tradicionale, të cilave iu mungon esenca e porosisë së legjendarit, e cila njëzohej fuqishëm me moton filozofike të Ukshin Hotit, “Bëje ose vdis!”.

Të ndodhur para kësaj dileme, shumë politikanëve shqiptarë, që gjatë këtyre ditëve bëjnë homazhe para varrit të legjendarit, do të duhej t’iu dridheshin këmbët, kur qëndrojnë gatitu, do të duhej të iu thaheshin buzët, kur flasin  ndonjë fjalë,  do të duhej t’iu ngelnin në fyt fjalët e zgjedhura dhe përkushtimi për Legjendarin, sidomos atyre që shkojnë atje  për tu vetë promovuar, me qëllim për të fituar zgjedhës, për të fituar namin që nuk e kishin bërë gjatë luftës.

Sot shkojnë dhe vizitojnë Kompleksin memorial “Adem Jashari”,  në Prekaz, edhe ata që dikur e kishin përbuzur e shpërfillur. Pavarësisht si flasin e si krenohen, shumë nga ata, në qeniet e tyre të mjera, ndiejnë vogëlsinë shpirtërore dhe mundohen të mos i kujtojnë paragjykimet e tyre.

Por, Prekazi heroik i Adem Jasharit ka qenë dhe është i hapur për të gjithë ata që e vizitojnë, sepse është forca magnetike e heroizmit të Legjendarit dhe të gjithë luftëtarëve të tij, luftëtarëve e luftëtereve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…

 

Për jetë të jetëve, LAVDI!

Prishtinë

5. 3. 2022

 

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti uron 22 nëntorin: Deri dje e avansonim, sot duhet ta mbrojmë gjuhën shqipe

Ali Ahmeti uron 22 nëntorin: Deri dje e avansonim, sot duhet ta mbrojmë gjuhën shqipe

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka uruar të gjithë shqiptarët për …