Një çerek shekulli për historinë nuk do të thotë shumë, por nganjëherë vetëm një ditë prodhon histori, më shumë se një shekull.
Kanë kaluar 25 vite nga qëndresa e heroizmi i Jasharëve të Prekazit në krye me Komandantin e bëmave historike të kohës sonë, Adem Shaban Jashari, por ditët 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998 janë histori në vetvete, janë kapitulli më heroik i historisë sonë kombëtare, gjatë shekullit 20-të dhe në vazhdim.
Për asnjë personalitet tjetër të kombit nuk është shkuar më shumë dhe nuk janë vënë në pah meritat, sakrifica, heroizmi, qëndresa, dinjiteti, lavdia, krenaria, besë-betimi, sesa për Adem Jasharin, Jasharët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kompleksi Memorial, “Adem Jashari” në Prekaz është Panteoni shqiptar i kohës sonë, por jo si Panteoni e Perëndive pagane greke, por është Monumenti që shënon një epokë, një histori autentike, një qëndrese spartane, një Piedestal madhështor, të cilin e kanë vizituar, kanë bërë e bëjnë homazhe miliona shqiptarë dhe pjesëtarë të kombeve të Ballkanit, Evropës e shumë vendeve të botës.
Legjendari i kohës sonë, Adem Jashari, në historinë tonë më të re, në ndërgjegjen e liridashësve shqiptarë, është ngulitur jo vetëm si kult, që simbolizon trimërinë, vendosmërinë, sakrificën, po mbi të gjitha është simbol unik i fuqisë dhe i vitalitetit kombëtar, simbol i përsëritjeve ciklike të ngritjeve shqiptare, pas rënieve të shumta. Adem Jashari është Mesi i realizuar, është shpëtimtari që e kemi pritur me shekuj, është udhërrëfyesi dhe shembull-dhënësi realist i lirisë.
Rezistenca e kryetrimit të kohës sonë, e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë, e tërë lagjes Jashari përgjithësisht, më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishte rikthyer në kujtesë legjendën biblike të luftës së Davidit kundër Golijatit, legjendën e 300 spartanëve, legjendën e Lakademonit antik, legjendën e vajzave të Kurbinit, legjendën e Halil Patronës, të suljotëve e Oso Kukës dhe sa e sa shembujve të tjerë të heroizmit shqiptar nëpër shekuj. Adem Shaban Jashari, për nga përmasa e qëndresës dhe vetësakrifikimit është fenomen “sui generis”, fenomen që i tejkalon përmasat kombëtare e rajonale, është fenomen që paraqitet rrallë herë në historinë e qytetërimit, ose njëherë gjatë disa shekujve.
Epiqendra e heroizmit dhe qëndresës historike shqiptare sot, nuk mund të mendohet pa ideatorin dhe projektuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Vepra e tij heroike ishte dhe vazhdon të mbetet burim i frymëzimit më të fisnikëruar kombëtar për të gjithë shqiptarët liridashës dhe më gjerë. Vizitat, që shqiptarët, por edhe shumë liridashës e humanistë të tjerë nga mbarë bota i bëjnë Kullës së Jasharëve, tani në Kompleksin Memorial Kombëtar, në Prekaz, është tregues se pikërisht në qendër të Shqipërisë po përjetësohet një vend-pelegrinazh i ri i botës shqiptare, një vend i shenjtë jo vetëm i Shqipërisë.
Fenomeni Adem Jashar, vazhdon të ngrihet në monument përjetësie fizike e shpirtërore, jo si mit mesjetar, jo si legjendë e rrëfimeve tradicionale mitologjike, por si një personazh i veçantë dhe realist i historisë me përmasa po ashtu tipike, realiste, sepse vepra dhe heroizmi i tij shënuan piedestalin, preken atje ku nuk arrijnë dot as legjendat, shënuan majat më të larta, përtej të cilave pushon edhe fjala.
Në të gjitha segmentet studimore, në të gjitha format e krahasimit dhe të përshkrimit, fenomeni Adem Jashar, imponohet para së gjithash me origjinalitet, imponohet me veçanti tipike të një tipologjie autentike në paraqitje, që mbërthen në vetvete të gjitha përshtresimet universale të Njeriut, i cili jo rastësisht kishte sfiduar terrin, barbarinë, dhunën, jo rastësisht iu kishte kundërvënë ushtrisë gjakatare të kryekriminelit, despotit dhe kasapit të Ballkanit.
Në përvjetorët e sakrificës dhe heroizmit të Legjendarit, Adem Jashari dhe jasharëve të rënë e të martirizuar, krenohemi me epokën e tij, por nuk mund të krenohemi se e kemi çuar deri në fund amanetin e tij, pavarësisht pompozitetit, retorikës politike, fjalimeve emocionale, ceremonive tashmë tradicionale, të cilave iu mungon esenca e porosisë së legjendarit, e cila njëzohej fuqishëm me moton filozofike të Ukshin Hotit, “Bëje ose vdis!”. Të ndodhur para kësaj dileme, shumë politikanëve shqiptarë, që gjatë këtyre ditëve bëjnë homazhe para varrit të legjendarit, do të duhej t’iu dridheshin këmbët, do të duhej të iu thaheshin buzët, do të duhej t’iu ngelnin në fyt fjalët e zgjedhura dhe përkushtimi për Legjendarin…